Edhe për vitin 2013, qeveria vendos parashikime të ardhurash më të larta sesa realiteti dhe ecuria e deritanishme. Sa do të mblidhen, raporti me vendet e rajonit dhe gropa e sigurimeve…
Në vitin 2010, qeveria planifikoi se do të mblidhte 360 miliardë lekë, por në fakt mblodhi 324 miliardë lekë, ndërsa në korrik e shkurtoi buxhetin me afro 39 miliardë lekë (duke rishikuar edhe planin e të ardhurave, që sërish nuk e realizoi).
Pas katër vitesh (2009-2012) me mosrealizime planesh dhe rritje mesatare 4 për qind, për buxhetin e vitit 2013, Ministria e Financave vendos sërish një plan prej 360 miliardë lekësh, ose 5.7 për qind më shumë se plani fillestar i vitit 2012, gjithnjë duke i qëndruar pritshmërisë për këtë vit që po ikën.
Opozita e ka konsideruar të tepruar planin, edhe pse duhet thënë se ambicia për rritje të ardhurash me 5.7 për qind duket më në “këmbë në tokë”, kur dy vjet më parë, qeveria thoshte se do të realizonte rritje me 10 për qind. FMN e kundërshtoi me të parën, duke i sugjeruar të vendosin norma të paktën 6-7 për qind. Historia, nisur nga ecuria, tregon se planet e tepruara me parashikime të bollshme mbi të ardhurat, kur janë përballuar me realitetin e zhvillimeve ekonomike, kanë shkaktuar rishikime objektivash në mes të vitit, duke sjellë ulje të shpenzimeve, për rrjedhojë ngadalësim të investimeve. Këtë shqetësim e ka ngritur disa herë FMN, por edhe ekspertët, pasi sipas tyre, një plan i mirëvendosur çon me sukses realizimin e objektivave, kurse euforia e tepërt, nuk sjell gjë tjetër vetëm bllokim të investimeve, për shkak të shpenzimeve të reduktuara nga rishikimi i buxhetit, sikurse ndodhi në tre vitet e fundit (në 2012, buxheti po hyn në fazën e tretë të shkurtimeve, pasi të ardhurat nuk rezultojnë në përputhje me planet e rishikuara).
Pavarësisht ecurisë, Ministria e Financave thotë se për vitin 2013 do ta realizojë objektivin, për të pasur më shumë të ardhura, ose më saktë pranë planit të vendosur. Mbi bazën e këtij plani, hartohet edhe buxheti i shpenzimeve dhe natyrisht çdo dështim i tij, sjell efekte negative në stimulin fiskal.
Debati mbi të ardhurat e synuara lidhet me planin e rritjes ekonomike, e cila parashikohet të jetë 4 për qind, kur në vitet e kaluara pas krizës, është 3 për qind, gjithnjë, edhe këtu me rishikime (skenarët e 2012-s flasin për rritje jo më të lartë se 2 për qind në raport me PBB-në). Pra, qeveria pret një rritje me 4 për qind, duke u bazuar në disa zhvillime pozitive të vendit, nga ku rrjedh më tej logjika e saj për më shumë të ardhura, të cilat në vitin 2013 do të jenë 25.2 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (më pak se vitet 2008-2011), kurse 2012-a vërtitet tek 25 për qind (parashikimi). Pra, rritje të ardhurash do të kemi, por jo në raport me PBB-në dhe ndoshta jo për ndonjë zhvillim interesant-pozitiv të 2013-s, por thjesht si forcë normale e stadit ekonomik. Duhet thënë se këto parashikime janë bërë pa përfshirë të ardhurat nga privatizimi i “Albpetrol”, të cilat mund të jenë 850 milionë euro, ose gati sa 27 për qind e buxhetit të parashikuar për vitin 2013, rreth 3 miliardë euro (409 miliardë lekë).
