Bullgari / Sektori i TI-së, një ndër kontribuuesit më të mëdhenj në ekonomi

16/06/2019 8:11 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Në vitet e fundit, sektori i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit ka qenë një prej sektorëve me ndikimin më pozitiv në vend, në drejtim të rritjes së ekonomisë dhe PBB-së së vendit. Sipas Eurostat, vlera e shtuar bruto e sektorit TIK është 1.43 miliardë euro dhe ka shënuar rritje me 25%.

Kjo u theksua edhe nga zëvendësministri i Ekonomisë, Lachezar Borisov, në tryezën e rrumbullakët bullgare të TIK, organizuar për të tetin vit radhazi nga TIK Media dhe BASSCOM, së bashku edhe me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë.

Sipas tij, Bullgaria është në mesin e vendeve anëtare të BE-së, ku ndikimi i sektorit TIK në formimin e vlerës së shtuar bruto është relativisht i lartë, duke e renditur atë në vendin e 5-të në këtë Bashkim. Në këtë drejtim, ai shtoi se në tremujorin e parë të vitit 2019, indeksi i xhiros për shërbimet e TIK arriti në 154%, ndërsa xhiroja e ndërmarrjeve u rrit me 16% krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.

Zëvendësministri i Ekonomisë theksoi se nga kjo degë janë punësuar rreth 57,000 punonjës, gjë që e bën industrinë e IT-së një prej shtyllave më të rëndësishme të ekonomisë bullgare. Z. Borisov shprehu mendimin e tij se sektori i TIK aktualisht po zhvillohet pa ndërhyrjen e shtetit, por njëkohësisht tha se Ministria e Ekonomisë ka mjetet e nevojshme për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të saj.

Ai shtoi se gjatë periudhës 2008-2019, 42 projekte në shërbimet e teknologjisë së lartë morën certifikatat sipas Aktit për Promovimin e Investimeve (LEP). Zëvendësministri Borisov shprehu gatishmërinë për t’u takuar me biznesin dhe për të diskutuar propozimet e tyre për një bashkëpunim më efikas dhe identifikimin e masave me anë të të cilave shteti do të përfitonte nga ky sektor. Sipas tij, Sofja është gati për t’u shndërruar në kryeqytetin e sektorit të IT-së në Europë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of