Me orët e gjata të punës, stresit kronik dhe lodhjes në rritje, mund të jetë koha për të riformuluar narrativën e burnout.
Ndërsa burnout ka qenë prej kohësh një fenomen i përhapur në vendin e punës, normat u rritën gjatë pandemisë. Mes izolimit, përgjegjësive dhe një emergjence të shëndetit publik, të dhënat globale tregojnë se më shumë punëtorë raportuan se ndjenin stres dhe lodhje kronike.
Sipas një studimi të marsit 2021 me 1,500 punëtorë amerikanë nga platforma e punës, 67% e të anketuarve besonin se burnout ishte rritur gjatë pandemisë Covid-19.
Megjithatë, tre vite më vonë, nuk ka shumë shenja se burnout po zhduket.
Në botën e re të punës, një pjesë e madhe e fuqisë punëtore ende thonë se po përjetojnë burnout.
Normat vazhdojnë të rriten: në një studim të shkurtit 2023 me 10,243 punëtorë globalë nga instituti amerikan i studimit Future Forum, 42% raportuan burnout, shifra më e lartë që nga maji 2021.
Në teori, aranzhimet fleksibël të punës do të nënkuptonin rritje të ekuilibrit mes punës dhe jetës, produktivitetit dhe mirëqenies për punonjësit.
Bisedat rreth burnout janë rritur dhe kompanitë duket se janë më të gatshme t’u ofrojnë punonjësve përfitime të tilla si, anëtarësimet në palestër dhe shpenzimet e transportit, të cilat, në mënyrë intuitive, duhet të ndihmojnë në zbutjen e faktorëve që shkaktojnë burnout.
Por pavarësisht këtyre faktorëve, raportet e burnout janë ende në rritje – dhe fenomeni nuk mund të lidhet më vetëm me pandeminë.
Ekspertët thonë se mund të ndodhë, që punëdhënësit dhe punëtorët duhet të fokusohen në menaxhimin e burnout, në vend që të synojnë ta eliminojnë plotësisht atë.
Një çështje e kahershme
Burnout ishte një shqetësim në rritje edhe para pandemisë.
Një studim i Gallup i vitit 2018 me 7,500 punëtorë amerikanë tregoi se 67% përjetuan djegie në punë.
Në vitin 2019, Organizata Botërore e Shëndetësisë (World Health Organization, WHO), e përfshiu burnout në Klasifikimin e saj Ndërkombëtar të Sëmundjeve (International Classification of Diseases), duke e përcaktuar atë si një “dukuri profesionale” dhe jo një gjendje mjekësore.
Një studim i majit 2021 nga OBSH dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (International Labour Organization, ILO), sugjeroi se rreth tre të katërtat e një milion njerëzve vdesin çdo vit nga sëmundjet ishemike të zemrës dhe goditjet në tru, për shkak të orëve të gjata të punës.
Shumë punonjës deri më sot, janë ende duke luftuar për të arritur mirëqenien e tyre, përgjatë jetës së tyre personale dhe profesionale.
“Edhe përpara Covid-19, ne pamë se burnout ishte kthyer nga një rrezik profesional në disa profesione me status të lartë dhe me stres të lartë, në diçka që ishte më shumë një problem i shëndetit publik,” shpjegon Alex Soojung-Kim Pang me bazë në Kaliforni, autor i Rest: Why You Get More Done When You Work Less.
Shkaqet kryesore të burnout përfshijnë ngarkesën në punë dhe kulturën toksike. Pang thotë se praktika të tilla në vendet e punës kanë qenë të zakonshme për dekada.
“Shumë kompani kanë ndjerë të drejtën të kërkojnë orë të gjata nga punonjësit e tyre dhe të nxjerrin sasinë maksimale të punës prej tyre, në mënyrë që të përmirësojnë rezultatin.”
Pse burnout po rritet
Kur goditi pandemia, çështjet para-ekzistuese të vendit të punës, si përballja me stresin e përditshëm dhe ankthin e karrierës u përkeqësuan shumë nga pasiguria e vazhdueshme e krizës shëndetësore.
Ndërsa puna në distancë dhe hibride u kanë ofruar punonjësve autonomi më të madhe, fleksibiliteti mund të ketë gjithashtu një çmim.
Ditët e punës janë zgjatur: një anketë e prillit 2022 me 32,924 punëtorë globalë nga Instituti Kërkimor ADP, tregoi se punonjësit punonin 8.5 orë jashtë orarit, të papaguara, çdo javë, krahasuar me 7.3 orë para pandemisë.
