Aksionet e Wall Street kanë shënuar këtë javë rënien më të lartë që nga kulmi i krizës financiare 2008, si rrjedhojë e rritjes së shqetësimit të investitorëve për shpërthimin e koronavirusit, shkruan Financial Times.
S&P 500 ka rënë më shumë se 9 për qind që nga fundi i javës së kaluar, tkurrja më e thellë që nga tetori 2008. Rënia e kësaj jave mund të renditet si e 28-a më e larta në histori, që prej vitit 1928, sipas të dhënave të Refinitiv.
Aksionet europiane kanë pasur një rënie të ngjashme këtë javë, me treguesin referencë për kontinentitn, Stoxx 600, i cili ka rënë më 9 për qind. Ky tregues nuk kishte rënë me këto ritme që kur filloi kriza e borxheve të eurozonës në 2011.
Investitorët po shqetësohen gjithnjë e më shumë rreth faktit se sa virusi do të ushtrojë presion negativ mbi rritjen globale ekonomike dhe do të godasë zinxhirët e kompanive. Banka e Amerikës Merrill Lynch tha të enjten se ekonomia botërore do të rritet vetëm 2.8 për qind këtë vit, ritmi më i tkurrur në epokën pas krizës.
Goldman Sachs ka thënë, ndërkohë, që pret që të ardhurat e korporatave amerikane të ngecin këtë vit, pasi më parë kishin parashikuar rritje në fitimet e korporatave të Amerikës.
“Parashikimet tona të reduktuara reflektojnë rënien e rëndë të aktivitetit ekonomik kinez në tremujorin e parë, uljen e kërkesës fundore për eksportuesit amerikanë, ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit, një ngadalësim të aktivitetit ekonomik të SH.B.A. dhe rritjen e pasigurisë,” tha banka Wall Street.
Anulime eventesh nëpër Europë
Zvicra ka anuluar ngjarjen e saj më të madhe vjetore të sportit masiv – Maradin e Skive Engadin – për shkak të epidemisë së koronavirusit.
Maratona e Skive, e cila tërheq normalisht më shumë se 14,000 pjesëmarrës, zhvillohet në 42 km përgjatë gjatësisë së luginës së sipërme të Engadin në kantonin jugor zviceran të Graubünden.
Konferenca kryesore vjetore e pasurive të paluajtshme e Mbretërisë së Bashkuar dhe e industrisë evropiane, Mipim, do të mbahet në Kanë nga 10-13 Mars, e shoqëruar me jahte dhe festa me shampanja. Ky event pritej të tërhiqte 26.800 pjesëmarrës, por shumë po anulojnë pjesëmarrjen.
Efekti po ndihet në tregtinë me pakicë
Prodhuesi i këpucëve Crocs ka paralajmëruar se të ardhurat do të goditen këtë vit deri në 60 milion dollarë – ose rreth 5 përqind – pasi virusi shkaktoi mbylljen e dyqaneve në Kinë dhe blerësit në të gjithë Azinë vendosin të qëndrojnë në shtëpi.
L’Oréal ka pezulluar udhëtimin për të gjithë punonjësit deri në fund të marsit, duke u bërë kompania më e fundit që kufizon udhëtimin e biznesit si një masë paraprake mes shpërthimit të koronavirusit.
Rastet e viruseve në Itali rriten në 528
Numri i fundit i infeksionit në Itali është rritur në 528, me dy persona të tjerë që dyshohet se kanë vdekur nga virusi, kanë njoftuar autoritetet italiane.
Dy vdekjet e reja po inspektoheshin nga autoritetet shëndetësore të Italisë përpara se të konfirmoheshin si të shkaktuara nga koronavirus, tha Angelo Borrelli, kreu i agjencisë së mbrojtjes civile.
Ai shtoi se 37 persona që kishin rezultuar pozitivë në Lombardi ishin shëruar.