Në asnjë rajon nuk ndihet më fort ndikimi i Kinës sesa në Azinë Juglindore. Ky rajon ka një marrëdhënie komplekse me fqinjin gjigant, shkruan The Economist
Vitin e kaluar u krijua online një konfederatë e veçantë, në mos informale, në të gjithë Azinë: Aleanca e Çajit me Qumësht. Anëtarët e saj ishin aktivistë të rinj, kryesisht në Azinë Juglindore. Të gjithë kishin axhenda të ndryshme në shtëpi. Por ata u bashkuan për të kundërshtuar një kërcënim në rritje – prania mbizotëruese e Kinës autoritare në rajon.
Gjithçka nisi kur aktori i njohur tajlandez, Vachirawit Chivaaree, ylli i “2gether”, një dramë e njohur në të gjithë Azinë, i bëri retweet një postimi me koleksione të peizazheve të qytetit që e përshkruanin në mënyrë të pafajshme Hong Kongun si shtet. Me mijëra kinezë online bënë thirrje për bojkotimin e shfaqjes së zotit Vachirawit. Ai kërkoi falje. Por përdoruesit online gjetën një postim të vjetër në Instagram nga e dashura e zotit Vachirawit, që dukej se tregonte mbështetjen e saj për Tajvanin si një vend i ndarë nga Kina. Kjo e ushqeu edhe më tej zemërimin e tyre.
Shpejt përdoruesit tajlandezë reaguan kundër kinezëve me postime të mprehta meme. Patriotët kinezë u përgjigjën duke ofenduar mbretin dhe kryeministrin tajlandez, i cili kishte ardhur në pushtet me një grusht shteti, dhe duke e quajtur të paaftë. Tajlandezët ishin të ngazëllyer – sepse ishin shumë dakord me këtë ide. Përgjigjja e shpejtë ndaj kritikave kineze u përshëndet nga të rinjtë në Hong Kong dhe Tajvan, të cilët janë shumë familjarë me dorën e rëndë të Kinës. Të tjerët në Azinë Juglindore, të zemëruar me sundimin e tipave me tendenca autokrate, si ai i presidentit Rodrigo Duterte në Filipine, gjithashtu brohoritën.
Kështu lindi aleanca, e quajtur me atë emër për shkak të variacioneve të njohura të çajit në të gjithë Azinë. Në territorin e Kinës, çaji pihet pa qumësht. Por pija më e njohur e Tajvanit është çaji me qumësht boba me topa përtypës me tapiokë; banorët e Hong Kongut e pinë çajin me qumësht, një zakon i mbetur britanik; dhe çaji i errët i Tajlandës ëmbëlsohet me qumësht të kondensuar.
Që atëherë janë bashkuar edhe të tjerë në aleancë. Pasi ushtarët kinezë luftuan një përleshje vdekjeprurëse me indianët, mbi kufirin e diskutueshëm të dy vendeve, përdoruesit online nga India, nisën të pinë masala chai. Dhe pasi ushtria mori pushtetin me një grusht shteti në Mianmar më 1 shkurt, në rrjetet sociale vërshuan fotot e laphet yay, çajit burmanez me qumësht.
Aleanca Anti-Kinë
Aleanca e Çajit me Qumësht nuk është thjesht anti-Kinë. Qëndrimet negative ndaj Kinës janë pjesë e një kritike ndaj sundimit autoritar të brendshëm, thotë Frank Netiwit, një aktivist i ri tajlandez, në krye të protestave që bëjnë thirrje për më shumë demokraci. Në Mianmar, zemërimi drejtohet me shumicë dërrmuese ndaj gjeneralit Min Aung Hlaing dhe ushtrisë.
Kina është përkrahur prej kohësh nga autokratët e rajonit. Ajo e përshkroi grushtin e shtetit në Mianmar – ku Aung San Suu Kyi, udhëheqësi i vendit dhe qindra të tjerë u arrestuan – si një “riorganizim i madh i kabinetit”. Ajo ka investime në rritje në Azinë Juglindore dhe kërkon ndikim politik për t’i mbrojtur ato. Por sunduesit e Azisë Juglindore janë të ashpër dhe nacionalistë. Shumica irritohen nga çdo sugjerim që pretendon se Kina i ka në xhep.
