Sipas të dhënave të Konfederatës së Sindikatave të Pavarura në Bullgari, qarkullimi i ekonomisë gri të Bullgarisë arrin midis 12 miliardë dhe 13 miliardë euro në vit. Pjesa e ekonomisë në hije në ekonominë e këtij vendi zë rreth 20% të ekonomisë së përgjithshme dhe përfshin kryesisht aktivitete të tilla si ato të tregtisë, bujqësisë dhe riparimit të automjeteve, tha Presidenti i konfederatës CITUB, Plamen Dimitrov.
Ekonomia gri vret konkurrencën dhe të drejtat e njeriut, theksoi z. Dimitrov, duke shtuar se Konfederata e Sindikatave të Pavarura në Bullgari ka bërë propozime të shumta për ndryshime legjislative, që synojnë të kufizojnë punësimin e padeklaruar dhe rrjedhimisht edhe ekonominë gri.