Të ardhurat buxhetore në tremujorin e parë 2021 u rriten me 4.4% me bazë vjetore, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave. Të ardhurat nga TVSh dhe tatim fitimi janë në rritje, duke sinjalizuar për një përmirësim të aktivitetit ekonomik.
Sipas një njoftimi zyrtar të Ministrisë së Financave, performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 3-mujore (janar – mars 2021) reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve gjatë periudhës së pandemisë dhe lehtësitë fiskale në shtyrjen e mbledhjes apo zerimin e disa taksave. Performanca paraprake reflekton gjithashtu rritjen e shpenzimeve në ndihmë të bizneseve dhe individëve të prekur gjatë periudhës së pandemisë dhe ecurinë e investimeve në kuadër të prioriteteve të Qeverisë.
Të ardhurat tatimore për 3-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 101 % të planit të 3-mujorit.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për 3-mujorin e vitit 2021, u realizuan në masën 96% të planit të periudhës.
Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin e tretë të vitit 2021 rezultoi në rreth 7 miliardë lekë.
Në mars të ardhurat arritën në 39 mld lekë, në nivele të njëjta me marsin 2019 dhe me rritje 19% në raport me të njëjtën periudhë 2020, që përkon me muajin e parë të goditjes së ekonomisë nga pandemia. Rritja e të ardhurave pritet të jetë më e lartë në muajt në vijim, pasi prilli dhe maji i vitit të kaluar ishin në karantinë.
Të Ardhurat, bien me 1.4$
Të ardhurat totale për 3-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 108.6 miliardë ose 101 % të planit të 3-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat kanë pasur rritje nga efektet e pandemisë prej 4.4 miliardë lekësh, ose 1.4% më pak.
Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 38.3 miliardë lekë, 3.5 miliardë lekë ose 10.1% më shumë se 3-mujori 2020, si dhe 1 miliard lekë ose 2.7% më shumë se plani i të ardhurave doganore për 3-mujorin e vitit 2021. Sipas Analizës së 60 grup mallrave, 55% të kontributit në totalin e të ardhurave doganore e zënë 7 produkte dhe përkatësisht: karburant importi me 23.3% të të ardhurave, cigaret me 12.9% të të ardhurave, si dhe metalet bazë dhe artikujt prej tyre zënë 5.9% të të ardhurave totale doganore, automjetet e përdorura me 4.5% të të ardhurave, plastika dhe artikujt 2.8% ttë të ardhurave, veshje tekstile 2.8% dhe ushqime të përgatitura 2.6% të të ardhurave.
Ndërkohë, ndikimin më të madh në rritje krahasuar me 3-mujorin e vitit 2020 e kanë dhënë të ardhurat nga importi i automjeteve të perdorura, karburante importi, metalet bazë dhe artikujt prej tyre dhe veshje, tekstile. Një rënie kundrejt periudhës së mëparshme kanë pasur të ardhurat doganore nga cigaret, energjia elektrike, mishi, mielli dhe gruri.
Të ardhurat nga TVSH në import për 3-mujorin rezultojnë 25.8 miliardë lekë, 3.2 miliardë lekë ose 14.1% më shumë se një vit më parë, si dhe 1 miliard ose 3.9% më pak se plani për 3-mujorin 2021. Ekzistojnë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në mosrealizimin e performancës së tatimit mbi vlerën e shtuar. Situata ekonomike prej Covid-19 është reflektuar në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja e mbledhur në doganë për disa kategori artikujsh. Gjatë 3 mujorit 2021, rënia e sasisë së importuar të energjisë elektrike – 187 megaëatorë, krahasuar me vitin 2020, ka sjellë efekt -174 milionë lekë në të ardhurat për tvsh, megjithëse efekti nga ndryshimi I çmimit ishte +103 milionë lekë. Gjatë 3 mujorit 2021, produket doganore me efekt pozitiv në të ardhurat e TVSH-së janë importi automjeteve të përdorura, metalet bazë dhe artikujt prej tyre, veshje dhe tekstile, plastika dhe artikujt, dhe materialet e ndërtimit, të cilat kanë një kontribut pozitiv +1.6 miliardë lekë. Ndër produket me efekt negative renditen energjia elektrike, mielli dhe gruri, fruta perimet,mishi dhe automjetet e reja, me një efekt -0.5 miliardë lekë.