Fenomeni i Çajit me Qumësht, tregon se, sado që aziatikët juglindorë shpesh e mirëpresin angazhimin ekonomik të Kinës, kjo gjithashtu vjen me komplikime të shtuara për të cilat udhëheqësit e Kinës shpesh duken të pavëmendshëm. Murray Hiebert argumenton në librin e tij “Nën Hijen e Pekinit”, se Azia Juglindore është një mikrokozmos i ambicieve globale të Kinës – duke sinjalizuar sesi diplomatët, korporatat dhe madje forcat e saj të armatosura, mund të veprojnë diku tjetër në të ardhmen.
Azia Juglindore e ndien praninë e Kinës më shumë se kushdo. Azia Juglindore fillon atje ku mbaron Kina – në rajonet malore kufitare të Vietnamit Verior, Laosit dhe Mianmarit. Shumë grupe që përbëjnë mozaikun e etnive moderne të Azisë Juglindore, e kanë origjinën më larg në veri. Kina Perandorake pretendoi supremacinë mbi sundimtarët e Azisë Juglindore. Vietnami, Tailanda dhe Burma (tani Mianmari) ishin degë të rëndësishme.
Marrëdhëniet midis degëve nxitën tregtinë, duke përfshirë edhe elemente ekzotike që kanë përcaktuar shijen kineze, si guri zhade. Emigrantët (kryesisht burra) nga Kina Jugore filluan të kërkojnë mjete jetese në vendbanimet europiane në Batavia (tani Xhakarta) dhe Manila. Në shekullin XIX dhe në fillimin e shekullit XX, ata u dyndën në plantacionet e kauçukut britanike dhe franceze dhe në minierat e kallajit, ose kërkuan fat në repartet e Singaporit dhe Rangoon (tani Yangon). Shumica qëndruan.
Sot, rreth 33 milion aziatikë të juglindjes pretendojnë përkatësi etnike kineze. Në Malajzi dhe Indonezi, ata formojnë pakica të konsiderueshme – dhe në Singapor shumicën. Në Kamboxhia, Tajlandë dhe gjetiu, dallimet janë shpesh absurde – familja mbretërore Tailandeze ka prejardhje kineze.
Aziatikët juglindorë, të kripur në para
“Kinezët përtej detit” të Azisë Juglindore, thekson Charlotte Setijadi e Universitetit të Menaxhimit në Singapor, kanë luajtur role thelbësore në historinë e Kinës moderne. Ata ishin mbështetësit kryesorë të atyre që kërkonin përmbysjen e dinastisë perandorake Qing dhe krijimin e një republike moderne. Kohët e fundit, shtetasit e Azisë Juglindore me prejardhje kineze ndihmuan në nisjen e transformimit industrial të Kinës.
Suksesi tregtar i shumë familjeve kineze jashtë shtetit është i dukshëm – dhe pjesërisht si rezultat i margjinalizimit politik të kinezëve etnikë në shtetet e pavarura koloniale dhe pasardhëse. Kina e mirëpriti kapitalin dhe intelektin e tyre menaxherial pas hapjes së saj pas vitit 1978. Sot Shoqata me dhjetë vende e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) është një hallkë kryesore në zinxhirët e furnizimit të një sektori elektronik me qendër në Kinë.
Një e treta e qarqeve të integruara të Kinës vijnë nga Azia Juglindore, së bashku me tre të pestat e importeve të kompjuterëve. Tani, kapitali po rrjedh në anën tjetër, nga Kina në Azinë Juglindore. Investimet janë rritur gati 30 herë në dekadën e fundit, në gati 40 miliardë dollarë. Manjatët etnikë kinezë të Azisë Juglindore, janë ende ndërmjetës në marrëdhëniet ekonomike të rajonit me Kinën. Por shteti kinez po tregon dorë të fortë, në mënyra që aziatikët e juglindjes e pranojnë se sjellin përfitime, por edhe rreziqe.
Ndërveprimi ekonomik i Kinës me Azinë Juglindore ka ndodhur kryesisht përmes detit. Kjo po ndryshon. Qendra industriale e gravitetit të Kinës po zhvendoset nga bregu në drejtim të jugperëndimit dhe kufijve me Mianmarin, Laosin dhe Vietnamin. Për këtë destinacion të ri, Azia Juglindore aty pranë është një treg i dukshëm, një burim i inputeve dhe një rrugë e drejtpërdrejtë për në det.
Pengesat kryesore për një shtytje në jug janë gjeografike – tokat kufitare të pakalueshme. Për t’i kapërcyer ato, Kina ka angazhuar Azinë Juglindore në një infrastrukturë të furishme ndërkufitare (shih hartën): rrugë të reja, një tubacion gazi përmes Mianmarit, një port i ujërave të thella në Kyaukphyu në Gjirin e Bengalit dhe një hekurudhë për trena me shpejtësi të lartë përmes Laosit, që lidh Kunming me Singaporin.