Të ardhurat, gjysma nga taksat mbi konsumin
Pjesa më e madhe e të ardhurave në buxhet, edhe për vitin 2013 do të vijojë të jetë nga taksat mbi konsumin (quhen të tilla pasi barrën e tyre e mbart konsumatorit), TVSH, me përkatësisht 35% të totalit të të ardhurave dhe akciza me rreth 12%. Në krahasim me buxhetin e vitit 2004 ka një rritje te peshës ndaj totalit të të dyja këtyre taksave.
Ulja e tatim fitimit nga 20% në 10% rreth 5 vjet më parë ka bërë që pesha e këtij zëri në buxhet të bjerë nga 9% në 2004 në 5% në projekt buxhetin 2013. Kjo është kompensuar disi nga rritja e peshës së tatimit mbi të ardhurat personale.
Teksa Shqipëria po zbaton marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në Organizatën Botërore të tregtisë, është tkurrur pesha e të ardhurave doganore nga 9% në 2004, në rreth 2% aktualisht.
Më ulët në rajon, keq kontributet
Të ardhurat tatimore në vendet e rajonit (Maqedoni, Mali i Zi, Bullgari, Serbi), sipas projektbuxheteve përkatëse për vitin 2013, të publikuara nga Ministritë e Financave të secilit vend janë mesatarisht 33 për qind e PBB-së, ose 8 pikë përqindje më të larta se ato të planifikuara në projektbuxhetin shqiptar të vitit 2013. Natyrisht, në rast se do të kishim llogaritur në buxhet këtë normë rritje, pra plus 8 pikë për qind, atëherë të ardhurat do të ishin të paktën 700 milionë euro më shumë.
TABELA
Tregues kryesorë të buxhetit 2013, sipas vendeve | ||||
të ardhurat (% ndaj PBB) | shpenzimet (% ndaj PBB) | deficiti (% ndaj PBB) | Borxhi publik (% ndaj PBB) | |
Bullgaria |
37.5 |
38.8 |
-1.3 |
18.7 |
Mali i ZI (2012) |
34.2 |
38.3 |
-4.1 |
46.8 |
Serbia |
25.9 |
29.2 |
-3.3 |
65.2 |
Maqedonia |
35 |
38.5 |
-3.5 |
30.6 |
Shqipëria |
25.2 |
28.6 |
-3.4 |
62.4 |
Burimi: Ministritë e Financave të vendeve përkatëse |
Por, si shpjegohet kjo moseficiencë në drejtim të të ardhurave buxhetore? Zëri që mblidhet dukshëm nën mesataren e rajonit është ai i të ardhurave nga sigurimet shoqërore e shëndetësore, që dëshmon për nivelin e lartë të informalitetit të punës në vend. Edhe përpjekjet e fundit të qeverisë, si nëpërmjet uljes së kontributit të sigurimeve që paguhen nga punëdhënësi (me 5 pikë përqindje), nuk kanë arritur të sjellin këtë tregues në një nivel më të lartë se 4.1% të PBB-së, në një kohë që në vendet fqinjë, ai është gati dy herë më i lartë. Nga ana tjetër, niveli i kësaj takse vijon të mbetet ndër më të lartët në rajon, pavarësisht uljes së vazhdueshme gjatë viteve të fundit.
Për shkak të informalitetit të punës, buxheti i shtetit paguan mesatarisht çdo vit 30 miliardë lekë në formë subvencionesh për shpenzimet te pensionet. Me heqjen e referencave mbi pagat, qeveria parashikon përmirësim të të ardhurave nga ky zë i rëndësishëm në buxhet. Sikurse duket nga grafiku, normën më të lartë të të ardhurave nga kontributet e ka Mali i Zi, me rreth 10.7 për qind, në raport me PBB-në.
Deri në tetor të këtij viti, të ardhurat nga sigurimet janë realizuar në masën 1.5 për qind më shumë se viti 2011, për të njëjtën periudhë, ndërsa qeveria synon që deri në fund të 2012, realizimi të jetë 3.6 për qind më tepër se 2011-a. Po këtë plan ka vendosur edhe për 2013-n, pra me një rritje 3.6 për qind, me 2012-n, niveli më i ulët i rritjes që nga viti 2004, kur ishte me 4 për qind.
Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të parashikuara për vitin 2012 janë në nivelin 59.4 miliardë lekë, ose rreth 4.4 për qind më shumë se i pritshmi për vitin 2012, duke arritur në 4.1 për qind të PBB, ndërsa rreth 1 miliard lekë pritet të arkëtohen prej pagesave të legalizimit të pronave në fondin e të ardhurave për kompensimin në vlerë të pronarëve. “Parashikimi i të ardhurave nga Kontributet për vitin 2013 bazohet në parashikimet për rritjen e aktivitetit ekonomik, të punësimit, nivelit të pagave, si dhe në uljen e vazhdueshme të informalitetit në tregun e punës”, thotë Ministria e Financave.
Pesha e taksave dhe pasojat
Në raport me vendet e rajonit, Shqipëria mund të thuhet se ka të njëjtin nivel taksash, por megjithatë, të ardhurat që krijon në raport me PBB-në, janë më të ulëta.
Totali i të ardhurave parashikohet në nivelin e 360.3 miliardë lekë, me një rritje prej 5.7 për qind kundrejt të ardhurave të pritshme për vitin 2012, ose në nivelin 25.2 për qind të PBB, nga ku të ardhurat nga tatimet e doganat parashikohet të jenë 255.2 miliardë lekë, me një rritje prej 5.4 për qind krahasuar me të pritshmin për vitin 2012, ose rreth 17.8 për qind të PBB.
Deri në tetor 2012, qeveria kishte mundur të mblidhte rreth 273 miliardë lekë, kurse plani i vendosur deri në fund të vitit është për realizim 340 miliardë lekë. Pa dashur ta paragjykojmë, me ritmet e deritanishme të rritjes, me shumë gjasa është se buxheti do ta mbyllë vitin me minus 14 miliardë lekë më pak se plani dhe gati 2.5 për qind më shumë se viti i kaluar. Duhet thënë se në dy vitet e fundit, totali i të ardhurave është rritur me këtë nivel, megjithatë, qeveria synon që për 2013-n të rritet me 5.7 për qind.
Duke analizuar peshën e taksave, Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në rajon sa i takon performancës, sikurse duket edhe në tabelë. Nëse shikohet TVSH-ja, taksa nga ku bazohet kryesisht buxheti i shtetit tek arkëtimet, ajo zë 9 për qind të PBB-së, në një kohë që vendet e rajonit e kanë më të lartë, sikurse duket nga grafiku.
Të ardhurat në total nga TVSH në projektbuxhetin shqiptar 2013 parashikohen në nivelin 128.2 miliardë lekë, me rritje 5.1 për qind kundrejt të pritshmit për vitin 2012. Nëse kemi parasysh faktin se si 10-mujor, TVSH rezulton e mbledhur me 1.7 për qind më shumë se 2011, atëherë të bën të dyshosh se kjo taksë do të mblidhet me 5.1 për qind më tepër në 2013-n. Ministria e Financave thotë se, parashikimi për TVSH bazohet në pritshmërinë e aktivitetit ekonomik për sektorë të veçantë të ekonomisë, në parashikimet e nivelit nominal të importeve, në prirjen historike të koeficientit të elasticitetit të këtyre të ardhurave ndaj nivelit nominal të importeve të mallrave, si dhe në pritshmëritë lidhur me përmirësimin administrativ në mbledhjen e kësaj takse.
Zëvendësministri i Financave, Rushaj: Pse kemi rritje të vogël të ardhurash me rajonin
Shqipëria rezulton me nivelin më të ulët të të ardhurave, në raport me PBB-në, dhe krahasuar me vendet e rajonit, përfshi këtu edhe Kosovën, me 27 për qind, kurse ne me rreth 25 për qind.
