Buxheti i Tiranës, nga u siguruan dhe si u shpenzuan 470 milionë euro në 4 vjet

12/07/2019 10:06 PM 0 komente

Në katër vitet nga 2015 deri në 2018-n, Bashkia e Tiranës ka pasur në dispozicion nga fondet e veta që mbledh nga taksat e tarifat si dhe nga transfertat e qeverisë rreth 60 miliardë lekë, ose 470 milionë euro. Kjo shumë është pothuajse dyfishi i periudhës 2011-2014, sipas të dhënave që janë publikuar nga portali financatvendore.al.

Të ardhurat që siguron vetë Bashkia nga taksat dhe tarifat përbëjnë 60% të totalit dhe pjesa tjetër janë transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara që jepen nga qeveria.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë ia ka siguruar Bashkisë në katër vjet të ardhurat kryesore, me 11 miliardë lekë, ku rekordi ka qenë në periudhën 2017-2018 (me gati 9 miliardë lekë në këto dy vite). Kjo taksë i ka siguruar Bashkisë 18% të totalit të të ardhurave në 4 vjet, duke “shitur” të ardhmen e kryeqytetit (që zor se mund të riparohet më), për përfitime afatshkurtra në rregullimin e saj.

Rritja e të ardhurave erdhi në dy drejtime, së pari nga rritja e saj nga 4% e kostos në 8% të vlerës së ndërtimit dhe rritjes së numrit të lejeve. Në katër vjet sipërfaqja totale e lejeve të dhëna për ndërtim është gati 2 milionë metra katror dhe një vlerë ndërtimi prej rreth 1 miliardë euro për katër vjet.

Më pas renditet taksa mbi pasuritë e paluajtshme, që i ka sjellë bashkisë në 4 vjet rreth 50 milionë euro, ose 10% të totalit. Në të njëjtat nivele janë dhe të ardhurat nga tarifa e gjelbërimit dhe pastrimit.

Më pas renditen tarifat adminitrative, me 32 milionë euro, ose 6.7% të totalit.

 

Burimi: financatvendore.al

 

Shpenzimet

Dyfishimi i të ardhurave në 2015-2018 i ka mundësuar Bashkisë që të kryejë më shumë shpenzime, si administrative, ashtu dhe kapitale (shpenzimet e bashkisë janë pothuajse të barabarta me të ardhurat, pasi ndryshe nga qeveria qendrore, ato vendore nuk prodhojnë deficite).

Për paga, bashkia ka shpenzuar në katër vjet rreth 15 miliardë lekë, ose gati 25% e totalit. Në raport me katërvjeçarin e mëparshëm, shpenzimet për paga janë rritur më shumë sesa dy herë, por kjo lidhet dhe me reformën e re territoriale, që kaloi një sërë funksionesh pranë Bashkisë.

Në total, për shpenzimet korente (paga, mirëmbajtje, transport, udhëtime etj), bashkia ka shpenzuar rreth 40 miliardë lekë në katër vjet (315 mln euro), ose gati 66% të totalit të shpenzimeve të saj. Pesha e lartë e shpenzimeve administrative është një dukuri për gjithë bashkitë e vendit.

Bashkia ka shpenzuar në katër vjet për investime kapitale rreth 21 miliardë lekë (rreth 170 mln euro), ose 34% të të ardhurave që ka siguruar nga taksat dhe transfertat e qeverisë. Në raport me katër vjeçarin e mëparshëm, shpenzimet kapitale pothuajse janë katërfishuar.

Gjysma e investimeve kapitale në 2015-2018 ka shkuar për projekte të infrastrukturës dhe transportit, 33% për shërbime publike, rreth 14% për arsimin, etj.

Një tregues interesant për bashkinë Tiranë është se shpenzimet për personelin në katër vjet, ishin sa 71% e shumës që është shpenzuar për investime publike në kryeqytet.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of