Shumica e këtyre projekteve paraqiten si pjesë e Nismës Rruga e Mëndafshit e presidentit Xi Jinping. Në Azinë Juglindore, Kina i paraqet planet e saj sikur janë në përputhje me dëshirën e vetë ASEAN për integrimin rajonal. Banka Aziatike e Zhvillimit llogarit që nëse Azia në zhvillim dëshiron të ruajë rritjen, të eliminojë varfërinë dhe të merret me efektet e ndryshimit të klimës, atëherë ajo duhet të investojë 1.7 trilionë dollarë në vit në infrastrukturë për 15 vjet.
Zoti Xi dhe udhëheqësit e tjerë kinezë lavdërojnë përfitimet reciproke të bashkëpunimit ekonomik – duke theksuar njëkohësisht mosndërhyrjen e Kinës në çështjet e brendshme të të tjerëve. Kjo është retorikë e pëlqyeshme për autoritarët e rajonit. Shtetet post-koloniale të Azisë Juglindore janë të reja dhe të pasigurta. Udhëheqësit e tyre i bëjnë fre çdo sfide të perceptuar ndaj sovranitetit – ose së drejtës së tyre për të sunduar.
Megjithatë, pavarësisht avantazheve, shumë aziatikë në juglindje, e konsiderojnë praninë kineze ndonjëherë të tepruar dhe deklaratat e mosndërhyrjes si të pasinqerta. Investimet kineze shoqërohen me kushte të bashkangjitura. Huadhënësit dhe firmat e ndërtimit këmbëngulin tek punëtorët kinezë. Kontratat shpesh janë të paqarta dhe tepër të shtrenjta (disa përfshijnë ryshfete të nevojshme për t’i fituar ato).
Korrupsioni i lidhur me Kinën ishte një faktor në humbjen elektorale në vitin 2018 të kryeministrit të Malajzisë, Najib Razak dhe partisë së tij, e cila kishte qeverisur që nga pavarësia. Po ashtu, edhe prania e ambasadorit kinez për të bërë fushatë të hapur për partinë etnike kineze në koalicionin qeverisës – çka i bën të duken qesharake pretendimet kineze për mosndërhyrje. Ndërkohë, donacionet e fshehta për partitë politike në Malajzi dhe Indonezi, thotë një diplomat i vjetër nga rajoni, shpesh janë një biletë hyrjeje për të bërë biznes. Paratë kineze supozohet se fshiheshin pas kandidaturës së suksesshme të zotit Duterte në Filipine për presidencën në vitin 2016.
Disa projekte të mbështetura nga kinezët, mbi të gjitha hekurudha me shpejtësi të lartë për Laosin e vogël dhe të varfër, kanë pak arsyetim ekonomik dhe kostot mjedisore mund të jenë të larta. Një thatësirë e jashtëzakonshme në vitin 2019 në Mekong, u përkeqësua nga ndërtimi i digave kineze, duke ndërprerë rrjedhat sezonale të lumit, nga të cilat varen me miliona peshkatarë kamboxhianë dhe vietnamezë. Në Kamboxhia, Laos dhe Mianmar, rrëmbimi i tokave nga kinezët do të thotë shpyllëzim.
Për sa u përket pretendimeve të Kinës për qëllime paqësore, politikëbërësit kërkojnë në mënyrë private, për ta balancuar atë me pretendime të mëdha detare dhe territoriale në Detin e Kinës Jugore, duke e çuar Kinën në mosmarrëveshje me Brunein, Indonezinë, Malajzinë, Filipinet dhe Vietnamin. Në vitin 2016, një gjykatë arbitrazhi në Hagë hodhi poshtë pretendimet e Kinës, në një çështje të paraqitur nga Filipinet. Kur Singapori bëri thirrje që Kina të respektonte vendimet e gjykatës, diplomatët e Kinës e sulmuan ashpër qeverinë. Në të kundërt, Kamboxhia e vogël, e cila i ka dhënë përparësi besnikërisë ndaj Kinës mbi solidaritetin në Azi, është shpërblyer me hua.