Sipas zv.ministrit të Financave, Alfred Rushaj, ky raport me diferenca del nga pesha e taksave. “Ne kemi nivelin më të ulët të barrës fiskale në krahasim me rajonin. Kjo është arsyeja pse ne kemi këtë diferencë, por krahasimi duhet bërë nga viti në vit”, thotë ai. Në fakt, nisur nga raportet e Bankës Botërore, Shqipëria rezulton me peshën më të madhe të taksave, afro 38 për qind, ndërsa në raport me shkallën tatimore direkte, si TVSH, tatimi i fitimit, etj., disa vende janë më mirë se ne. Ekspertët e fushës konsiderojnë nivelin e ulët të pagesës së taksave, apo evazionin e lartë.
Problemi qëndron se arkëtimet paraqiten keq edhe këtë vit, me minus 18 miliardë lekë më pak se plani, ose 2 për qind më shumë se viti 2011. Për këtë çështje, Rushaj fajëson motin e keq. “Me parashikimin, ne kemi
një mosrealizim dhe kjo ka ardhur nga disa faktorë, pjesa më e madhe e të cilëve nuk varej nga ne. Në tremujorin e parë të vitit, treçereku i Shqipërisë ishte nën borë e shi. Një pjesë e aktiviteteve tregtare u pezulluan, gjë që u shoqërua me rënie të fluksit të të ardhurave”, thotë Rushaj.
Megjithatë, sipas tij, vendi ynë ka një administratë që vazhdon të performojë më pozitivisht në mbledhjen e të ardhurave nga tatimet dhe doganat. “Ne presim që TVSH-ja të rritet 5,1%, tatimi mbi fitim të rritet 5,2%, akciza të rritet 7,6% dhe të ardhurat personale të rriten 5,3%. Të gjithë këto indikacione janë shumë të rëndësishme për të thënë që ne, në mënyrë konstante, kemi performuar pozitivisht”, thotë zv.ministri.
Politika e re fiskale
Për vitin 2013, Ministria e Financave nuk ka asnjë politikë të re fiskale që parashikon rritjen e barrës fiskale. Parashikimet do të shoqërohen kryesisht me përmirësime në aspektin administrativ dhe krijimin e lehtësirave të mëtejshme për biznesin, madje, në disa raste, parashikohet edhe ulja e disa tarifave, thotë ministria. Edhe pse ka miratuar së fundmi disa ndryshime të rëndësishme në politikën e taksave dhe të administrimit, qeveria preferoi të miratonte më parë buxhetin, dhe më pas ligjet, pavarësisht se disa kanë efekte financiare.
Të ardhurat e “Albpetrol”
Në arkën e buxhetit nuk janë parashikuar të ardhurat nga shitja e “Albpetrol”, edhe pse besohet nga qeveria se procesi i negociatave do të mbyllet shumë shpejt për t’i hapur rrugë futjes në sistem të 850 milionë eurove. Megjithatë, ministria nuk parashikon as garancinë prej 85 milionë euro, të lëshuar nga “Vetro”, që pavarësisht se si shkojnë bisedimit, shuma i mbetet buxhetit, për shkak se, sipas Rushaj, ky “është një proces që vazhdon”, kurse ministri Bode thotë se mund të mbyllet brenda muajit mars të vitit tjetër.
Shifrat
Kasat fiskale rrisin të ardhurat
Vendosja e kasave fiskale, proces që nisi në vitin 2010 dhe që aktualisht konsiderohet deri diku i mbyllur, sipas Financave, rezulton të ketë dhënë efekte pozitive në arkën e shtetit, duke parë deklarimin e shitjeve dhe arkëtimit të TVSH-së.
“Nga viti 2011 në vitin 2012, përqindja e rritjes së shifrave të tatueshme nga kasat fiskale është 254 për qind. Në vitin 2011 ka qenë 118 miliardë lekë. Në vitin 2012, për të njëjtën periudhë, për të njëjtin operator, është 300 miliardë lekë. Pra, është 254 për qind më shumë pikërisht nga përdorimi i kasave fiskale. Pavarësisht kësaj, ne dhe administrata tatimore mendojmë se është një sektor ku mund të bëhen përmirësime vazhdimisht, prandaj thashë edhe në fillim që është një projekt shumë ambicioz. Administrata dhe qeveria mendojnë të vazhdojnë me të tilla ritme dhe shumë shpejt kjo gjë do të përmirësohet. Te shifra që ju dhashë janë të përjashtuara karburantet, sepse nëse do të ishin përfshirë edhe këto të fundit, rritja do të ishte edhe më e madhe. Vetë karburantet kanë pasur rritjen diku te 70 për qind”, thotë zv.ministri i Financave.
