Buxheti i Bashkisë së Tiranës, 2021. Sa do të paguhet për pronat, tabelat, pastrimin, parkimin, sërish rekord nga lejet e ndërtimit

09/12/2020 11:02 PM 0 komente

Bashkia e Tiranës parashikon në projektbuxhetin e vitit 2021 që të mbledhë 14 miliardë lekë (115 milionë euro) nga taksat dhe tarifat që do të paguajnë bizneset dhe familjarët, me një rritje prej 2.6% në krahasim me të ardhurat e pritshme për vitin 2020.

Duke përfshirë dhe fondet që Bashkia merr nga shteti përmes transfertave të kushtëzuara dhe të pakushtëzuara, të ardhurat totale që do të ketë Bashkia në dispozicion pritet të jenë 20 miliardë lekë në vitin 2021, nga 23.6 miliardë lekë që ka qenë plani i 2020-s (për shkak të uljes së transferatve të mbartura).

Nga të ardhurat që Bashkia i siguron nga taksat dhe tarifat, peshën kryesore vijon ta zërë “Taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja”, nga e cila pritet të mblidhen 4.8 miliardë lekë, ose një e treta e të ardhurave totale të vetat të bashkisë. Edhe në dy vitet në vijim (deri në 2023), Bashkia planifikon të mbledhë po kaq të ardhura nga ky zë, duke sinjalizuar për një vijim të vrullit të lejeve të ndërtimit të paktën në tre vitet e ardhshme, por nga ana tjetër duke e bërë bashkinë e kryeqytetit të varur nga ndërtimet për sigurimin e fondeve në buxhetin e saj.

Në vitin 2020, ndonëse ka qenë një periudhë e vështirë ekonomike, e krijuar nga pandemia, Bashkia pret të arkëtojë 6 miliardë lekësh (43% e të ardhurave të pritshme në total), shumë që është rreth 28% më e lartë se parashikimi fillestar dhe afër nivele rekord prej 6.3 miliardë lekësh të 2019-s.

“Ndryshe nga çdo fushë tjetër e aktivitetit tregtar, sektori i ndërtimit ka vazhduar të jetë një prej shtyllave bazë të zhvillimit ekonomik dhe njëri prej aktiviteteve që sjell më shumë të ardhura. Vlen të theksohet që ky sektor nuk është ndikuar sikundër sektorët e tjerë nga masat kufizuese të pandemisë”, thuhet në relacionin e Bashkisë.

Relacioni vijon duke shtuar se “referuar vlerësimeve të drejtorisë përgjegjëse pritet që ecuria e arkëtimit të jetë nën nivelin e dy viteve të fundit. Kjo për arsye se të ardhurat nga kjo taksë parashikohet të mbështeten kryesisht në zhvillimet e reja që pritet t’i shtohen Tiranës në zonën e mirëplanifikuar të Bulevardit të Ri, ku është miratuar edhe Plani i Detajuar Vendor nga Këshilli Kombëtar i Territorit – i cili i hap rrugë zhvillimit”.

Zëri i dytë që sjell më shumë të ardhura është taksa mbi pasurinë e paluajtshme me 18% të totalit. Qytetarët dhe bizneset pritet të paguajnë 2.6 miliardë lekë taksa mbi pronën në 2021, me një rritje të ndjeshme prej 40% në krahasim me pritshmërinë e 2020-s (që është mbledhur shumë më pak se plani fillestar).

Nga tarifat e pastrimit pritet të mblidhen 2.2 miliardë lekë (15% e totalit). Edhe për këtë tarifë, qytetarët dhe bizneset planifikohet të paguajnë 21% më shumë sesa pritshmëria e 2020-s, për shkak të mosrealizimit të planit këtë vit.

Për taksën e përkohshme të infrastrukturës arsimore pritet të paguhen 754 milionë lekë (5% e totalit), ose 20% më shumë se e pritshmja e këtij viti.

Për parkimin e automjeteve, të gjithë ata që kanë një makinë pritet të paguajnë 505 milionë lekë, ose rreth 4 milionë euro. Për vitin 2020, Bashkia pritet të arkëtojë nga kjo tarifë 417 milionë lekë, ose 33% më pak sesa plani i fillim vitit, i ndikuar nga karantina, që kufizoi lëvizjet për disa muaj.

 

Si shpenzohen paratë

Nga 20.5 miliardë lekë që Bashkia e Tiranës ka në dispozicion nga të ardhurat e pritshme të vetat dhe transfertat e qeverisë, rreth 6.3 miliardë lekë, ose 31% e totalit shkojnë për paga dhe sigurime shoqërore. Aparati i Bashkisë së Tiranës ka 1,447 punonjës, ndërsa bashkia në total, përfshirë Policinë Bashkiake, Tirana parking, Drejtorinë e taksave, pastrimit, gjelbërimit e qendrat e tjera ka 5,740 të punësuar.

6.2 miliardë lekë të tjera janë shpenzime operative mirëmbajtje.

Shpenzimet kapitale pritet të jenë 7.1 miliardë lekë, ose 35% e totalit. Në relacion bashkia thotë se shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i Teatrit Kombëtar, për të cilin fondet do të merren nga buxheti. Projekte të tjera janë Piramida, terminali i pasagjerëve, zona e zhvillimit ekonomik, vijimi i rindërtimit, kopshti zoologjik etj. https://www.monitor.al/bashkia-e-tiranes-shume-shpejt-pritet-te-nisin-punimet-per-teatrin-kombetar-me-parate-e-buxhetit/

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of