Bursa Shqiptare e Energjisë, e cila me planin fillestar duhet të kishte nisur operimin në 1 janar 2018, mbetet një projekt mes letrash. Qeveria kaloi së fundmi vendimin për strukturën aksionere, që është një hap para drejt projektit, por mbetet ende i pamiratuar një vendim i dytë për mënyrën si do të zgjidhen aksionerët që të konsiderohet e mbyllur pjesa e kuadrit ligjor.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë konfirmon se vendimi është gati, por do të bashkërendohet me ministritë e linjës. Pavarësisht hapave të hedhur sot, nuk ka një afat të saktë se kur do të jetë operacionale Bursa. Sekretariati i Komunitetit të Energjisë nënvizon se shtatori 2019-s, i dhënë si afat nga qeveria, me shumë gjasa nuk do të realizohet.
Nga Nertila Maho
Bursa Shqiptare e Energjisë vijon të mbetet një projekt mes letrash, por teksa ka pasur vonesa të vazhdueshme për miratimin e kuadrit ligjor që do ta çojnë atë drejt bërjes operacionale, duket se së fundmi ka një angazhim të ri për ta çuar para. Në mesin e muajit maj, qeveria kaloi vendimin “Për krijimin dhe përcaktimin e formës ligjore dhe të strukturës së pronësisë së kapitalit të operatorit të tregut”.
Vendimi u miratua në kushtet kur në raportin e fundit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, u kritikua me nota disi më të ashpra se më parë, ecuria e ngadaltë e procesit. “Vendimi i Këshillit të Ministrave, për ngritjen e një Burse të Energjisë, nuk u adoptua sërish, çka vonon edhe më shumë krijimin e saj. Për pasojë, plani për të lançuar Bursën e Energjisë në fund të shtatorit 2019, me shumë gjasa nuk do të realizohet. Me shtyrjen e vazhdueshme, qeveria shqiptare po humb besueshmërinë sa i takon këtij projekti”, – thuhet në raportin e Sekretariatit.
Menjëherë pas njoftimit nga pala shqiptare se, vendimi që përcakton strukturën aksionere të Bursës ka kaluar, Sekretariati reagoi në një njoftim për shtyp, duke theksuar se tashmë tre vende, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi po avancojnë drejt ngritjes së tregut sipas parimit një ditë më parë. Sipas planit fillestar, lidhur me reformat në sektorin energjetik, Bursa Shqiptare e Energjisë parashikohej që të ishte funksionale brenda 1 janarit 2018, ndërkohë që me planin e fundit të rishikuar, parashikimi ishte për shtatorin e këtij viti.
Vetë institucionet shqiptare e kanë të vështirë të konfirmojnë një afat të saktë se kur do të mund të bëhen pjesë aktive e Bursës Shqiptare të Energjisë operatorët e tregut, nga furnizuesit te prodhuesit, për t’u listuar dhe për t’u kryer transaksione. Për të kaluar në këtë fazë, duket se ka ende rrugë për të bërë, duke qenë se nuk është miratuar i gjithë kuadri ligjor.
Raporti i Sekretariatit të Energjisë, kritika të forta për sektorin
Raporti periodik i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, që vlerëson avancimin e reformave të sektorit të energjisë, për gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, në publikimin e majit kishte nota të forta kritike për qeverinë. Si asnjëherë më parë, kritika ishte e drejtpërdrejtë, sidomos për pikën e Bursës së Energjisë. Kjo hallkë konsiderohet kyçe në të gjithë procesin e ndryshimit të modelit të tregut, të nisur që me miratimin e ligjit “Për sektorin e energjisë elektrike” në vitin 2015. Me bursën lidhen elemente të tjera të rëndësishme të reformimit të sektorit, ku së pari ai i liberalizimit, i cili ka mbetur ende te konsumatorët e lidhur në 35 kilovolt, por që sipas planit, do të shtrihet deri te konsumatorët e lidhur në tensionin 6 kilovolt. Në fakt, moskrijimi i tregut të një dite më parë ka shumë gjasa që ta lërë Shqipërinë jashtë projekteve të rëndësishme, sikurse thotë raporti i fundit i Sekretariatit.