“Kjo shumë shpesh mund të nënkuptojë se puna nuk ndalet kurrë,” thotë Pang. “Ju jeni të aksesueshëm kudo që jeni, gjatë gjithë kohës.
Ashtu si burnout, punëtorëve shpesh u lihet përgjegjësia për të rregulluar problemet, që vijnë nga puna fleksibël, të cilën ata shpesh përpiqen ta përshtasin sa më shumë që të jetë e mundur, midis përgjegjësive të shtëpisë dhe punës.
Edhe pse disa punëdhënës e kanë njohur nevojën për të trajtuar mirëqenien e punëtorëve, ata shpesh nuk u ofrojnë atyre burimet e duhura.
Pang citon shembullin e firmave Big Tech dhe përfitimeve të mëdha në vend. “Përfitimet si pastrimi kimik dhe kuzhinierët në vendin e punës, ndihmojnë për të mbajtur punonjësin në zyrë për aq kohë sa të jetë e mundur, në vend që të reduktojnë burnout,” thotë ai.
“Në fakt, po krijon një vend pune të rehatshëm për njerëzit, që të punojnë vetë deri në vdekje.”
Punëdhënësit shpesh nuk adresojnë çështjet themelore që shkaktojnë burnout, thotë Gallagher, në vend të kësaj u ofrojnë punonjësve përfitime që maskojnë vetëm simptomat e tij.
“Të ofrosh punonjësve aplikacione meditimi ose joga herë pas here, nuk është një gjë e keqe, por është një zgjidhje e përkohshme për problemet strukturore: orë tepër të gjata, punë të tepërt dhe pasiguri për fleksibilitetin e punës.”
A mund të përfundojë?
Pang dhe Gallagher thonë se praktikat aktuale të punës nënkuptojnë se burnout, në disa raste, është i pashmangshëm.
Disa ekspertë besojnë se shqetësimet më të mëdha ekonomike, nënkuptojnë se burnout ka të ngjarë të jetë afatgjatë.
“Larg punës, punonjësit gjithashtu duhet të përballen me presione të mëdha të kostos së jetesës,” thotë Gallagher. “Inflacioni po përkeqësohet, po ndodhin pushime nga puna dhe punonjësit janë të shqetësuar se do të humbasin shtëpitë e tyre.
Pra, nuk do të ishte befasuese nëse nivelet e burnout përkeqësohen edhe më tej.”
Kriza e vazhdueshme e kujdesit ndaj fëmijëve dhe paqëndrueshmëria, janë gjithashtu faktor kompleks në të gjithë globin, veçanërisht për prindërit.
Një raport i majit 2022 nga Universiteti Shtetëror i Ohajos, tregoi se 66% e prindërve që punojnë në SHBA, plotësojnë kriteret për djegien.
Por, ndryshimi mund të vijë në formën e legjislacionit. Për shembull, ligjet e reja në Australi tani e klasifikojnë burnout, si një rrezik për shëndetin dhe sigurinë e punës, që do të thotë se shefat janë ligjërisht të detyruar të identifikojnë dhe menaxhojnë rreziqet, që mund të shkaktojnë stres të lidhur me punën.
Megjithatë, masa të tilla mund të kërkojnë kohë, veçanërisht në shkallë globale – dhe nuk ka asnjë garanci, se ato do të bindin punëdhënësit të rishikojnë praktikat e tyre të punës.
Ndërkohë, Gallagher thotë se fleksibiliteti i punës mund të formalizohet më shumë për punëtorët, duke ndihmuar në menaxhimin e ngarkesës së tyre të punës.
Tani për tani, Pang beson se narrativa që rrethon burnout ka nevojë të riformulohet.
“Ideja se mund të eliminohet, është po aq realiste sa të mendosh, se mund të zgjidhim ekuilibrin punë-jetë njëherë e përgjithmonë,” thotë ai.
“Në vend të kësaj, ne duhet të kuptojmë nëse sakrificat, që na vënë në rrezik të burnout, ia vlen t’i bëjmë për hir të punës dhe karrierës sonë.”
Duke ecur përpara, ekspertët ende thonë se qëllimi duhet të jetë ende çrrënjosja e burnout.
Edhe nëse mund të jetë jorealiste, ndjekja e kësaj çështje mbetet e vlefshme: mund të ndihmojë në uljen e efekteve më të dëmshme të saj, si dhe do të thotë që më pak punëtorë mund ta përjetojnë atë. / BBC