Reforma
Akciza zbulon evazionin
Kalimi nga 1 tetori i këtij viti, i mbledhjes së akcizës nga administrata tatimore, për te dogana, padashur zbuloi nivelin e informalitetit që sundonte këtë sektor të mbledhjes së të ardhurave në shtet. Ministria e Financave thotë se, numri i subjekteve paguese të akcizës për vetëm 2 muaj, për tetorin dhe nëntorin, është dyfishuar, nga 182 subjekte kanë arritur në 373 subjekte.
Sektorët
Ku bazohet rritja ekonomike 4%
Sipas sektorëve kryesorë të ofertës agregate, kjo rritje parashikohet të gjenerohet në sektorët e mëposhtëm me këto vlera: 4,8 për qind presim që të ndikojë bujqësia, 3,6 për qind industria, 3,6 për qind ndërtimi (duhet të kemi parasysh që shumë shpejt mendohet që Bashkia e Tiranës do të miratojë edhe planin urbanistik, i cili do të ndikojë në sektorin e ndërtimit në përgjithësi), sqaron Dikasteri i Financave.
E parë në këndvështrimin e kërkesës agregate, rritja nominale prej 5,1 për qind parashikohet të gjenerohet, kryesisht: 3 për qind në rritjen e konsumit total, në rritjen nominale prej 4,5% të investimeve totale dhe 12 për qind atë të eksporteve. Ju e dini që eksportet janë një motor i rëndësishëm i rritjes ekonomike që ne parashikojmë çdo vit dhe masat që janë marrë për përmirësimin e klimës së biznesit kanë dhënë efektet e tyre pozitive, sidomos në këtë sektor, thonë burime nga Ministria e Financave.
Ku shkojnë paratë?!
Shpenzimet në buxhet, sipas skenarit me borxh të lartë
Ministri i Financave, rreth muajit tetor, paraqiti dy variante të buxhetit të shtetit, kurse Kryeministri miratoi të dytin, me borxh të lartë, që e çon në vitin 2013, në 62.6 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Varianti i parë parashikonte shpenzime me vlerë 385 miliardë lekë, por qeveria vendosi miratimin e buxhetit me 408 miliardë lekë, pra 30 miliardë lekë më shumë, ose gati 5 herë më i lartë se skenari i parë që ruante njëkohësisht nivelin e borxhit, nën 60 për qind të PBB-së.
Investimet ishin programuar në rreth 50 miliardë lekë, sipas skenarit të parë, duke mbajtur një nivel deficiti afër 29 miliardë lekë, por qeveria vendosi të investojë për 2013-n rreth 71 miliardë lekë, ku 60 për qind do të jetë hua nga financimet e huaja, duke e çuar njëkohësisht deficitin afër 49 miliardë lekëve, ose sa 3.4 për qind e PBB-së (nga 3 për qind që ishte dhe 2.5 për qind e planit të vendosur më parë, sipas udhëzimeve të FMN-së).
Në këto kushte, borxhi publik rritet me gati 40 miliardë lekë më shumë se skenari i parë, duke iu afruar shifrës totale të 895 miliardë lekëve, ose 62.6 për qind e PBB-së për 2013-n. Pra, qeveria e rriti dozën e shpenzimeve me 30 miliardë lekë, në raport nga sa kishte planifikuar. Sipas të dhënave të projektbuxhetit, 18 miliardë lekë do të shkojnë për rritjen e shpenzimeve korente ose shpenzime qeveritare, të cilat nuk gjenerojnë të mira për vendin, ose e thënë ndryshe, rritje ekonomike, ndërsa brenda kësaj shifre, 7 miliardë do të shkojnë për pagesën e interesave për huatë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.