Përulja
Megjithatë, përulja ndaj Kinës nuk garanton shpërblime. Zoti Duterte e la mënjanë vendimin e Hagës me shpresën për të tërhequr investime kineze. Zoti Xi menjëherë i premtoi atij miliarda për infrastrukturën. Por pak investime janë materializuar. Ndërkohë, në Detin e Kinës Jugore, agresioni kinez vazhdon. Siç shprehet Bilahari Kausikan, ish-diplomati i lartë i Singaporit: “Vetëm të korruptuarit e pandreqshëm ose naivët e pashpresë e marrin seriozisht retorikën e Pekinit për një komunitet me fat të përbashkët”.
Jo shumë kohë më parë, kufijtë e Laosit Verior ishin të padepërtueshëm. Sot kufiri është duke u mjegulluar dhe gjeografia po riformësohet nga projektet e infrastrukturës kineze dhe sipërmarrja e egër kineze. Ndërsa zhvillimi kinez lëviz në jug, qindra mijë kinezë lëvizin gjithashtu.
Këta janë xin yimin të Kinës, migrantët ose të huajt e “rinj” të vendit. Ata janë trupat e pranisë ekonomike në rritje të Kinës. Shumë kanë ardhur për të punuar në Azinë Juglindore në projekte rrugore. Të tjerë provojnë fatin e tyre në punësim. Se ku përfundon strategjia e Kinës dhe ku fillon nisma individuale rrallëherë është e qartë. Sido që të jetë, fuqia dhe prania kineze po zgjerohet.
Prania është më e dukshme në Kamboxhia, Laos dhe Mianmar, shtete të vegjël dhe të dobët, të dy me kufij porozë me Kinën. Disa qindra mijë kinezë kontinentalë operojnë në Mianmar, shumë prej tyre mbanin karta të falsifikuara shtetësie. Në “Zonën e Veçantë Ekonomike të Trekëndëshit të Artë”, ku Laosi takohet me Mianmarin dhe Tajlandën, po ngrihet një qytet kinez i lojërave të fatit, kontrabandës dhe argëtimit. Qendra është një kazino neoklasike rozë që tërheq të pasurit kinezë – bixhozi është i ndaluar në Kinën kontinentale. Monedha e qytetit është juani kinez. Forcat e sigurisë u rekrutuan në Kinë. Sinjalizimi është në gjuhën kineze.
Shumë më larg nga kufijtë e Kinës, në Manila, kryeqyteti i Filipineve, operacionet kineze të lojërave të fatit online, të njohura si pogos, zënë më shumë hapësirë zyre sesa qendrat ndërkombëtare call center në vend. Në kulmin e tyre, para pandemisë së koronavirusit, rreth 500,000 kinezë operonin në Manila, shumë prej tyre qëndronin më gjatë se kohëzgjatja e vizave. Agjencitë e drejtuara nga kinezët rregullojnë gjithçka për të sapoardhurit, nga vizat e punës, tek akomodimi, tek masazhet dhe seksi.
Në të gjithë Azinë, dëgjohet i njëjti kor ankesash: që xin yimin qëndrojnë vetëm mes tyre, marrin punët vendase, importojnë furnizimet e veta dhe rrisin çmimin e banesave lokale. Në Vientiane, Mandalay dhe Manila, qarkullon e njëjta shaka e errët: mirë se erdhët në provincën më të re të Kinës.
Është e gabuar t’i shohësh të gjithë personat xin yimin si të njëjtë. Mijëra kinezë të klasës së mesme kanë qenë një ndihmë për shkollat private të Malajzisë. Shumë emigrantë janë profesionistë të trajnuar mirë. Në Singapor, të rinjtë kinezë që studiojnë, punojnë dhe aplikojnë për kombësi janë të zgjuar, energjikë dhe të gatshëm të punojnë shumë në shtëpinë e tyre të re.
Megjithatë, prania e xin yimin shpesh ndërlikon marrëdhëniet gjoja të ngrohta “popull me popull” që lavdëron zoti Xi. Zyrtarët kinezë thonë se kritikat ndaj nismave kineze janë provë e mungesës së ndershmërisë, qëllimeve të liga ose ndërhyrjes perëndimore. Zoti Kausikan ia atribuon këtë qëndrim idesë së “madhështisë perandorake” – një bindje që shtetet më të vogla i detyrohen Kinës dhe duhet të nënshtrohen ndaj saj.
Dimensioni i gjuhës
Një dimension i habitshëm është gjuha gjithnjë e më posesive e Kinës ndaj diasporës kineze. Çdo sugjerim, sado i paqartë nga zyrtarët, që Kina ka një pretendim tokësor mbi kinezët etnikë në Azinë Juglindore, pa marrë parasysh se sa kohë më parë u larguan paraardhësit e tyre nga vendi, është një terren i rrezikshëm.
