Flet Bruno Papaj, CEO i Vega Solar
Marrja e lejeve të nevojshme për vendosjen e një impianti dhe lidhjen e tij në rrjet vijon të jetë sfiduese për kompanitë e tregut.
Bruno Papaj, CEO i Vega Solar, pohon se pavarësisht se janë bërë disa hapa pozitivë në drejtim të fotovoltaikëve, ka ende aspekte që mund të përmirësohen. Burokracitë e shumta shërbejnë si frenim në disa raste, ndaj eliminimi apo thjeshtimi i tyre mund të japë ndikim pozitiv të përgjithshëm në sektor.
Po flitet gjerësisht për krizën energjetike dhe nevojën për diversifikim të vendit? Ju si kompani a shihni rritje të interesit për instalimet fotovoltaike së fundmi?
Kriza e energjisë elektrike është tema e momentit dhe të gjithë janë trembur nga pasojat negative që kanë filluar të ndihen në treg. Shqipëria, për fat të keq, është pjesë e krizës dhe ndikimi ka filluar menjëherë dhe kjo shihet në rritjen e çmimit të energjisë për bizneset.
Si rrjedhojë, konsumatorët i hodhën sytë në zgjidhje alternative dhe eficiente, siç është prodhimi i energjisë elektrike me anë të energjisë diellore. Që pas deklaratës së kryeministrit, për paralajmërimin e krizës, kërkesat janë shtuar shumë dhe aktualisht ne jemi duke zgjeruar stafin për të përballuar fluksin.
Cila është kategoria që ka më shumë interes? A janë bizneset e mëdha, apo ato të mesme e të vogla? Po familjarët?
Momentalisht kemi pasur rritje interesi nga të gjithë, por më kryesoret janë bizneset e mëdha, pasi kanë shpenzime të mëdha nga konsumi i lartë i energjisë. Kthimi i investimit për bizneset është shumë i shpejtë, 3-4 vjet, por duke marrë në konsideratë rritjen e çmimit të energjisë, pritet që koha e kthimit të investimit të arrijë deri në 2-3 vjet.
Panelet fotovoltaike kanë një garanci prodhimi prej 25 vjetësh, çfarë i bën shumë tërheqës në sytë e një investitori, i cili do të rrisë kursimet për të paktën 21 vjet. Është i kuptueshëm interesimi i lartë.
Ka një rritje të kostos që erdhi si reflektim i post-pandemisë sa i takon transportit. A e ka prekur sektorin e fotovoltaikëve, e lidhur ngushtë me logjistikën, transportin dhe vonesat?
Ashtu si shumë sektorë të tjerë, edhe sektori ynë është duke vuajtur pasojat e post-pandemisë. Kostot e transportit në momentin që flasim janë trefishuar dhe si pasojë, edhe kostot e produkteve kanë shënuar rritje. Produktet tona vijnë nga Europa dhe logjistika është një nga hallkat kryesore të punës sonë.
Pas pandemisë, kërkesa për impiante fotovoltaike u rrit në mënyrë drastike kudo, por fabrikat nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm për këtë bum kërkesash. Këta dy faktorë kanë çuar në vonesa dhe pritje të gjata për ardhjen e produkteve. Ne jemi duke porositur sasi të madhe paraprakisht, për të mbuluar sa më tepër projekte, sepse produktet shiten shumë shpejt dhe koha mesatare për ardhjen e tyre është 2-3 muaj.
Që nga viti 2017, në vendin tonë ka hyrë në fuqi ligji për burimet e rinovueshme, por mungojnë disa hallka të rëndësishme që ta bëjnë tërësisht tërheqës dhe funksional atë, siç është rasti i tepricave. Në çfarë faze janë negociatat me autoritetet që do t’i bënte të leverdishme investimet, pasi kthimi bëhet në një kohë më të shpejtë?
Në lidhje me legjislacionin, ka ende disa pika që duhet të hyjnë në fuqi në mënyrë që të funksionojë sa më mirë implementimi i energjisë diellore në tregun tonë. Së bashku me disa kompani të tjera që operojnë në të njëjtën fushë, kemi krijuar një grup në të cilin ngremë problematikat e sektorit tonë dhe përpiqemi t’u japim zgjidhje.
