Qeveria bullgare shpreson se një prodhues japonez makinash do të investojë shumë shpejt në shtetin e saj. Investimet e Japonisë në Bullgari kanë qenë në qendër të bisedimeve mes Kryeministrit Boyko Borissov, ministres së Jashtme, Ekaterina Zaharieva dhe diplomatit të parë të Japonisë, Taro Kono.
Ministri i Jashtëm japonez e vizitoi Bullgarinë me ftesë të zëvendëskryeministrit Zaharieva. Kjo është edhe vizita e parë e këtij niveli në 12 vitet e fundit.
Bashkëpunimi ekonomik, Ballkani Perëndimor, vlerat e përbashkëta dhe mbështetja për politikën e Japonisë ndaj Koresë së Veriut dhe Detit të Kinës së Jugut, ishin çështjet kryesore që u diskutuan ndërmjet Taro Kono dhe Ekaterina Zaharieva. Pasi Kryeministri japonez, Shinzo Abe, vizitoi Bullgarinë vitin e kaluar, u raportua menjëherë një rritje prej 40% në shkëmbimin e mallrave ndërmjet këtyre dy shteteve. Tani, Bullgaria shpreson për më shumë investime.
Ministrja e Jashtme bullgare, Ekaterina Zaharieva, tha se shpreson se Japonia do të hapë një fabrikë për prodhimin e automjeteve në Bullgari dhe jo vetëm të pjesëve të tyre të këmbimit.
“Nga ana e tij, ministri i Jashtëm japonez, Taro Kono, tha se ai është veçanërisht i interesuar në sektorin bullgar të Teknologjisë së Informacionit.
“Japonia ka nevojë për inxhinierë të kualifikuar të Teknologjisë së Informacionit dhe Bullgaria është shumë e fortë në këtë sektor”. Që prej vitit të kaluar, Japonia është duke zhvilluar Nismën për Bashkëpunim të Ballkanit Perëndimor dhe Bullgaria është një prej faktorëve kryesorë në stabilitetin e rajonit, tha më tej z. Kono.
Bullgaria dhe Japonia po zhvillojnë dy projekte të përbashkëta për vendet e Ballkanit Perëndimor, menaxhimin e riskut nga katastrofat promovimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Ministri i Jashtëm japonez diskutoi për mbështetjen e politikës së çarmatimit të Koresë së Veriut dhe zbatimin e plotë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, si dhe lirinë e lundrimit në Detin e Kinës së Jugut dhe në Detin e Zi. Japonia ka ftuar Kryeministrin Boyko Borissov të vizitojë Tokion deri në fund të këtij viti, ose edhe në fillim të vitit 2020.