Një shoqëri robotike në Japoni ka krijuar një maskë për fytyrën, në gjendje jo vetëm t’ju mbrojë nga përhapja e sëmundjeve infektive si koronavirusi, por edhe të përkthejë bisedën në tetë gjuhë
Kjo maskë për fytyrën është bërë high-tech me aftësitë e saj “inteligjente”. Një shoqëri robotike në Japoni ka krijuar një maskë për fytyrën, në gjendje jo vetëm t’ju mbrojë nga përhapja e sëmundjeve infektive si koronavirusi, por edhe të përkthejë bisedën në tetë gjuhë.
C-FACE Smart Mask nga startup-i japonez, Donut Robotics, përshtatet si maskat standarde të fytyrës dhe mund të përkthejë bisedën e atij që e mban, nga gjuha japoneze në gjuhën angleze, franceze, indoneziane, spanjolle, kineze, koreane, tajlandeze dhe vietnameze.
Maska lidhet me një aplikacion në smartphone ose tablet nëpërmjet Bluetooth, dhe pastaj përkthen bisedën në mesazhe me tekst, dikton bisedën dhe bën telefonata. Ajo përbëhet nga materiale plastike.
“Ne e kemi pajisur ‘maskën’, që prej kohësh mbron shëndetin e njerëzve, me teknologjitë më të fundit” – lexohet në faqen web të kompanisë.
Para pandemisë, Donut Robotics sapo kishte siguruar një kontratë për të furnizuar me robotë udhëzues dhe përkthyesAeroportin Haneda në Tokio. Por, ndërkohë që e ardhmja e fluturimeve ajrore është bërë e paqartë në të gjithë botën, kompania donte të zhvillonte një produkt që të mund të përdorej gjatë dhe pas pandemisë së koronavirusit.Inxhinierët vendosën të përdorin software e përkthimit dhe ta përshtasin atë në një maskë.Pas disa prototipave, maska u publikua online për gjetjen e financimeve.
“Kemi punuar shumë gjatë këtyre viteve për të zhvilluar një robot dhe kemi përdorur teknologjinë për të krijuar një produkt, që t’i përgjigjet mënyrës se si koronavirusi ka ndryshuar jetën tonë” – tha për Reuters, drejtuesi ekzekutiv i Donut Robotics, Taisuke Ono.
Maska ka mbledhur më shumë se 260 mijë dollarë në faqen Fundinno. Parashikohet që të dalë në treg në shtator. Çmimi do të jetë 40 dollarë. 5000 maskat e para do të shiten në Japoni, por në të ardhmen mund të shiten edhe në Kinë, Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Burimi: Reuters