Në fund të vitit të kaluar, qeveria shpalli një nga nismat më të guximshme, përmes së cilës ajo tha se synonte të luftonte informalitetin: uljen e pragut të Tatimit të Vlerës së Shtuar fillimisht në zero dhe më pas u tërhoq, duke e reduktuar kufirin nga 5 në 2 milionë lekë, efektive nga 1 prilli 2018.
Ndërsa aksionet që çdo qeveri merr për të ulur informalitetin janë gjithnjë të mirëpritura, debati ka qenë shpesh mbi efektivitetin e tyre. P.sh., në muajt e fundit të 2015-s, aksioni më i ashpër i ndërmarrë ndonjëherë në historinë e pas tranzicionit me shumëfishim gjobash, kontrolle të rrepta dhe kërcënime me burg, u kundërshtua nga bizneset dhe, për më tepër, dështoi të sillte më shumë të ardhura dhe qeveria u tërhoq pa zhurmë e bujë, duke nisur nga 2016. Sot, për fat të mirë, kërcënimeve ua kanë zënë vendin bashkëpunimi dhe informimi.
Edhe në rastin e uljes së pragut të TVSH-së, skepticizmi që në fillim ishte i lartë, në dy drejtime: efektivitetit dhe ndikimit që do të kishte te biznesi i vogël. FMN paralajmëroi që një lëvizje e tillë nuk ishte efektive për të luftuar informalitetin, pasi administrata nuk e kishte kapacitetin e nevojshëm të kontrollonte subjektet e vogla dhe të ardhurat që do të vileshin, do të ishin të papërfillshme.
Qeveria nguli këmbë se synimi i uljes së pragut nuk ishte të vilte më shumë para nga të vegjlit, por të mbyllte zinxhirin e TVSH-së dhe të nxiste subjektet e vogla të merrnin fatura te të mëdhenjtë. Shqetësimi tjetër lidhej me efektin që do të jepte barra e shtuar fiskale dhe procedurale te bizneset e vogla, që kanë fitime minimale dhe nuk kanë ndonjë kontribut në buxhet, por kanë efekt mjaft të rëndësishëm në vetëpunësim (Shqipëria ka një normë vetëpunësimi në rreth 36%, që është ndër më të lartat në botë).
Kur kanë kaluar pak muaj nga fillimi i zbatimit të pragut të ri të TVSH-së, të dhënat paraprake po tregojnë se këto shqetësime kanë qenë të drejta, sidomos në drejtim të efektit që ka pasur në luftën kundër informalitetit. “Monitor”, gjatë kontakteve që ka pasur me sipërmarrës nga sektorë të ndryshëm, me qëllim realizimin e analizave sektoriale, u has me shqetësimin e hapur të tyre për mostërheqjen e faturave nga subjektet e vogla.
Këto të fundit janë të prira të deklarojnë sa më pak të ardhura, në mënyrë që të mos e kalojnë kufirin e ri prej 2 milionë lekësh të hyrjes së TVSH-së. Dhe nuk janë pak, janë rreth 60 mijë biznese, që i “shpëtuan” hyrjes fillestare në TVSH dhe po bëjnë çfarë është e mundur që të qëndrojnë jashtë tij. Edhe sipërmarrësit që ishin mbështetësit më të mëdhenj të uljes së pragut e kanë pranuar që ai nuk po sjell efektet e pritura. Kjo vërtetohet dhe nga ecuria e buxhetit, ku të ardhurat nga TVSH e brendshme ishin në rënie, që nga prilli, kur filloi zbatimi i pragut të ri.
Një handikap ishte lënia e një shtegu (2 milionë lekë) që jep sërish mundësinë e shmangies, duke bërë që lëvizja për të luftuar informalitetin të kthehet në një bumerang, pasi praktikisht po e rrit më shumë atë.
Paralelisht me rritjen e informalitetit, edhe frika tjetër duket se po vërtetohet, ajo e mbylljes së subjekteve. Të dhënat zyrtare të Tatimeve tregojnë se numri i subjekteve që kanë kaluar në status pasiv ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë pjesës së parë të këtij viti.
Sipas listës së subjekteve pasive, që përditësohet nga Tatimet, në total numri i subjekteve që kanë kaluar në subjekt pasiv për periudhën 3 janar-31 korrik është 8,081, me një rritje të ndjeshme prej 48% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas shifrave të përpunuara nga “Monitor”.
Me këtë ritëm rezulton se mbyllen 38-39 subjekte në ditë. Mbyllja e subjekteve të vogla është një proces i pashmangshëm si rrjedhojë e riformatimit të modelit të retail të biznesit dhe tkurrjes së konsumit nga ekonomia e ngadaltë dhe gjallërimi i ciklit të emigracionit dhe pragu i TVSH-së, veçse e përshpejtoi këtë dukuri.
Që informaliteti në vend duhet luftuar, kjo nuk është vënë asnjëherë në diskutim.
Të ardhurat buxhetore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto janë rreth 26%, ndër më të ulëtat në Europë dhe pavarësisht reformave, ato kanë ngecur në këto nivele prej vitesh. Ndoshta ka ardhur koha për të hartuar një strategji gjithëpërfshirëse, për të rritur formalitetin në ekonomi, ku qeveria të ulë kokën e të konsultohet me të gjitha palët e interesit, pasi praktika e veprimeve të njëanshme dhe vetëkënaqësisë, po rezulton e dështuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.