Para pak ditësh i kemi dërguar kërkesë me shkrim Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, OSHEE dhe ERE-s, të plotësohen propozimet tona për ndryshimet në ligj. Për këtë është vënë në dijeni dhe Kryeministri që ta kalojë si çështje me rëndësi të lartë. Në faqet tona zyrtare është e publikuar letra e plotë dhe propozimet për të përmirësuar situatën. Tani jemi në pritje të një përgjigje dhe urojmë të jetë pozitive.
Si mund të nxitet me instrumente dhe politika konkrete orientimi drejt impianteve fotovoltaike për bizneset dhe familjarët nga përvojat që njihni edhe për vende të tjera?
Ka shumë politika që mund të ndiqen për të arritur një situatë të favorshme për fotovoltaikët. Duke marrë parasysh situatën e Shqipërisë, kalojnë në prioritet disa pika. E para është zbatimi i bilancit vjetor të energjisë elektrike të prodhuar nga impiantet fotovoltaike për vetëkonsum.
Bilanci për momentin bëhet mujor dhe tepricat që prodhohen kryesisht gjatë verës “humbasin”. Me anë të bilancit vjetor, konsumatori mund të shfrytëzojë tepricën e energjisë dhe ta përdorë gjatë periudhave që prodhimi është më i ulët. Një tjetër ndryshim është krijimi i një platforme online, për të aplikuar për lejen për lidhjen me rrjetin.
Thjeshtësimi i procedurave për impiantet e vogla do të përshpejtonte ndjeshëm procesin e punës. Me procedurat e tanishme, koha dhe mundimi për marrjen e lejeve është e njëjtë si për një impiant me fuqi 3 kWp dhe për një impiant me fuqi 300 kWp. Jo çdo politikë që përdoret në shtetet e tjera është e vlefshme dhe për vendin tone, prandaj ne kemi listuar propozimet në bazë të kushteve të Shqipërisë.
Impiantet deri në 500 kWp janë të dedikuara për vetëkonsum dhe shihen si një praktikë nga e cila biznesi mund të përfitojë, por nga kontaktet që ne kemi me një pjesë të mirë të tyre, ata shprehen se 500 kWp është sasi e vogël, ndërkohë që ka edhe burokraci gjë që i frenon të bëjnë investimin. Ju e hasni ketë problematikë?
Po është e vërtetë. Edhe ne kemi pasur projekte, të cilat i kemi vendosur brenda limitit, edhe pse klienti ka pasur nevojë për më tepër. 500 kWp nuk është mjaftueshëm për bizneset e mëdha si fabrikat për shembull. Sipas ligjit aktual, nëse kalohet kjo fuqi, duhet marrë leje tjetër dhe nuk konsiderohesh më prodhim për vetëkonsum. Ne e kemi shtruar si problematikë dhe jemi në pritje të një reagimi nga ana e Ministrisë.
Si e shihni sot funksionimin e tregut, nëse flasim për plotësimin me hallka nga financimi tek ofrimi i projekteve dhe instalimi i tyre. A janë këto të gjitha të plotësuara. Po informimi i publikut për përfitimet që mund të merren nga shfrytëzimi i energjisë diellore?
Vitin e fundit ka pasur një përmirësim të konsiderueshëm në procesin e implementimit të impianteve fotovoltaike. Sigurisht që ka vend për përmirësim, por hallka kryesore, e cila ka nevojë të ndryshojë është legjislacioni. Proceset e marrjes së lejeve përkatëse për punimet dhe hedhjen e energjisë në rrjet kërkojnë shumë kohë dhe procedura burokratike. Për më tepër ka ende disa pika që nuk janë plotësuar, sikurse thashë pak më parë.
Aspekti financiar ka qenë problem për një pjesë të mirë të konsumatorëve, por sot ofrohen financime me kushte lehtësuese për investimet në sektorin fotovoltaik, si për biznesin, dhe për familjarin. Agrobiznesi gjithashtu ka pasur një mbështetje financiare nga fondet europiane. Shqipëria është ende një treg i ri dhe ka nevojë për shumë punë për të informuar të gjithë publikun për këtë teknologji dhe për përfitimet e mëdha që vijnë nga një investim i tillë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.