“Vonesa në krijimin e Bursës Shqiptare të Energjisë paraqet një pikë të madhe bllokimi për bashkimin e tregut të një dite më parë të Shqipërisë me tregjet fqinje. Nuk është bërë asnjë përparim për bashkimin e tregut mes Shqipërisë dhe Kosovës, që nga tetori 2018, kur grupet e punës adoptuan planin që do të ndiqej. Sipas Memorandumit të Mirëkuptimit, lidhur me bashkimin e tregut të një dite më parë, nënshkruar mes operatorëve të sistemit të transmetimit dhe autoriteteve rregullatore respektive të vendeve, në gusht 2018, bashkimi i këtyre dy tregjeve do të finalizohej në qershor 2019. Shqipëria po merr pjesë në projektin për bashkimin e tregut me atë të Italisë, Malit të Zi dhe Serbisë, çka ngritja e tregut kombëtar të një dite më parë është një parakusht. Nuk është adoptuar ndonjë plan konkret për zbatimin e kësaj pike dhe projekti, me shumë gjasa, do të ecë para pa Shqipërinë”, – thuhet në raport.
Nga ana tjetër, lidhur me liberalizimin si një hallkë tjetër e lidhur direkt me Bursën, Sekretariati nënvizon se konsumatorët e lidhur në 35 kilovolt nuk kanë dalë për të gjetur të vetëm furnizuesin, pasi amendimi i ligjit në 2018-n, që e shtyu me dy vjet opsionin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit, dha efektet e veta. Kjo automatikisht shtyu hapjen e tregut dhe sipas raportit, cenohet e drejta e klientit. Raporti e vë theksin edhe te marrëveshja mes KESH dhe OSHEE për kontratat e shitjes së energjisë që i cilëson “antikonkurruese”, të cilat janë shtyrë për një kohë të gjatë.
Miratohet struktura aksionere, por mungon vendimi për mënyrën si do të zgjidhen
Pavarësisht avancimit të ngadalë të projektit të Bursës së Energjisë, qeveria kaloi së fundmi vendimin që përcakton strukturën aksionere të kësaj shoqërie, si dhe kapitalin minimal fillestar. Referuar VKM, nënvizohet se pjesëtarë në strukturën e pronësisë së kapitalit të Operatorit të Tregut mund të bëhen edhe persona të tjerë juridikë, përveç Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë.
Të tillë mund të jetë Operatorë të tjerë të Sistemit të Transmetimit (TSO) dhe që operojnë në Bashkimin Europian, ose në vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë. Operatorë me aktivitet ndërkombëtar, me përvojë në operimin/menaxhimin e tregjeve të shkëmbimit të energjisë elektrike të themeluar dhe që operojnë në Bashkimin Europian, ose në vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë, në përputhje me rregullat dhe modelin e tregut të energjisë elektrike në Shqipëri (më poshtë referuar si “Operatorët me Eksperiencë Ndërkombëtare” ose OEN).
Mund të bëhen pjesë e bursës edhe subjekte pjesëmarrëse në tregun e energjisë elektrike, me përvojë në tregtimin e energjisë elektrike në Bashkimin Europian, ose në vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë (më poshtë referuar si “Pjesëmarrësit e Tregut të Energjisë” ose PTE, por edhe Institucione Financiare Ndërkombëtare (më poshtë referuar si IFN).
