Bumi i ndërtimeve, Bashkia e Tiranës, të ardhura rekord nga taksa e infrastrukturës, si i shpenzon paratë

10/05/2019 10:07 PM 0 komente

Teksa kryeqyteti po kthehet në një kantier ndërtimi, Bashkia e Tiranës ka mbledhur 44 milionë euro nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, ose 40% të totalit të të ardhurave të saj nga taksat e tarifat, shumë më tepër sesa parashikonte në planin e saj. Ekspertët e financave vendore pohojnë se varësia nga kjo taksë sinjalizon për dobësi strukturore në autonominë fiskale vendore. 66% e shpenzimeve shkon për paga e harxhime të tjera administrative…

 

Video Shifra & Fakte

Të ardhura rekord nga taksa e infrastrukturës

Vetëm 4% e bizneseve në Shqipëri mendojnë se integrimi në BE është një gjë shumë e keqe, 19% mendojnë se situata do të jetë njësoj dhe 75% e tyre e konsiderojnë…

[shikoni]

Bashkia e Tiranës ka siguruar nga fondet e veta dhe nga transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara rreth 21.6 miliardë lekë të ardhura, ose 173 milionë euro në vitin 2018, duke arritur një nivel rekord, sipas të dhënave që janë publikuar nga projekti i Co-Plan, Financatvendore.al, dhe janë përpunuar nga Monitor.

Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat totale të bashkisë janë rritur me 30%, ndërsa në raport me vitin 2015, janë më se dyfishuar, duke qenë 130% më të larta.

Burimi: FINANCATVENDORE.AL

Nga të ardhurat e veta, që mbledh nga taksat dhe tarifat, Bashkia ka arkëtuar 13.1 miliardë lekë, me një rritje prej 32% në raport me 2017-n, duke përbërë 60.6% të totalit të të ardhurave që bashkia ka pasur në dispozicion gjatë 2018-s (41% nga taksat dhe 19% nga tarifat, në raport me buxhetin total). Pjesa tjetër është siguruar nga transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara nga buxheti i qeverisë qendrore si dhe nga taksat e ndara, që vijnë nga regjistrimi i automjeteve dhe renta minerare, taksa e transferimit të të drejtave të pronësisë.

Në raport me 2015-n, të ardhurat që Bashkia ka mbledhur nga taksat dhe tarifat pothuajse janë trefishuar. Ndikimin kryesor në këtë rritje të ndjeshme të të ardhurave e ka pasur taksa e ndikimit në infrastrukturë, gjatë tre viteve të fundit (2016-2018), kjo taksë është kthyer në kryesoren për Bashkinë e Tiranës për dy arsye, së pari nga rritja e taksës nga 4% e kostos në 8% të çmimit të shitjes dhe së dyti, nga shtimi i lejeve të ndërtimit në Tiranë.

Burimi: FINANCATVENDORE.AL

Në 2018-n, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë arritën në 5.5 miliardë lekë, ose rreth 44 milionë euro, duke shënuar një nivel rekord dhe duke përbërë 42% të të ardhurave totale që Bashkia mbledh nga taksat e tarifat e veta. Bashkia ka arkëtuar nga dhënia e lejeve për ndërtime gati 60% më shumë sesa kishte planifikuar në fillim, teksa në buxhetin fillestar ishte planifikuar që të mblidhte 3.4 miliardë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në Tiranë, për gjithë vitin 2018 u dhanë 388 leje ndërtimi, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, nga 231 vitin e mëparshëm. Numri i lejeve është shumë më i lartë se disa vjet më parë dhe është rekordi, të paktën që nga viti 2005. Më parë, rekordi ishte në 2010-n, me 254 leje në total.

Në rritje më të fortë ka qenë sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi në kryeqytet. Për të gjithë vitin janë dhënë leje me sipërfaqe prej 940 mijë metra katrorë, nga 521 mijë vitin e mëparshëm, me një rritje prej 80%. Vetëm në tremujorin e katërt janë dhënë leje për një sipërfaqe ndërtimi prej 456 mijë metra katrorë, ose 70% e sipërfaqes së dhënë gjithsej në vend për leje ndërtimi për këtë periudhë.

Ekspertët e financave vendore theksojnë se natyra e paqëndrueshme e të ardhurave nga kjo taksë (sezonaliteti dhe përqendrimi i presionit zhvillimor në një numër të kufizuar bashkish, apo qenia subjekt i politikave zhvillimore) dhe mbledhja e mbi 75% e të ardhurave prej saj në tre bashki, sinjalizon për dobësi strukturore në autonominë fiskale vendore.

Zëri i dytë që pritet të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e këtij viti (rreth 17% të totalit) është “Tarifa e pastrimit”, nga e cila janë mbledhur gati 2 miliardë lekë. Më pas renditet “Taksa mbi pasurinë e paluajtshme”, nga e cila janë arkëtuar rreth 1.8 miliardë lekë. Ky zë ka dhe mosrealizimin më të lartë të planit, për vetëm 76%, për shkak se nuk u bë e mundur që të fillonte mbledhja e taksës në bazë të formulës së re mbi vlerën e pronës. Kjo metodë pritet të fillojë të aplikohet këtë vit (Niveli i taksës i shprehur në përqindje, si për ndërtesat që përdoren për banim në masën 0.05%, edhe për ndërtesat që shfrytëzohen për veprimtari ekonomike në masën 0.2%, aplikohet mbi vlerën e ndërtesës).

