Bullgaria është e gatshme të ofrojë më shumë lehtësi ndaj grupit Volkswagen, në mënyrë që ky i fundit të rimendojë vendimin për të ndërtuar një fabrikë të re në këtë shtet. Vendimi nga qeveria bullgare u mor menjëherë pasi prodhuesi i makinave shtyu për më vonë vendimin për të ndërtuar një fabrikë të re prodhimi në Turqi.
Sofja është e gatshme të rrisë ofertën e saj dhe të dyfishojë subvencionet në dispozicion të Volkswagen-it, duke shkuar në vlerën prej 260 milionë eurosh nga 135 milionë euro që ishte oferta fillestare, u shpreh Rosen Plevneliev, anëtar i bordit të organizatës jofitimprurëse, Bulgarian Automotive Cluster, për Radion Kombëtare Bullgare.
Shteti ballkanik ka qenë një ndër alternativat kryesore të grupit VW për të ndërtuar fabrikën e re të prodhimit të makinave dhe njoftimi i ri në drejtim të Turqisë, i ka ngjallur sërish shpresat për qeverinë bullgare. Deklarata e fundit në drejtim të Turqisë është një lajm pozitiv për ne, por rruga që na pret përpara është e gjatë dhe vendimi përfundimtar që mund të marrë VW nuk është ende i qartë, u shpreh z. Plevneliev, i cili ka qenë edhe një ndër ish-presidentët e Bullgarisë.
“Shteti ynë ka përgatitur një propozim të mrekullueshëm, i cili ofron maksimumin e mundshëm sipas ligjeve të Bashkimit Europian”, tha më tej z. Plevneliev. Kjo organizatë jofitimprurëse, e cila bashkon mbi 54 kompani në sektorin e automjeteve dhe në atë të industrisë së pjesëve të këmbimit, është përfshirë në fushatën lobuese për tërheqjen e investitorit të rëndësishëm të VW drejt shtetit bullgar.
“Ne mund të zgjerojmë bashkëpunimin tonë me Volkswagen-in në fusha të ndryshme. Bullgaria do të ndërtojë infrastrukturën e duhur për makinat elektrike. Ne gjithashtu kemi ide se si të mbështesim këtë grup të rëndësishëm të prodhimit të makinave me infrastrukturë shtesë”, tha më tej z. Plevneliev.
Ministria e Ekonomisë nuk pranoi të bëjë asnjë koment në lidhje me faktin nëse Sofja do të përmirësojë ofertën, apo do të dyfishojë subvencionet.
Një zëdhënës i Ministrisë tha se derisa të ketë një vendim përfundimtar nga ana e VW, Bullgaria dhe Turqia do të vazhdojnë të mbeten dy prej pretendenteve kryesore për ndërtimin e fabrikës së re.