Vendimi i qeverisë saktëson se pavarësisht se kush bëhet pjesë e strukturës aksionere që zotëron kapitalin në Bursën e Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit do të ketë dominimin me 55.5% të kapitalit. Operatorët me Eksperiencë Ndërkombëtare mund të kenë jo më shumë se 24.5% të kapitalit, Pjesëmarrësit e Tregut të Energjisë jo më shumë se 10% të kapitalit dhe Institucionet Financiare Ndërkombëtare, jo më shumë se 10% të kapitalit. Kapitali minimal fillestar është caktuar sipas vendimit të qeverisë, jo më pak se 250 milionë lekë. Por edhe pse tashmë ka kaluar vendimi për strukturën aksionere, mbetet një vendim tjetër që të plotësohet e gjithë korniza ligjore. Ky vendim ka të bëjë me specifikimin e kushteve sesi do të zgjidhen aksionerët në Bursë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë konfirmon se ka thuajse vendimin e dytë që do të bashkërendohet me ministritë e linjës dhe më pas do të kalojë në qeveri. “Sapo ky vendim të kalojë në Këshillin e Ministrave, do të zhvillohet një procedurë e hapur ndërkombëtare për përzgjedhjen e operatorëve potencialë, ku sigurisht do të merren për bazë përqindjet e aksioneve të përcaktuara në kuadrin ligjor. Këta aksionerë, së bashku, do të hartojnë aktin e themelimit, statutin e përbashkët dhe më pas do të bëjnë derdhjen e kapitalit në përputhje me përqindjen e aksioneve në Qendrën Kombëtare të Biznesit”, – sqaron Enea Karakaçi, drejtor juridik në MIE.
Çfarë është tregu i një dite më parë, modeli që ka zgjedhur Shqipëria
Krijimi i Bursës Shqiptare të Energjisë nuk u mendua si një proces i thjeshtë, ndaj asistenca ndërkombëtare ka qenë e pranishme. Korporata Ndërkombëtare Financiare dhe kontraktori i saj, Nord Pool, kompani norvegjeze me përvojë të gjerë në bursat e energjisë në Europë, kanë ofruar vazhdimisht këshillimin e tyre. Do të ishte pikërisht kompania norvegjeze që bashkë me qeverinë, do të dilnin në modelin më të përshtatshëm për tregun shqiptar, i cili është “tregu i një dite më parë”. Por çfarë nënkupton ky lloj model.
“Tregu i një dite më parë është arena kryesore për shitjen e energjisë. Këtu bëhen kontratat mes shitësve dhe blerësve për energjinë elektrike që do të konsumohet një ditë më pas, vendoset çmimi dhe bihet dakord me tregtimin”, sqarohet nga Nord Pool, në faqen e saj zyrtare. Në një bursë tipike si kjo, kryesisht tregtimi ditor udhëhiqet nga planifikimi i konsumatorit. Një blerës apo biznes publikon konsumin që ka planifikuar për të nesërmen dhe se sa është i gatshëm të paguajë për këtë energji, sipas fashave orare. Një shitës, nga ana tjetër, që ka një hidrocentral, publikon ofertën se sa energji mund të prodhojë dhe shesë orë pas ore dhe vendos edhe çmimin ku piku është gjithmonë me çmim më të lartë. Platforma e bursës reflekton ofertat e bëra nga njëra palë për palën tjetër, deri në mbylljen e orarit kur mund të bëhen këto oferta.
Përmes platformës elektronike bëhet një kryqëzim i të dhënave për çmimet e ofruara për sasitë e energjisë të disponueshme për shitje dhe çmimeve të ofruara për blerjen e sasive të energjisë së kërkuar. Çmimi vendoset kur kurba e çmimit të shitjes dhe atij të blerjes takohen. Sapo llogariten çmimet e tregut vendosen edhe kontratat, ndërkohë që shpërndarja e energjisë bëhet nga 00:00. Nord Pool sqaron gjithashtu se kërkesa dhe oferta janë kyçe në përcaktimin e çmimit, por transmetimi luan gjithashtu një rol të rëndësishëm. Kur kapaciteti i transmetimit është i kufizuar dhe kërkesa për energji mbetet e lartë, çmimet rriten në mënyrë që të ketë ulje të kërkesës për zona të caktuara.
Si do të funksionojë Bursa e Energjisë dhe zgjedhja e aksionerëve
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.