Bumi i ndërtimeve, Bashkitë mbledhin 1/3 e të ardhurave nga taksa e infrastrukturës, rekord Tirana

15/10/2019 1:32 PM 0 komente

Bashkia e Tiranës mban rekordin për dhënien e lejeve të ndërtimit çka i ka mundësuar asaj arkëtimin nga taksa e infrastrukturës e 3.5 miliardë lekëve në vetëm 6 muaj ose 88 për qind të planit vjetor të të ardhurave nga kjo taksë. Bashkia ka parashikuar në buxhetin e saj 2019 që në zërin e taksës së infrastrukturës të arkëtojë 4 miliardë lekë. Raporti i fundit për financat vendore në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 (www.financatvendore.al), tregon se të ardhurat nga kjo taksë shënuan një nivel prej rreth 4.75 miliardë lekë, rreth 2.4 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

“Përjashtuar të ardhurat për TNI nga bashkia Tiranë, 60 bashkitë e tjera në vend mblodhën rreth 2.9 miliard lekë nga kjo taksë, në rritje me rreth 75.6% në terma vjetorë. Performanca në të ardhurat prej kësaj takse sugjeron për vijimësi të presioneve zhvillimore, ndonëse ky presion është përqendruar kryesisht në bashkinë Tiranë. Zbatimi i Planeve të Përgjithshme Vendore (PPV-ve) nëpërmjet lejeve të reja të ndërtimit, nga një anë, ndikon pozitivisht në rritjen e të ardhurave nga TNI për bashkitë, nga ana tjetër, i vendos ato në një pozicion sfidues për ofrimin e infrastrukturave të nevojshme publike, të cilat gjithashtu kërkojnë financime si në zhvillim fillestar ashtu dhe në mirëmbajtje të vazhdueshme” thuhet në raport.

Dorëlëshuara lidhur me taksën në infrastrukturë janë treguar edhe bashki të tjera si Durrësi apo Kamza. “Në bashkinë Durrës, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja rezulton të jetë zgjeruar nga një nivel prej rreth 61.2 milionë lekë në rreth 192.1 milionë lekë gjatë periudhës në analizë dhe në bashkinë Kamzë nga rreth 55.2 milionë në rreth 147.3 milionë lekë në gjysmën e parë të vitit 2019” thuhet në raport.

I njëjti nënvizon se varësia e bashkive nga kjo taksë paraqet risk për zhvillimin e qëndrueshëm. Sipas tij të hyrat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja vijojnë të përfaqësojnë një burim të rëndësishëm dhe qenësishëm në buxhetin vendor: në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 të ardhurat nga kjo taksë përfaqësuan rreth 50.4% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore dhe rreth 32.2% ndaj totalit të të ardhurave nga burimet e veta vendore. “Këta dy tregues sinjalizojnë për varësi të lartë të buxhetit vendor nga kjo taksë dhe rreziqe të shtuara varësisht natyrës ciklike të saj. Gjithashtu, mund të ndodhë që bashkitë të zhvendosin preferencat për likuiditet në terma afatshkurtër, në kurriz të zhvillimit të qëndrueshëm afatgjatë”  nënvizon raporti.

Të ardhurat nga taksat vendore

Të ardhurat nga taksat përfaqësojnë një burim të rëndësishëm financiar në strukturën e të ardhurave nga burimet e veta vendore. Në terma nominalë, të ardhurat nga taksat vendore regjistruan një nivel prej rreth 9.4 miliardë lekë, në rritje me rreth 37.8% në terma vjetorë. Përjashtuar bashkinë Tiranë, të ardhurat nga taksat vendore shënuan një nivel prej rreth 3.4 miliard lekë, në rritje me rreth 12.9% në terma vjetorë gjatë periudhës në analizë. Ndonëse në terma të përgjithshëm të ardhurat nga taksat vendore rezultojnë të kenë shënuar zhvillime pozitive, një vështrim i hollësishëm mbi elementët përbërës evidenton dobësitë afatgjata apo varësinë ndaj një numri të kufizuar taksash. Në tre vitet e fundit, performanca e të ardhurave nga taksat vendore është përcaktuar nga dy elementë: taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja dhe taksat mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore, truall) të cilat së bashku përfaqësuan rreth 83.5% të të ardhurave nga taksat vendore.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of