Pasojat e pandemisë së COVID-19 te të ardhurat e klubeve gjermane në sezonet 2019/20 dhe 2020/21, përllogariten më shumë se 1 miliard euro, sipas një raporti ekonomik në lidhje me sezonin 2020/21 të Bundesligës.
Krahasuar me sezonin e fundit para pandemik 2018/19, të ardhurat totale të 36 klubeve të Bundesliga dhe Bundesliga 2 ranë më shumë se 750 milionë euro: nga 4.8 miliardë euro në 4.05 miliardë. Hera e fundit që të ardhurat e Bundesliga dhe Bundesliga 2 ishin kaq të ulëta është në sezonin 2016/17 (4.01 miliardë euro).
Në total, rënia e të ardhurave pas dy sezoneve të prekura nga koronavirusi, 2019/20 dhe 2020/21, ishte më shumë se 1 miliard euro.
Duke qenë se pjesa më e madhe e ndeshjeve në sezonin 2020/21 u luajtën pa tifozë, të ardhurat nga ndeshjet – që kryesisht vijnë nga shitja e biletave – u reduktuan me 95% krahasuar me sezonin 2018/19. Në sezonin e fundit para pandemisë, të ardhurat nga ndeshjet ishin 650 milionë euro, ndërsa në sezonin 2020/21, vetëm 35.5 milionë euro.
Të ardhurat totale të gjeneruara nga 18 klubet e Bundesligës u tkurrën më shumë se 8.5%, nga 3,8 miliardë euro në 3,47 miliardë euro, megjithatë 14 klube regjistruan të ardhura më shumë se 100 milionë euro në sezonin 2020/21.
Të ardhurat nga shitja e biletave ranë në 22.4 milionë euro në sezonin 2020/21, ndërsa të ardhurat nga transferimet u reduktuan me gati 126 milionë euro. Në të kundërt, të ardhurat nga të drejtat televizive u rritën, në një rekord historik prej 1.66 miliardë euro në vitin e fundit të kontratës për periudhën e të drejtave kombëtare nga 2017/18 nw 2020/21.
Në lidhje me kostot, për herë të parë që kur Bundesliga nisi të publikojë raportin ekonomik në vitin 2006, në sezonin 2020/21, shpenzimet e klubeve ranë krahasuar me sezonin e kaluar. Shpenzimet totale të klubeve arritën në 3.76 miliardë euro, rreth 200 milionë më pak krahasuar me sezonin e kaluar.
Kursimet u bënë në disa fusha: shpenzimet për transferime ishin 118 milionë euro më të ulëta krahasuar me sezonin e kaluar, ndërsa shpenzimet e tjera – duke përfshirë kryesisht shpenzimet administrative, reklamat, materialet dhe ato operative – u tkurrën me 135 milionë euro.
Megjithatë, pagat e lojtarëve dhe trajnerëve mbetën zëri me koston më të lartë, duke arritur një rekord historik prej 1.57 miliardë eurosh në sezonin 2020/21. Ndërkohë klubet vijojnë të investojnë në të ardhmen sportive – shpenzimet për akademitë nuk kanë qenë kurrë ndonjëherë kaq të larta, duke u rritur me thuajse 4% në 161 milionë euro.
Pavarësisht shpenzimeve më të ulëta, Bundesliga e mbylli sezonin 2020/21 me rezultat neto të përgjithshëm negativ në 288,4 milionë euro krahasuar me 155 milionë euro në sezonin 2019/20.
Megjithatë pesë klube regjistruan fitim, pavarësisht ndikimit të shkaktuar nga pandemia. EBITDA ishte mesatarisht 23.8 milionë euro për klub dhe 428.1 milionë euro në total, me 15 nga 18 klube të cilët raportuan EBITDA pozitive.
Futbolli profesionist gjerman mbetet një kontribuues i madh. Sezonin e kaluar, 36 klubet paguan 1.3 miliardë euro taksa dhe detyrime ndaj autoriteteve financiare dhe institucioneve të sigurimeve shoqërore (2019/20: 1.4 miliardë euro).
Megjithatë, pasojat e ndeshjeve të luajtura pa tifozë janë të dukshme edhe në numrin e personave të angazhuar direkt dhe indirekt në Bundesliga dhe Bundesliga 2, i cili ra me rreth 50% në 26.183 (krahasuar me 52.786 në sezonin).
Vetëm numri i punonjësve indirekt, të cilët punojnë kryesisht në stadium në ditët e ndeshjeve (për shembull në sigurime apo katering), u ul me rreth 80%.
/ Calcio & Finanza & Deutsche Fussbal Liga