Zyrtarët e Azerbajxhanit dhe Bullgarisë kanë shkëmbyer mendime mbi mundësinë e zgjerimit të marrëdhënieve ekonomike, si dhe çështjeve të tjera të interesit të ndërsjellë.
Ministri i Ekonomisë së Azerbajxhanit, Shahin Mustafayev, u takua me ambasadorin bullgar, Nikolay Yankov, në fillim të këtij muaji. Gjatë zhvillimit të takimit, z. Mustafayev theksoi nivelin e lartë të marrëdhënieve që ekzistojnë ndërmjet Azerbajxhanit dhe Bullgarisë. Ai përmendi se vullneti politik i krerëve të shteteve kishte siguruar bazën solide për zgjerimin e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet këtyre dy vendeve, duke përmendur rëndësinë e vizitave dhe takimeve të ndërsjella.
Në takim u theksua se midis dy vendeve është krijuar edhe një strukturë e fortë ligjore dhe se janë nënshkruar më shumë se 80 marrëveshje në fusha si ajo e mbrojtjes së investimeve, shmangies së taksimit të dyfishtë, transportit, doganave, turizmit, etj. Deklarata e Përbashkët për Partneritet Strategjik midis Azerbajxhanit dhe Bullgarisë, e nënshkruar në vitin 2015, ka rëndësi të veçantë për zgjerimin e bashkëpunimit midis këtyre dy vendeve. Aktualisht, 11 kompani bullgare operojnë në Azerbajxhan. Sa i përket zgjerimit të marrëdhënieve ekonomike, z. Mustafayev tha se ekzistojnë mundësi të gjera për bashkëpunim në sektorë si energjia, industria, bujqësia, transporti, farmaceutika, tregtia, turizmi, shkencat humanitare, etj.
Në takim u tha se sipërmarrësit bullgarë mund të përfitojnë nga zbritjet e aplikuara në parqet industriale në Azerbajxhan. Z. Mustafayev informoi mbi mundësitë e transportit dhe tranzitit në Azerbajxhan, duke përmendur se korridoret e transportit ndërkombëtar që kalojnë përmes vendit mund të zhvillojnë bashkëpunim me Bullgarinë në këtë fushë.
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe aktiviteteve të përbashkëta në drejtim të zgjerimit të ndërsjellë të sektorit të biznesit. Nga ana tjetër, z. Yankov tha se vendi i tij po e shikon me përparësi zhvillimin e marrëdhënieve me Azerbajxhanin. Ai ndau pikëpamjet e tij mbi potencialin e bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Ambasadori vuri në dukje se biznesmenët bullgarë janë të interesuar të operojnë në Azerbajxhan dhe të krijojnë sipërmarrje të përbashkëta.
Marrëdhëniet diplomatike midis Bullgarisë dhe Azerbajxhanit janë vendosur që më 5 qershor të vitit 1992. Të dyja këto dy shtete janë anëtare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC). Marrëveshja e partneritetit strategjik, e nënshkruar në vitin 2015, krijoi mundësi të reja për zhvillimin e bashkëpunimit të mëtejshëm.
Të dyja shtetet bashkëpunojnë edhe brenda komisionit ndërqeveritar mbi bashkëpunimin, të themeluar në 1999. Qarkullimi tregtar midis Azerbajxhanit dhe Bullgarisë arriti në 65 milionë dollarë në vitin 2018, 26 milionë dollarë e të cilave u gjeneruan nga importet nga Bullgaria.