Bursa Shqiptare e Energjisë (ALPEX) është në fazën finale të përcaktimit të modaliteteve mbi produktet që do të tregtohen dhe karakteristikat e tyre duke i hapur kështu më pas rrugë përcaktimit të kostove dhe tarifave.
Sokol Dishnica nga ALPEX tha për “Monitor” se afati i dhënë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë që është 23 nëntori i këtij viti për të nisur operimin normal mbetet në fuqi dhe se puna me konsorciumin grek për të cilën ka një kontratë mbi platformën po vijon sipas parashikimeve.
“Konsorciumi sëbashku me Bursën Shqiptare bazuar në kontratën që nënshkruam është duke përshtatur në platformë zgjedhjet që i përshtaten më mirë karakteristikave të tregut shqiptar që lidhet drejtpërdrejt me operimin e sistemit të transmetimit. Ndërtimi i Bursës është një proces kompleks që nuk përbën vetëm sfidën financiare por edhe atë teknike.
Ne presim që në 23 nëntor të nisë operimi sikurse është thënë më herët ndërsa periudhë dry-run pra ajo e simulimit të jetë në shtator, tetor. Platforma do jetë gati dhe do të testohet me pjesëtarët e tregut që do të vijnë pranë nesh dhe do të pajisen me autorizimet përkatëse.
Jemi brenda afateve edhe detyrave që ka paracaktuar kontrata. Interesi ka qenë gjithmonë për bursën dhe pjesëmarrësit potenciale janë në pritje. Një pjesë e tyre janë të familjarizuar me bursën dhe aktivë në bursa të tilla si ajo e Greqisë për aktivitetin e tyre ndaj do të jetë një proces i zakonshëm” sqaroi Dishinca.
Sipas tij faza e radhës që do të pasojë këtë ku ndodhet aktualisht ALPEX është përcaktimi i kostove dhe tarifave që do të kenë pjesëmarrësit për të hyrë në këtë bursë dhe për të marrë pjesë aktive në transaksione.
Bursa e Energjisë është një projekt që nënvizohet prej vitesh por që finalizimi i saj ka qenë i vështirë duke e zvarritur projektin. Kjo hallkë e tregut ka marrë një rëndësi të veçantë sidomos viteve të fundit kur është kërkuar me ngulm për t’u bërë funksionale edhe për shkak të procesit të liberalizimit.
Nga viti 2018 në treg të lirë dolën mbi 90 biznese të lidhur në tension 35 kilovolt teksa në janar të këtij viti këtij grupi ju bashkuan edhe 7500 të tjerë në tension 20,10,6 kv. Po kështu interes për bursën kanë shfaqur edhe prodhuesit e energjisë ku janë një sërë kompanish që janë prodhues të pavarur apo prodhues me përparësi që mund të shohin interes për të dalë nga marrëveshja e rregulluar me shtetin. / N. Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.