Përpjekjet e qeverisë bullgare për investimin strategjik të Volkswagen vijojnë. Kjo u bë e qartë edhe pas një takimi të përfaqësuesve të organizatës Automotive Cluster Bulgaria me Kryeministrin Bojko Borisov dhe ministrat e tjerë të kabinetit, raporton BNT.
Turqia është zgjedhur të vazhdojë negociatat me të nëse dëshiron, por kjo nuk do të thotë se procesi i negociatave ka përfunduar për Bullgarinë dhe se vendi nuk ka asnjë mundësi për vazhdimin e bisedimeve me Volkswagen për ndërtimin e një fabrike të re. Deklarata u bë nga një anëtar i bordit drejtues të Automotive Cluster Bulgaria dhe ish-Presidenti i Bullgarisë në periudhën 2011 – 2016, Rossen Plevneliev. Deri në momentin e nënshkrimit të një kontrate, mund të zgjidhet njëri prej këtyre dy shteteve të mësipërme, tha z. Plevneliev.
Ai shtoi se bisedimet me Volkswagen dhe takimet me ekipet negociuese do të vazhdojnë edhe në muajt e ardhshëm. Ministri i Ekonomisë, Emil Karanikolov, tha se në muajt e fundit, Bullgaria e tregoi qartë se është e gatshme të prodhojë makina. Deri në momentin që nuk ka asnjë vendim përfundimtar nga Volkswagen, përpjekjet e qeverisë bullgare do të vijojnë, tha ai më tej.
Që nga themelimi i organizatës Automotive Cluster Bulgaria në vitin 2012, numri i kompanive në industrinë e automjeteve është rritur nga 30 në 230 dhe të ardhurat e tyre nga 2 deri në 10 miliardë leva bullgare. Në takim u vendos se do të ndërtohej edhe një rrugë për testimin e automjeteve me vetëdrejtim në Bullgari, si dhe një laborator i rrjetit 5G.