Së fundmi, Bashkia e Tiranës ka vendosur si agjent për mbledhjen e taksës së pasurisë së paluajtshme, Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë. Brenda katër muajve, të gjithë qytetarët duhet të shkojnë të bëjnë vetëdeklarimin e sipërfaqeve që kanë në pronësi apo përdorim, informacion që më pas do të verifikohet nga Ujësjellësi.

Si rrjedhojë për vitin 2019, Bashkia pret të arkëtojë 2.4 miliardë lekë nga kjo taksë, me rritje 35% nga fakti i këtij viti, ku shtesa më e madhe do të jetë për familjarët, që do të paguajnë më shumë se dyfishin në 2019-n dhe katër herë më shumë deri në vitin 2021 (nga 220 milionë lekë e pritshmja 2018 në 900 milionë lekë në vitin 2021).

 

Shpenzimet, pjesa më e madhe shkon për paga dhe harxhime administrative

Rritja e të ardhurave i ka mundësuar bashkisë që të kryejë më shumë shpenzime, të cilat arritën në 20 miliardë lekë në 2018-n, me një rritje prej 29% me bazë vjetore. Shpenzimet korente përbëjnë 67% të totalit, konkretisht 13.2 miliardë lekë dhe vetëm 6.7 miliardë lekë shkuan për shpenzime kapitale (nga të cilat 2 miliardë lekë për infrastrukturë, gati 3.2 miliardë lekë për shërbime publike dhe 1.2 miliardë lekë për arsimin).
Në raport me një vit më parë, ndonëse ka pasur 30% më shumë të ardhura në dispozicion, shpenzimet kapitale janë rritur me vetëm 7%, ndërsa ato administrative me gati 30%. Kjo ka bërë që pesha e shpenzimeve kapitale të zbresë në 34%, nga 38% vitin e mëparshëm.
Në krahasim me vitin 2015, shpenzimet e personelit janë dyfishuar në 4.8 miliardë lekë, duke përbërë 24% të totalit.

Në vlerë, shpenzimet e personelit ishin sa 71% e atyre kapitale në 2018-n.

 

Burimi: FINANCATVENDORE.AL

 

Varësia nga taksa e infrastrukturës sinjalizon dobësi strukturore

Performanca e bashkive në kahun e burimeve financiare totale vlerësohet të jetë moderuar dhe pozitive në fund të vitit 2018. Përmirësimi në terma agregatë i burimeve financiare në dispozicion të bashkive u ndikua pozitivisht nga rritja e të ardhurave nga burime të veta vendore dhe kontributi i transfertës së pakushtëzuar dhe specifike, analizon portali Financatvendore.al.

Pavarësisht madhësisë së “tortës së burimeve financiare”, struktura e të ardhurave nga burimet e veta vendore mbetet një tregues i rëndësishëm për autonominë fiskale vendore. Gjatë vitit të fundit, raporti i të ardhurave nga burimet e veta vendore ndaj totalit të burimeve financiare, rezulton të jetë 29.1%, vlera më e lartë historike nga viti 2010. Ndonëse në terma të përmbledhur për 61 bashkitë, ky tregues rezulton në përmirësim, analiza e detajuar në nivel bashkie dhe sipas zërave specifikë, sinjalizon për një gjendje delikate të autonomisë vendore. Kështu, përmirësimi i treguesit është përcaktuar nga rritja e të ardhurave në një numër të kufizuar bashkish dhe në buxhetet e tyre, ky përmirësim është diktuar nga rritja e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja.

Natyra e paqëndrueshme e të ardhurave nga kjo taksë (sezonaliteti dhe përqendrimi i presionit zhvillimor në një numër të kufizuar bashkish, apo qenia subjekt i politikave zhvillimore) dhe mbledhja e mbi 75% e të ardhurave prej saj në tre bashki, sinjalizon për dobësi strukturore në autonominë fiskale vendore.

Në të kundërt, të ardhurat nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme sinjalizojnë për ecuri pozitive në vitin e fundit dhe pritshmëri për rritje të peshës të saj në burimet e veta vendore (në vijim të aplikimit të metodologjisë së re bazuar në vlerën e pronës). Në këtë kontekst, do të ishte me vlerë përcaktimi i potencialit teorik të të ardhurave, që mund të mblidhen nga kjo taksë, për të lehtësuar dhe për të monitoruar më tej administrimin e saj nga bashkitë në vend (norma e mbledhjes së taksës ndaj potencialit).

Zgjerimi i shpenzimeve publike vendore vijon të përcaktohet gjerësisht nga ecuria e shpenzimeve korrente (shpenzimeve për personelin dhe atyre operative). Shuarja e efektit të transferimit të funksioneve të reja në vitin 2016, dhe prania e një prirje rritëse në këtë kategori shpenzimesh nuk mbështet një ndër argumentet kryesore në bazë të reformës administrative dhe territoriale: rritjen e eficiencës në ofrimin e shërbimeve publike.

Njëkohësisht, rezulton e vështirë të vlerësohet nëse, rritja e shpenzimeve korrente është përkthyer apo jo në shërbime më të mira për qytetarët. Në kah të kundërt, shpenzimet kapitale rezultojnë të jenë tkurrur gjatë vitit 2018, me fonde të veta dhe të kushtëzuara, analizon portali i financave vendore.

 

 

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of