Kancelari britanik Rishi Sunak është zotuar të “mbrojë vendet e punës dhe jetesën e qytetarëve britanik” ndërsa Britania e Madhe del nga kriza e koronavirusit.
Ai njoftoi planet për të rritur taksën mbi fitimet e kompanive të mëdha nga viti 2023, në fjalimin e tij gjatë prezantimit të buxhetit 2021.
Sigurimi kombëtar dhe normat e TVSH-së nuk do të rriten, por më shumë njerëz do të shtyhen në grupin më të lartë të taksave mbi të ardhurat.
Sunak tha se ai do të bënte “gjithçka që duhet” për të mbështetur njerëzit dhe biznesin.
Shkalla kryesore e taksës së korporatës do të rritet nga 19% në 25% në vitin 2023, me një përjashtim për bizneset më të vogla, dhe pragu i taksave të të ardhurave do të ngrihet.
Pavarësisht mbështetjes prej 280 miliardë paund për mbrojtjen e ekonomisë, dëmi i bërë nga koronavirusi ka qenë “i mprehtë”, tha ai para deputetëve.
“Ekonomia jonë është tkurrur me 10%, rënia më e madhe në mbi 300 vjet. Huamarrja jonë është më e larta që ka qenë ndonjëherë jashtë periudhës së luftës.
“Do t’i duhet këtij vendi dhe gjithë botës një kohë e gjatë për t’u rikuperuar nga kjo situatë e jashtëzakonshme ekonomike. Por ne do të rikuperohemi.”
Ai zgjati paketën ekonomike deri në shtator, duke paguar deri në 80% të pagave të njerëzve, përtej datës së qershorit që ishte vendosur më parë, ku qeveria ka deklaruar se shumica e kufizimeve do të hiqen.
600 mijë më shumë të vetë-punësuar, shumica prej të cilëve humbën punën për shkak të pandemisë, do të bëhen të ligjshëm për të përfituar ndihmë nga qeveria, pasi aksesi në grante është zgjeruar.
TVSH-ja e reduktuar prej 5% do të zgjatet për gjashtë muaj deri më 30 shtator. “Edhe atëherë, ne nuk do të kthehemi drejt në normën 20%”, tha Kancelari.
“Ne do të kemi një normë të përkohshme prej 12.5% për gjashtë muaj të tjerë; duke mos u kthyer në normën standarde deri në Prill të vitit të ardhshëm.”
Ai gjithashtu njoftoi:
- Para shtesë për shpërndarjen e vaksinave
- 5 miliardë paund për të ndihmuar firmat e “High Street” të rihapen
- Kthimi i hipotekave 95%, të mbështetura nga skema e qeverisë për të ndihmuar blerësit për herë të parë
- 408 milionë paund për muzetë, teatrot dhe galeritë në Angli për t’i ndihmuar ato të rihapen kur kufizimet të lehtësohen.
- 150 milionë paund për të ndihmuar komunitetet të marrin pub-et në rrezik mbylljeje
- Paketë rikuperimi për sportet verore, 300 milion paund.
Buxheti vjen në një kohë kur bizneset po vuajnë, ndërsa financat publike janë dëmtuar nga disa muaj kufizime dhe bllokime të Covid-19.
Shifrat zyrtare tregojnë se ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar është tkurrur me 9.9% vitin e kaluar dhe papunësia u rrit në 5.1% në tre muaj deri në Dhjetor, niveli më i keq që nga viti 2015.
Me uljen e taksave dhe shpenzimet e larta, qeveria pritet të marrë hua 394 miliardë paund gjatë vitit aktual financiar, shifra më e lartë e marrë në kohë paqeje. Ky është Buxheti i dytë i dorëzuar nga Z. Sunak. Buxheti i mëparshëm u dorëzua në 11 Mars të vitit të kaluar, në të njëjtën ditë në të cilën Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli koronavirusin si një pandemi globale./BBC