Një rregullore e re e publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka në qendër të saj mënyrën sesi do të bëhet raportimi dhe mbikëqyrja për Byronë Shqiptare të Sigurimit.
Kjo e fundit është administruese e Fondit të Kompensimit, përgjegjës për pagesën e dëmeve rrjedhur nga aksidente automobilistike, shkaktuar nga mjete të pasiguruara apo të paidentifikuara.
Në nenin 3 të rregullores nënvizohet se ndaj Byrosë synohet monitorimi i detyrimeve financiare që rrjedhin nga anëtarësimi në sistemin e Kartonit Jeshil, detyrimeve ligjore që lidhen me trajtimin e dëmeve objekt i Fondit të Kompensimit, pagesave të dëmeve nga Fondi i Kompensimit, detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në Këshillin e Byrove si dhe detyrimeve të tjera ligjore që lidhet me veprimtarinë e Byrosë.
I njëjti dokument sanksionon se këto monitorime do të behën përmes raportimeve periodike por edhe në vend. Në nenin 6 të projekt rregullores saktësohet përmbajtja e raportimit të Byrosë që nis nga financimi, investimi dhe administrimi i vlerës minimale të Fondit të Kompensimit me qëllim pagesën e dëmeve e deri tek raportin dhe opinionin e aktuarit në lidhje me provigjonet e dëmeve.
Lidhur me miratimin e Fondit të Kompensimit në projekt rregullore thuhet se brenda datës 31 dhjetor të çdo viti, Byroja i propozon për miratim Autoritetit: a. shumën e kontributeve të çdo shoqërie sigurimi për financimin e Fondit të Kompensimit të vitit pasardhës e përllogaritur sipas metodologjisë përkatëse; b. çdo burim tjetër të financimit të Fondit të Kompensimit.
“Llogaritja e kontributeve të Fondit të Kompensimit, bëhet mbi bazën e primeve bruto të shkruara të sigurimit të detyrueshëm motorik të vitit, përjashtuar karton jeshil, të marrë zyrtarisht nga Autoriteti. Autoriteti vendos çdo vit brenda muajit Janar shumën e kontributeve të fondit të kompensimit. Kur Fondi i Kompensimit rezulton i pamjaftueshëm për të kryer pagesat e dëmeve, Autoriteti kërkon nga Byroja propozim për shtesë në Fondin e Kompensimit. Byroja brenda 30 ditëve nga kërkesa e Autoritetit, depoziton për miratim në Autoritet shtesën e Fondit të Kompensimit. Byroja njofton shoqëritë e sigurimit për vlerën respektive të kontributit të fondit të kompensimit ose fondit shtesë, brenda 10 ditëve kalendarike nga data e miratimit të Autoritetit. Shoqëritë e sigurimit janë të detyruara të paguajnë kontributet për financimin e fondit/fondit shtesë, brenda 15 ditëve kalendarike pas marrjes së njoftimit nga Byroja” thuhet në dokument.
Të tjera specifika të projekt rregullores janë edhe raportimi mbi administrimin dhe investimin e Fondit të Kompensimit, raportimi mbi administrimin e vlerës minimale të Fondit të Kompensimi, raportimi mbi administrimin dhe afatet e rivendosjes së Garancisë të Fondit të Kartonit Jeshil apo raportimi i Fondit të pagesës së dëmeve kartonit jeshil të ndodhura brenda territorit të Shqipërisë.
Në fund në nenin 18 parashikohet edhe miratimi i emërimit/ riemërimit të anëtarit të Bordit të Drejtorëve dhe Drejtorit Ekzekutiv duke shprehur se pas ndjekjes së procedurave nga Byroja Autoriteti, pas shqyrtimi të të gjithë dokumentacionit të kërkuar, miraton apo refuzon anëtarët e Bordit të Drejtorëve dhe Drejtorin Ekzekutiv, brenda 30 ditëve nga data e depozitimit të vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të Anëtarëve./ N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.