Bullgaria ka zgjedhur Citi, JP Morgan Chase & Co, BNP Paribas dhe Unicredit për të udhëhequr shitjen e bonove në tregjet globale që mund të jenë mbi 2 miliardë euro (2.17 miliardë dollarë), thanë dy burime të tregut me njohuri mbi procesin.
Shteti më i varfër i Bashkimit Europian, por edhe një nga shtetet anëtare me më pak borxhe, duhet të financojë këtë vit një hendek fiskal sa 3% e prodhimit ekonomik dhe të lërë mënjanë asetet likuide për të zbutur ndikimin ekonomik të pandemisë së koronavirusit.
Bullgaria ka nevojë për 4,5 miliardë lev (2,50 miliardë dollarë) në financim shtesë këtë vit dhe ka ndryshuar ligjin e buxhetit për vitin 2020, për të qenë në gjendje të mbledhë deri në 10 miliardë lev (5.5 miliardë dollarë) borxh të ri.
“Bullgaria ka zgjedhur katër banka për të udhëhequr emetimin e ri të obligacioneve, të njëjtat banka që menaxhuan shitjen e fundit të obligacioneve globale në vitin 2016”, tha një burim që kërkoi të mbetet anonim.
“Shitja e bonove mund të bëhet që në muajin tjetër dhe për momentin ajo mund të jetë rreth 2 miliardë euro, por madhësia, pjekuria dhe koha, do të varen nga kushtet e tregut”, tha një tjetër burim i njohur me planin.
Ministria e Financave nuk pranoi të japë koment.
Më parë, ministri i Financave, Vladislav Gornanov, tha se kufiri i rritur i borxhit të ri publik kishte për qëllim të mundësonte që Bullgaria të shfrytëzonte tregjet kur kushtet të jenë të favorshme dhe të përgatitej për një ndikim edhe më të keq se ç’parashikohej nga kriza.
“Ne po përgatitemi të marrim një borxh të ri”, tha Goranov për televizionin BTV.
“Parapëlqej të ketë mjaft asete likuide në buxhet, në mënyrë që të jemi të sigurt se të gjitha shpenzimet, sidomos ato në kujdesin shëndetësor, pensionet e njerëzve, ushtrinë, policinë dhe mësuesinë, të jenë të garantuara”, tha ai.
Bullgaria, e cila shpreson t’i bashkohet “dhomës së pritjes” së Eurozonës këtë pranverë, tashmë ka grumbulluar bono me vlerë 1.2 miliardë lev në tregun vendor që nga janari. Ajo planifikon të shesë 200 milionë lev të tjera në bono thesari 5-vjeçare, më 27 prill.
Agjencitë S&P dhe Fitch e vlerësojnë Bullgarinë në klasën e investimeve BBB me një këndvështrim pozitiv dhe kanë thënë se hyrja në “dhomën e pritjes” së Eurozonës mund të nxisë përmirësime të mëtejshme.