Prokuroria e Lartë Administrative e Bullgarisë ka nisur një hetim pas akuzave se ka pasur më shumë se 100 raste të personave që kanë marrë nënshtetësi bullgare me pretendime të rreme, përmes përdorimit të skemës së “pasaportave të arta”.
Skema e “pasaportave të arta” përfshin marrjen e shtetësisë në bazë të investimeve.
Qeveria e kryeministrit Kiril Petkov ka ndërmarrë hapa për t’i kërkuar Parlamentit shfuqizimin e skemës, për të cilën Komisioni Europian ka shprehur vazhdimisht dyshime.
Deri tani, projektligji për heqjen e skemës është miratuar në një lexim të parë nga Komisioni i Çështjeve Juridike të Kuvendit.
Në një deklaratë nga Zyra e Prokurorit thuhej se akuzat përfshinin kryesisht shtetas rusë dhe kinezë.
Njoftimi i hetimit vjen pas një konference për shtyp nga deputeti i Lëvizjes për të Drejtat dhe Liritë, Hamid Hamid, i cili pretendoi se midis viteve 2015 dhe 2021, disa njerëzve (duke përfshirë edhe persona që punonin për shërbimet e inteligjencës kineze), u ishte dhënë shtetësia, ose e drejta e qëndrimit në Bullgari, për shkak të kryerjes së investimeve.
Por në fakt, këta persona kishin paguar shuma identike parash në një bankë të caktuar, dhe më pas kishin përdorur fotokopje të fletëve të depozitave për të marrë shtetësi ose leje qëndrimi.
Hamid i bëri këto akuza pasi kishte marrë informacion nga një burim anonim, të cilin nuk e bëri publik.
Dihet prej kohësh se kjo skemë ka qenë e hapur për abuzim, sepse ata që depozitojnë para, ose blejnë letra me vlerë, i tërheqin më pas këto para pas marrjes së shtetësisë bullgare, duke përfituar edhe nga të drejtat si shtetas të BE-së, çka shqetëson Këshillin Europian.
Zyra e Prokurorit tha se Ministrisë së Drejtësisë (e cila përpunon kërkesat për shtetësi), i ishte kërkuar të jepte informacion për secilin prej rasteve të dyshimta midis viteve 2015 dhe 2021, që përfshinin këtë skemë.
Agjencia Invest Bulgaria kishte kërkuar që të raportohej nëse janë bërë investime në procesin e marrjes së shtetësisë, nëse ka pasur të dhëna për investime reale, dhe nëse këto investime janë kontrolluar çdo vit, deri në momentin kur është fituar shtetësia.
Agjencisë Shtetërore të Sigurisë Kombëtare i është kërkuar të raportojë nëse është ushtruar kontroll për kryerjen e investimeve dhe zbatimin e kërkesave të tjera.
Ministrisë së Ekonomisë i është kërkuar të raportojë nëse është ushtruar një kontroll i vazhdueshëm në lidhje me skemën e dhënies së shtetësisë.
Prokuroria tha se nëse konstatohen shkelje, ajo do t’u propozojë organeve përkatëse të marrin masa. Kjo përfshin heqjen e shtetësisë dhe lejeve të qëndrimit në raste abuzimesh.
Çdo informacion për krimet do t’i referohet strukturës përkatëse në Prokurori, thuhet në deklaratë.