Ministria e Financave la të pandryshuara projeksionet për rritjen ekonomik të vitit 2019 dhe 2020 në dokumentin e buxhetit afatmesëm që u botua sot në Fletoren Zyrtare.
Edhe pse ekonomia gjatë nëntëmujorit 2019 është rritur vetëm 2,9 për qind, ndërsa në tremujorin e fundit dhe për të gjithë vitin 2020 pasojat e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019 pritet ta përkeqësojnë edhe më tej këtë ecuri, Ministria e Financave që ka hartuar dokumentin pret që në vitin 2019 treguesi i rritjes të jetë 4.3 për qind, ndërsa këtë vit 4.4 %.
Më herët gjatë muajit dhjetor 2019 duke raportuar në Kuvend për projektbuxhetin 2020 Ministria e Financave artikuloi se rritja ekonomike do të frenohet së paku më 1 pikë për qind këtë vit edhe pa pasojat e tërmetit për shkak se dobësive që kishin këtë vit në prodhimin e energjisë elektrike.
Sipas dokumentit buxhetor afatmesëm ekonomia pritet të vazhdojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme. Rritja ekonomike parashikohet të vijojë të qëndrojë mbi nivelin prej 4% edhe gjatë tre viteve të tjera 2020-2022, madje duke vijuar ende një përshpejtim, megjithëse marxhinal, edhe gjatë këtyre viteve.
Më konkretisht, rritja ekonomike parashikohet të jetë në nivelin prej 4.4% në vitin 2020 nga 4.2% e parashikuar për 2018 dhe 4.3% për 2019. Edhe në dy vitet e tjera 2021 dhe 2022 ajo parashikohet të vijojë të përshpejtohet marxhinalisht me rreth 0.1 pikë përqindje, respektivisht në 4.5% në vitin 2021 dhe në 2022.
Gjatë periudhës afatmesme rritja pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi privat ashtu edhe investimet.
Në përputhje me parashikimet afatmesme të rritjes, punësimi pritet të rritet me një mesatare prej rreth 2.4% në vit gjatë viteve 2020-2022. Shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në forcat e punës do të jetë gjeneruesi kryesor i rritjes së ofertës së punës.
Konsumi final total për periudhën afatmesme (2020 – 2022) parashikohet të rritet në terma real me mesatarisht rreth 3.1% në vit, duke kontribuar me mesatarisht rreth 2.8 pikë përqindje në vit në rritjen e PBB. Ndërsa investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma real me mesatarisht rreth 5.9% në vit, me një përshpejtim të lehtë në vitet 2021 dhe 2022, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 1.5 pikë përqindje në vit.
Politika fiskale për periudhën afatmesme 2020-2022 synon një deficit fiskal të përgjithshëm prej 1.6% të PBB-së për 2020, nga 1.9% i programuar për vitin 2019; nivel prej 1.2% të PBB në 2021; dhe 1.1% në vitin 2022.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.