Banka Botërore vlerësoi së fundmi ecurinë e projektit për burimet ujore dhe ujitjen në vend duke nënvizuar se ecuria e tij ka qenë e mirë dhe së tashmë me afrimin e datës së mbylljes janë identifikuar katër fusha prioritare.
Sipas Bankës projekti me një vlerë 67 milionë dollarë ka dhënë një ndikim pozitiv si në sistemet e ujitjes ashtu edhe të kullimit për bujqësinë.
“Në përgjithësi, niveli i kompletimit të punëve ishte dukshëm më i lartë sesa pritej dhe projekti është në rrugë të mirë për të arritur objektivat e zhvillimit. Këto objektiva janë arritur në mënyrë thelbësore tashmë. Numri i përdoruesve të ujit përmes shërbimeve të reja ose të përmirësuara të ujitjes dhe kullimit është 31,140 (targeti është 35,000). Përgatitja e parashikuar dhe aprovuar e dy Planeve të Menaxhimit të Baseneve të Lumenjve është arritur plotësisht. Në të njëjtën mënyrë përfituesit direktë nga projekti janë aktualisht 72 mijë dhe me kompletimin e skemës së ujitjes Janjari objektivi për këtë tregues që është (80 mijë) do të arrihet plotësisht e tejkalohet” thuhet në raportin e BB.
Ky i fundit nënvizon se për të përfunduar vlerësimin e projektit, u identifikuan fushat prioritare të mëposhtme të veprimit.
“ Kontrata e sistemit të Ujitjes Janjari kërkon mbështetje intensive të zbatimit për të siguruar përfundimin në kohë. Ekipi rekomandon takime të shpeshta me kontraktorë dhe mbikëqyrësit dhe vizita në terren për të ndjekur progresin e zbatimit dhe për të zgjidhur çështjet në momentin që lindin.
Për të përdorur fondet aktuale të pa zotuara, MBZHR(Ministria e Bujqësisë) /PMT(Ekipi i menaxhimit të projektit) këshillohet të identifikohen aktivitetet e pranueshme që mund të përfundojnë brenda afatit të mbylljes së projektit.
Është e nevojshme që ministria të adresojë në kohë kërkesat e mbylljes së projektit në lidhje me koston e mbikëqyrjes dhe koston e vijimit të aktivitetit të ekipit të menaxhimit të projektit pas datës së mbylljes.
Ekipi i Bankës dhe klienti diskutuan dhe ranë dakord mbi fushat e mundshme vijuese të angazhimit bazuar në planin dhe strategjinë e vetë Ministrisë dokumentet, rezultatet e studimeve analitike në vazhdim, dhe mësimet e nxjerra nga implementimi i vazhdueshëm i projektit” vlerëson BB.
Projekti për burimet ujore u financua përmes një kredie 67 milionë dollarë nga IBRD pjesë e Bankës Botërore dhe fillimisht shuma që u vu në dispozicion ishte 40 milionë dollarë dhe më pas zgjatja e projektit edhe me një fazë të re u shoqërua me një shtesë financimi prej 27.2 milionë dollarë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.