80% e blerësve të pronave të pushimit përgjatë bregdetit të Detit të Zi në Bullgari, janë shtetas bullgarë, tregojnë të dhënat nga një kompani e madhe ndërtimi dhe investimi.
“Kufizimet e udhëtimit që burojnë nga pandemia e koronavirusit dhe mjedisi i pasigurt ekonomik, kanë bërë që një numër njerëzish të fillojnë të blejnë prona. Çmimet e pronave të pushimit mbeten të qëndrueshme, ndryshe nga çmimet e pronave urbane, të cilat kanë vazhduar të rriten në dymbëdhjetë muajt e fundit”, vërejnë analistët në fushën e pronave të patundshme.
Në fakt, investimi në prona të patundshme përgjatë bregdetit të këtij vendi, është një opsion më i mirë sesa blerja e një apartamenti të vogël në një qytet të madh.
“Ne kemi dëshmuar një rritje të mprehtë të numrit të transaksioneve të pasurive të patundshme në qytetet bregdetare Sozopol, Nesebar dhe Pomorie”, tha Diana Ivanova, menaxhere e një agjencie të pasurive të patundshme në Burgas. Njerëzit po investojnë në prona pushimi, të cilat ata mund t’i përdorin gjatë gjithë vitit, tha Diana Ivanova në një intervistë për BNR-Burgas. Pronat e patundshme në Sozopol tashmë janë shitur, tha Diana Ivanova.
“Tregu i pasurive të patundshme është zhvilluar këtë verë, si në aspektin e çmimeve, ashtu edhe në numrin e transaksioneve të pronës. Investitorët kanë kërkuar të blejnë prona, jo vetëm në qytetin Burgas, por edhe në zona të tjera. Njerëzit po kërkojnë apartamente të përfunduara, por edhe projekte të papërfunduara, tregojnë të dhënat e zyrave noteriale në qytetet bregdetare të këtij vendi. Numri i pronave të patundshme të nënshkruara në zyrat e noterisë është rritur ndjeshëm. Çmimet e pronave varen nga fakti nëse apartamenti i shitur në tregun e pasurive të patundshme është përfunduar, dhe nëse ndodhet në një ndërtesë të re. Çmimet e pasurive të patundshme varen gjithashtu nga vendndodhja e pronës. Investitorët që dëshirojnë të blejnë prona në komplekset e pushimit të tipit të mbyllur, marrin parasysh çmimet e mirëmbajtjes, shërbimit dhe menaxhimit të pronës”.
Sipas agjentëve të pasurive të patundshme, çmimet e pronave në zonë variojnë shumë. Megjithatë, investitorët kryesisht preferojnë prona, çmimet e të cilave luhaten midis 800 dhe 1,200 euro për metër katror. “Disa prona të patundshme shiten me çmime më të larta ose më të ulëta. Apartamentet e vogla të vendosura në komplekset e pushimit ku mirëmbajtja nuk është optimale, shiten me çmime më të ulëta, gjë që tërheq interesin e investitorëve, tha Diana Ivanova për BNR-Burgas.
Konsumatorët preferojnë apartamente të përfunduara dhe të mobiluara. Blerësit e pronave të pushimeve janë kryesisht shtetas bullgarë, të cilët duan të investojnë paratë e tyre. Disa prej tyre punojnë jashtë vendit dhe investojnë kursimet në këtë vend. “Klientët tanë janë kryesisht bullgarë. Ndonjëherë, shtetas të huaj nga vendet anëtare të BE-së gjithashtu blejnë prona këtu. Shtetasit rusë kryesisht operojnë si shitës të pasurive të patundshme”, shtoi Diana Ivanova.