Që nga fundi i marsit, Bullgaria hyri në karantinën e tretë që nga fillimi i pandemisë. Shenja “Mbyllur” shihet edhe një herë në dyert e qindra kompanive. Si do të ndikojë kjo te bizneset bullgare?
Sipas AdrianNikollov, nga Instituti për Ekonominë e Tregut (IME), ekonomia bullgare, përveç disa shërbimeve specifike, është mësuar të punojë në kushtet e masave bllokuese. Për ndërmarrjet e mëdha të përpunimit, imponimi i masave të reja bllokuese nuk ka ndikuar shumë, pasi ato kaluan tronditjen fillestare të pranverës së kaluar, kur kishte mbyllje kufijsh, paqartësi me dërgesat, etj. Fokusi tani janë hotelet dhe restorantet, sektorët e kulturës dhe sportit. Të ardhurat e tyre nuk janë themelore për PBB-në, por gjithçka është e lidhur në një zinxhir të përbashkët, për shkak të shumë vendeve të punës që sigurojnë të ardhurat për qindra mijë njerëz.
“Gjithçka varet nga fakti nëse gjatë bllokimit të ri, shteti do të vendosë të kontrollojë vetë zbatimin e masave, apo nëse do t’ua lërë atë në dorë bashkive”, tha Nikollov për BNR. “Disa javë më parë, qëndrimi i shtetit ishte t’i lejonte rrethet të vendosnin vetë në varësi të situatës. Disa javë më vonë, dëshmuan sesi shteti i mori gjërat nën kontrollin e vet dhe mbylli gjithçka. Transferimi i përgjegjësisë nga niveli shtetëror në atë lokal dhe anasjelltas, krijon pasiguri dhe bizneset nuk e dinë se çfarë do të ndodhë më pas”.
Sipas Atanas Dimitrov, nënkryetari i Shoqatës Bullgare të Hoteleve dhe Restoranteve, është vështirë të mbahen klientët në mënyrë që një ditë, hotelet dhe restorantet të mund të rihapen me cilësinë e kërkuar nga klientët.
“Këto ishin kërkesat tona ndaj institucioneve dhe shtetit – që punëtorët të kompensohen. Ata në fillim ishin jashtëzakonisht hezitues me masat 60/40 dhe 80/20, të cilat praktikisht nuk aplikohen për bizneset e mbyllura dhe gjatë karantinës së parë, askush nuk përfitoi ndonjë ndihmë”, thotë Dimitrov.
“Këto masa funksionojnë për një numër të kufizuar biznesesh që nuk janë të mbyllura. Punëdhënësit nuk kanë të ardhura për të paguar këtë 40%. Më pas, u ndanë fondet me vlerë 24 BGN në ditë dhe në janar, njerëzit nisën të merrnin 75% të pagës së tyre. Ne gjithashtu ramë dakord për disa kompensime prej 20% për punëdhënësit, sa për të mbuluar kostot e tyre. Ndoshta rreth 30% e kolegëve tanë kanë hequr dorë nga profesioni, dhe tani, pas bllokimit të ri, ne presim që të rritet ngurrimi për të investuar në biznese me rrezik”.
Shpenzimet më të mëdha të restoranteve dhe hoteleve janë përqendruar në respektimin e rregullave dhe masave shëndetësore, pasi ata e kuptojnë që bizneset e tyre kanë lidhje të drejtpërdrejtë me shëndetin e klientëve.
Sipas Atanas Pekanov, ekonomist në Institutin Austriak për Kërkime Ekonomike (WIFO), modeli i menaxhimit të krizës në Bullgari është kaotik dhe restorantet nuk duhej të ishin hapur në fillim të marsit. Ai është i bindur se kjo do të çojë në humbje edhe më të mëdha për industrinë e restoranteve, sepse u shpenzuan shumë para për t’i hapur restorantet tre javë më parë. Sipas tij, vendimi i duhur është që qeveria të mos ndjekë kërkesat e industrisë, por të përqendrohet në masat kompensuese.
Pas njoftimit të karantinës 10-ditore, deri në fund të marsit, ministri i Ekonomisë, Lachezar Borisov, tha se do të jepte mbështetje të plotë për bizneset në kushtet e masave bllokuese. Të gjitha masat aktualisht në fuqi mbeten aktive. LachezarBorisov beson se gjatë krizës, Bullgaria ka performuar relativisht mirë në krahasim me vendet e tjera, siç konfirmohet nga ekonomistët.
“Bullgaria hyri në këtë krizë me tregues shumë të mirë makroekonomikë – një deficit shumë të vogël dhe borxh të ulët”, thotë Adrian Nikollov nga IME. “Në kontekstin e të gjithë BE-së, Bullgaria vazhdon të ketë disa nga treguesit më të mirë të buxhetit, në krahasim me vende si Italia, Spanja dhe Franca, të cilat kishin hyrë në një krizë më të madhe ekonomike dhe i stimuluan ekonomitë e tyre në mënyrë më agresive nëpërmjet buxheteve. Ne do të mendojmë për disiplinën buxhetore kur të përfundojë kjo situatë. Është më e rëndësishme të mendohet se sa biznese mund të shpëtohen”.
Çfarë pritet në të ardhmen? Pritshmëritë e të gjithë analistëve për normalizimin e ekonomive lidhen me fushatën e vaksinimit. Pasi të arrihet numri i nevojshëm i personave të vaksinuar, ekonomia bullgare pritet të ndikohet pozitivisht edhe nga fondet e dhëna nga Plani Europian i Rimëkëmbjes.
Rreziqet vazhdojnë në 2021
PBB-ja negative e Bullgarisë prej -3.9% në vitin 2020 dhe rritja e pritshme prej 4% për tremujorin e parë të vitit 2021, tregojnë se rimëkëmbja ekonomike po afron. Por ka sfida që mund të rikthejnë recesionin. Të tilla janë mungesa e konsumit privat dhe investimeve, pengesat në tregtinë e jashtme, mungesa e furnizimeve nga Azia dhe Europa, gjë që bllokon prodhimin. Kështu deklaroi Plamen Dimitrov, menaxher i Coface Bulgaria, në seminarin online me temën: “A pritet një recesion në ekonominë bullgare”?
Vetëm 0.88% e popullsisë së Bullgarisë ka marrë të dyja dozat e vaksinës Covid-19 sipas të dhënave deri më 17 mars, gjë që ndërlikon më tej rimëkëmbjen e mjedisit të biznesit, shtoi Dimitrov.