Bullgaria ende do të hyjë në Eurozonë, në rast se anëtarët e bllokut u binden rregullave për të kufizuar borxhin, ka pohuar Traicho Traikov, ministri i Ekonomisë i Bullgarisë, në një intervistë për median gjermane.
“Duke marrë parasysh që të gjitha shtetet e Eurozonës t’u përmbahen rregullave të borxhit në të ardhmen…hyrja në monedhën e përbashkët mbetet një synim afatgjatë për ne”, tha ministri Traikov për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Bullgaria do që të hyjë në bllok, në mënyrë që të ndihmojë në reduktimin e kostos së financimit për kompanitë lokale, të cilat aktualisht paguajnë norma interesi deri në 10%, po ashtu dhe për qeverinë, tha Traikov.
Por ministri paralajmëroi se bullgarët ka të ngjarë që të kundërshtojnë dhënien e fondeve për të ndihmuar kombe më të pasura përmes Mekanizmit të Stabilitetit Europian.
“Është e vështirë të justifikohet se pse Bullgaria duhet të japë fonde për një mekanizëm shpëtimi, që është i nevojshëm për shtete me një popullsi ndjeshëm më të pasur”, tha ai.
Pensionet në Greqi janë pesë herë më të larta se ato në Bullgari, shtoi ministri.
Në vitin 2011, qeveria e qendrës së djathtë vazhdoi, edhe pse me disa tone të ndryshueshme përkushtimi, të vijojë integrimin europian dhe e bëri të qartë se shqetësimet e monedhës së përbashkët nuk do ta ndalnin këtë rrugë.
Ministri Traikov ka qenë një ndër mbështetësit më të flaktë të hyrjes së Bullgarisë në Eurozonë.
“Tashmë është në modë që të parashikohet fundi i bashkimit monetar, por unë mendoj se ai do të mbijetojë. Pa dyshim, ne duam të jemi pjesë e tij”, i ka pohuar Traicho Traikov, ministri i Ekonomisë, CNBC-së, në ditët e para të dhjetorit të kaluar.
Qeveria në Sofje e ka kundërshtuar me forcë zbatimin e një takse të njëjtë në Eurozonë, madje edhe teksa Gjermania ka propozuar integrim më të madh fiskal, në mënyrë që të shmangë një situatë ku vendet e kujdesshme të paguajnë për plëngprishësit.
Bullgarët kanë vuajtur për vite të tëra në mënyrë që të rregullojnë parametrat e ekonomisë së tyre dhe të sigurojnë që vendi të ketë një borxh të ulët dhe një deficit buxhetor të ulët, shtoi ai.
“Kjo nuk na ra nga qielli, ne paguam për të me vite e vite masash të rrepta e disiplinë fiskale”, tha Traikov.
Vendi e ka ndryshuar vazhdimisht afatin për të hyrë në euro. I planifikuar në mënyrë ambicioze, fillimisht në vitin 2010, hyrja e vendit në Eurozonë u la për diku nga viti 2012,
me ekspertët që thonë se kushtëzohet nga kujdesi fiskal dhe inflacioni më i ulët.
Qeveria e qendrës së djathtë, e cila e la pushtetin në verë të vitit 2009, ishte shumë entuziaste rreth përshtatjes së monedhës së vetme, por u detyrua që të hiqte dorë nga planet e saj, pasi deficiti në buxhetin e rishikuar të 2009-s e kaloi kufirin prej 3% të BE-së.
Dështimi i qeverive të mëparshme për të ndërmarrë hapat e tyre më shpejt i atribuohet shpesh në Bullgari manovrave të padukshme të zyrtarëve europianë, presidentit të Eurozonës,
Juncker, dhe ish- drejtuesit të Bankës Qendrore Europiane, Trichet në veçanti – që akuzohen se kishin krijuar mekanizmat e tyre për të menaxhuar BE-në.
Bullgaria është shteti më i varfër i BE-së, por politika e shtrënguar fiskale e ka ndihmuar atë që të arrijë një nga nivelet më të ulëta të borxhit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe një deficit buxhetor rreth kufirit prej 3%,
për të cilin është rënë dakord në Traktatin e Mahstritit.
Politika e shtrëngimit të rripit e ministrit të Financave, Simeon Djankov, ka ngjallur kriticizëm, pasi ka krijuar një iluzion të një ekonomie të shëndetshme në kurriz të njerëzve,
që janë tri herë më të varfër sesa mesatarja e qytetarëve të BE-së dhe sapo vijnë e bëhen më të varfër.
Ndryshe nga entuziazmi i qeverisë, mbështetja publike për anëtarësimin në Eurozonë u dëmtua seriozisht në gjysmën e dytë të vitit 2011, pas zhvillimeve të trazuara në Eurozonë.
Regjimi i kursit të varur të monedhës, me të cilin vepron Bullgaria, ka rezultuar të jetë një ndër më të besueshmit. Bullgarët preferojnë që të përdorin monedhën vendase, levën,
në vend të kalimit në euro, edhe pse monedha lokale është e varur tek euro, komentojnë analistët.
Sipas tyre, Europa nuk po arrin që t’u ngjallë besim bullgarëve se do të arrijë të përballojë krizën që po vjen nga barra e paqëndrueshme e borxhit në vende si Greqia, Portugalia dhe Irlanda dhe kriza në Itali.
Si rrjedhojë, mbështetja për përshtatjen e monedhës së përbashkët ka rënë ndjeshëm në krahasim me periudhën 2008-2009.