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 10.3 miliardë lekë, 132 milionë lekë ose 1.3% më shumë se viti 2020, si dhe 1.4 miliardë lekë ose 15.3% më shumë se plani i akcizës për 3-mujorin 2021. Ndikim të rëndësishëm në të ardhurat nga akciza ka pasur produkti karburant importi, me një rritje 9 mijë ton (+8%) me një efekt +421 milionë lekë më shumë se viti i kaluar. Ndër produktet e akcizueshme që kishin ndikim negativ, ishte produkti cigare me një rënie prej 60 ton (-9.1%) krahasuar me një vit më parë, duke sjellë një efekt negative në akcizë me -270 milionë lekë.
Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 625 milionë lekë, 106.8% krahasuar me vitin i kaluar dhe realizim në masën 118.9% kundrejt planit, ose 99 milionë lekë më shumë. Të ardhurat nga renta minerare e naftës bruto janë 490.4 milionë lekë, 50.5 milionë ose 9.3% më pak se renta e 3 mujorit të vitit 2020.
Krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto kanë pësuar rënie si rezultat i rënies së sasisë së sasisë së prodhimit të naftës bruto e cila për 3 mujorin 2021 është 21.1% më pak se viti i kaluar me efekt -114 milionë lekë, por në të njëjtën kohë edhe rritja e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, ka sjellë një efekt +63.5 milionë lekë. Gjatë 3-mujorit 2021 kemi një rritje të rentës për njësi nga 2.56 lekë/ton në 2.94 lekë/ton. Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rritje në masën 56 milionë lekë, për shkak të rritjes së sasisë së eksportuar me efekt +1.7 milionë lekë njëkohësisht dhe rritjes së çmimit të mineraleve, me efekt +54.6 milionë lekë.
Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 1.5 miliardë lekë, 147 milionë lekë ose 10.8% më shumë se 3 mujori 2020, si dhe 582 milionë lekë ose 63% më shumë se plani i 3 mujorit 2021. Peshën më të madhe në taksën doganore e zënë produket si cigaret (11.3%), fruta perimet (9.7%), veshjet e këmbës (9.1%), mish importi (8.6%), materialet e ndërtimit (7.7%),
Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 3 mujorin 2021 u realizuan në masën 59.7miliardë lekë, 1.1 miliardë ose 1.9% më shumë se 3-mujori i vitit të kaluar, si dhe 554 milionë lekë, ose 0.9% më shumë se plani i 3 mujorit 2021.
Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (bruto), u realizua në masën 13.5 miliardë lekë, 1.2 miliardë ose 9.6% më shumë se 3 mujori 2020, si dhe 2.4 miliardë ose 15.2% më pak se plani i TVSH për tu arkëtuar në 3-mujorin 2021. Mosrealizimi i të ardhurave nga TVSH-ja Bruto vjen si pasojë e goditjes që mori ekonomia shqiptare nga tërmeti i vitit të kaluar dhe pandemisë Covid-19. Rimbursimet për periudhën 3 mujore 2021 arritën 7.5 miliardë lekë, 4.5 miliardë lekë ose 44.9% më shumë se 3 mujori 2020, si dhe 2.6 miliardë lekë ose 52.2% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 3 mujorin 2021.
Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 10.6 miliardë lekë 1.5 miliardë lekë, ose 16.4% më shumë se 3 mujori 2020, si dhe 2.3 miliardë lekë ose 28.3% më shumë se plani 2021 për Tatimin mbi Fitimin.
Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 10.1 miliardë lekë, 1.6 miliardë lekë ose 19.2% më shumë se 3 mujori 2020, si dhe 978 milionë ose 10.7% më shumë se plani 3 mujor 2021.
Taksat nacionale, për periudhën Janar-Mars 2021 u realizuan në masën 7.7 miliardë lekë, 141 milionë lekë ose 1.9% më shumë se 3-mujori 2020, si dhe 459 milionë lekë ose 6.3% më shumë se plani i përcaktuar për 3 mujorin 2021.
Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 25.3 miliardë lekë, 1.1 miliardë lekë ose 4.7% më shumë se 3-mujori 2020, si dhe realizim 107.6% të planit për 3-mujorin 2021.
Shpenzimet
Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e tretë të vitit 2021, arritën në rreth 115.7 miliardë LEK me një realizim në masën 96% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar 8.2% më i lartë ose rreth 8.8 miliard LEK më shumë.
Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 3-mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 94.6 për qind dhe 97.7 për qind të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 21.7% dhe 12.1% të tij
Niveli i deficitit për periudhën 3-mujore të vitit 2021 rezultoi në rreth 7.16 miliardë LEK, ose rreth 4.37 miliardë LEK më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për periudhën 3-mujore niveli i deficitit ishte planifikuar në masën rreth 13.5 miliardë LEK.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.