Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku kanë inspektuar këtë të premte ecurinë e punimeve në Bypassin e Vlorës një projekt që ka më shumë se një dekadë që ka filluar dhe që është shoqëruar me probleme. Në fjalën e saj Balluku tha se aktualisht po punohet me ritme të shpejta. “Janë disbursuar edhe të gjitha pagesat. Kompania ka marrë përsipër edhe disa pjesë që kanë të bëjnë me zonën që ka qenë problem në kontratën e parë. Në çdo 1.5 km kemi parashikuar vendpushim për automjetet. Rruga ka 5 ura të cilat pas tërmetit të 26 nëntorit i kemi studiuar edhe një herë duke i futur në parametrat antisizmike. Kemi 15 rrethrotullime apo kryqëzime në formë “T” dhe të gjithave ju kemi gjetur një zgjidhje në bashkëpunim me komunitetin. Tashmë mund ta quaj që kjo vepër po ecën mirë dhe është e çliruar. Mund të them se kemi qenë pak me vonesë pak me grafikun por tani jemi në hapat e duhur” tha Balluku.
Kryeministri Edi Rama tha se me këtë vepër dhe disa projekte në proces plotësohet infrastruktura dhe aksesi për destinacionin turistik të jugut.
Kjo rrugë do të sjelle një ulje më të madhe të trafikut brenda Lungomares. Dhe me Lungomaren 3 siç e quaj unë që do ta bëjë Fondi i Zhvillimit deri në Rradhimë dhe me Orikum-Dukat që kemi projektin tjetër, bashkë me tunelin e Llogarasë praktikisht bëhet plotësimi i gjithë zonës nga pikëpamja e infrastrukturës dhe kthehet në një superdestinacion turistik jo vetëm nga bukuria e natyrës por edhe nga pikëpamja e aksesit në infrastruktueë” tha Rama
Interesit të kryeministrit lidhur me Aeroportin e Vlorës, një tjetër projekt në në transport Balluku ju përgjigj se tashmë kjo procedurë mbetet e pezulluar pa afat.
“Për aeroportin nuk ka as anulim as datë për shtyje. E kemi pezulluar pa afat duke pritur një datë më të përshtatshme pas hapjes së kufijve dhe nisjes së fluturimeve për ti dhënë mundësi kompanive të sjellin dokumentet. Aty është kërkuar eksperienca e kompanive në këtë fushë dhe normalisht janë aeroporte që operojnë sot dhe ndodhen në moment të vështirë. Kompanitë kanë kërkuar shtyrje pa afat por besoj që deri në fund të qershorit edhe ai proces do të zhblloket pasi interesi ka qenë i madh. Ne ndoshta do të leme tre javë për kompanitë që të dorëzojnë dokumentet” tha Balluku.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.