Buxheti para votimit, kjo nuk është koha e duhur për të zhvilluar zgjedhje në Itali

07/09/2019 10:04 PM 0 komente

Zgjedhjet e parakohshme, mund të përkeqësojnë situatën e këtij shteti të mbytur në borxhe

 

Gjëja më e mirë që mund të ndodhte në situatën e vështirë që po kalon Italia është që ajo nuk ka ndodhur më parë. Dy partitë në koalicion, të cilat e etiketojnë veten të përjashtuar nga kriza që ka përfshirë vendin, kanë thënë se kjo është vetëm dinamika e një qeverie me dy parti të ndryshme, shkruan The Economist.

Por që në fillimet e tij, koalicioni qeverisës i Partisë nacionaliste Liga e Veriut të Salvinit dhe partisë populiste Lëvizjes Pesë Yjet të Di Maios ka qenë shumë i paqëndrueshëm si pasojë e pengesave me të cilat është përballur. Për më tepër, edhe pse Lëvizja Pesë Yjet (M5S) doli e para në zgjedhjet e vitit të kaluar, Liga e Veriut e kapërceu shpejt atë, duke marrë 37% të votave ndaj 17% të Lëvizjes Pesë Yjet. Lideri i Ligës së Veriut, Matteo Salvini, është treguar më i zgjuar se Luigi di Maio. Nuk është për t’u habitur fakti se ai u përpoq fillimisht të kishte edhe mbështetjen e Kryeministrit Giuseppe Conte (i cili prej pak ditësh ka dhënë dorëheqjen), në një përpjekje për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme dhe për t’i zënë atij vendin.

Megjithatë, zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme do të ishte një gabim i rëndë, jo vetëm për Italinë, por edhe për Europën. Dhe kjo është e padrejtë. Mbi të gjitha, përbërja e Senatit të Parlamentit nuk pasqyron opinionin publik. Por ky është edhe një moment shumë i pasigurt për Italinë. Ekonomia e saj është e dobët, ndërsa rritja, gjatë këtij viti, parashikohet të jetë vetëm në 0.1%. Borxhi i saj qeveritar, në nivele alarmante, në më shumë se 130% të PBB-së, është kërcënimi i vetëm më i madh për Eurozonën. Dhe ç’është më e keqja, nëse zgjedhjet zhvillohen ato mund të zgjasnin për muaj të tërë.

Kjo mund të shqetësojë tregjet, në një kohë kur pjesa më e madhe e Europës është në prag të recesionit. Nëse lideri i Ligës së Veriut, z. Salvini, i cili është pro-Kremlinit dhe kundër pranimit të emigrantëve, do të fitonte zgjedhjet, atëherë ai do të “përleshej” me Bashkimin Europian për zgjidhjen e çështjes tejet delikate të refugjatëve dhe politikës së jashtme, të cilat do të ishin vërtet një shpërqendrim nga çështje më të rëndësishme si ajo e financave publike, të cilat janë vërtet në rrezik. Më keq akoma, Komisioni Europian duhet të rishikojë buxhetin e Italisë për të siguruar që ai mund të përballojë borxhin që ka. Një propozim pritet të bëhet më 15 tetor.

Kur drafti fillestar i buxhetit i qeverisë së mëparshme u refuzua nga Brukseli, situata në vend u përkeqësua dhe u pasua me muaj të tërë paqëndrueshmërie politike. Premtimet e z. Salvini për uljen e taksave sugjerojnë se çdo qeveri që ai do të drejtojë, do të përballet me probleme të ngjashme. Një arsye e dytë për t’i vonuar zgjedhjet, ka të bëjë me Romën. Gjatë vitit që lamë pas, z. Salvini, nuk ka bërë gjë tjetër veçse të ofendojë dhe të flasë keq për partinë e Di Maios.

Për disa çështje, siç është konflikti mbi ndërtimin e një tuneli me shpejtësi të lartë që përshpejtoi edhe rënien e qeverisë, Lëvizja Pesë yjet dhe Liga e Veriut janë diametralisht të kundërta. Z. Di Maio meriton t’i jepet një mundësi për të treguar se partia e tij mund të jenë e aftë për të qeverisur vendin. Në vend që të bjerë dakord për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme, qeveria e Di Maios duhet të formojë një koalicion të ri me Partinë Demokratike (PD) të qendrës së majtë dhe ligjvënësit e pavarur.

Një koalicion i përkohshëm, me Partinë Demokratike (më të cilën Lëvizja Pesë Yjet është më pak rivale në krahasim me Ligën e Veriut) mund t’u jepte votuesve më shumë kohë për të vendosur dhe për të kuptuar më mirë se cilat janë aftësitë e Partisë Lëvizja Pesë yjet dhe se çfarë ajo është në gjendje që të bëjë. Më e rëndësishmja, një qeveri e tillë mund të kalojë një buxhet kompromisi, dhe më pas të zhvillojë zgjedhjet në fillim të vitit të ardhshëm.

Koalicioni në fjalë do të përballej me detyrën “e frikshme” për të ulur shpenzimet prej 23 miliardë eurosh, ekuivalente me 1.3% të PBB-së. Por, duke arritur që t’i shtyjë zgjedhjet për një moment të dytë, ai mund të fitonte kohë për të biseduar me BE-në. Sigurisht që nuk do të jetë aspak e lehtë edhe për Lëvizjen Pesë Yjet dhe Partinë Demokratike që të punojnë së bashku. Z. Di Maio do të duhet të kapërcejë ngurrimin e anëtarëve të partisë së tij për t’u bashkuar me njërën prej partive tradicionale. Ndërsa Partia Demokratike, nga ana e saj, është edhe më e ndarë. Matteo Renzi, ish-lideri i saj, e favorizonte koalicionin, ndërsa Nicola Zingaretti, lideri i saj aktual është skeptik.

Partia ka përcaktuar pesë kushte të arsyeshme për të pasur një bashkëpunim frytdhënës, si: Lëvizja Pesë Yjet (M5S) duhet të heqë dorë nga retorika anti-BE. Por z. Zingaretti gjithashtu këmbënguli se ky koalicion duhej të shkëputej plotësisht nga e kaluara, e cila u analizua si një përpjekje e guximshme e liderit të Partisë Demokratike për të nxjerrë jashtë loje Di Maio-n nga kabineti qeveritar i ardhshëm. Ajo që ka marrë miratimin e një numri të madh njerëzish është fakti që Italia nuk duhet të zhvillojë zgjedhje të parakohshme. Nëse e bën, atëherë ajo do të bënte një gabim shumë të rëndë. Italia duhet të ketë parasysh edhe faktin se ky nuk është momenti i duhur që ajo të bëjë lojëra politike.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of