Në teori, gjuha kineze bën dallimin midis huaqiao, shtetasve kinezë jashtë vendit dhe huaren, çdokujt me prejardhje kineze pavarësisht nga shtetësia e tyre. Megjithatë, në një fjalim në vitin 2014, Xi i ngatërroi të dyja duke iu referuar me emrin haiwai qiaobao – “vëllezërit dhe motrat jashtë vendit”. Qëllimi pse punojmë me haiwai qiaobao, tha Xi, “është që të promovojmë ringjalljen e kombit kinez”. Ai e përsëriti këtë në një fjalim në shkurt me rastin e Vitit të Ri Kinez.
Për të theksuar rëndësinë e saj, në vitin 2018, shtrirja e informacionit në kinezët përtej detit iu dorëzua departamentit të Partisë Komuniste. Dhjetëra operacione në botë synojnë të krijojnë mbështetje për partinë dhe të neutralizojnë armiqtë politikë. Një mision kryesor është të sigurojmë që “pavarësisht se sa kohë më parë paraardhësit u larguan nga atdheu, ose për sa breza kanë qenë shtetas të një vendi tjetër, ata… ende kanë detyrime ndaj kombit paraardhës”.
Ideologjia racore kineze në lidhje me gjakun, jo shtetësinë, është ajo që i vendos në një pozitë të vështirë shumë aziatikë kinezë në juglindje. Ndjenjat antikineze nuk janë aspak të rralla. Mbështetja e Kinës për kryengritjet komuniste ishte arsyeja pse në Malajzi dhe Indonezi, kinezët etnikë u përjashtuan nga pushteti. Në maj 1998, dekada të tëra servilizmi nën diktatorin e Indonezisë, Suharto, shkaktuan një ngritje të dhunshme kundër regjimit dhe atyre që shihej se kishin përfituar prej tij – mbi të gjitha, pakica etnike-kineze e vendit. Qindra kinezë etnikë u vranë dhe dhjetëra gra dhe vajza u përdhunuan. Glodok, një qytet me popullsi të konsiderueshme kineze, thuajse u shkatërrua i gjithi.
Me demokratizimin pas rënies së Suhartos, fati i indonezianëve kinezë u përmirësua. Por progresi, siç shprehet Evan Laksmana i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Xhakarta, “u ndal” në vitin 2017 me arrestimin, gjykimin dhe burgimin e Basuki Tjahaja Purnama, ose Ahok, për akuza të sajuara. Ky ishte guvernatori kinez-indonezian i Xhakartës (dhe një i krishterë në një vend me shumicë myslimane). Disa udhëheqës islamikë deklarojnë se persona si Ahok janë elementë të një infiltrimi të ri komunist kinez. Por, nuk duhet harruar se të luash kartën e konspiracionit kinez ose në politikë, ose si një biznesmen që i kanë hequr një marrëveshje fitimprurëse, rrallëherë i bën dëm lojtarit të kartave.
Shpesh, Partia Komuniste e Kinës është e verbër ndaj rreziqeve të përdorimit të fushatave të ndikimit me aziatikët kinezë të Juglindjes si një mjet për ndërtimin e kombit. Siç thotë Reynard Hing, një kinez-filipinas që drejton një OJQ në Manila: “A po përpiqeni të përdorni kinezët jashtë shtetit si pjesë e makinerisë së propagandës? Kjo do të ishte shumë keq për kinezo-filipinasit. Do t’i jepte besim nocionit të kolonës së pestë”.
Një injektim në krah
Kina tani po përgatitet ndoshta për fushatën e saj më të madhe të ndikimit: diplomacinë e vaksinave në Azinë Juglindore. Si furnizuese e premtuar e shumicës së vaksinave të rajonit, ajo synon jo vetëm të fshijë nga mendjet e njerëzve kujtimin e Kinës si origjina e Covid-19, por gjithashtu të nxisë një valë mirënjohjeje për t’i dhënë fund pandemisë. Diplomatët e saj ua bëjnë të qartë qeverive të Azisë Juglindore se një pjesë e marrëveshjes është lavdërimi i bollshëm për Kinën.
Megjithatë, asnjë nga vaksinat e Kinës nuk i ka përfunduar ende të gjitha provat dhe rezultatet deri më sot janë të pakta. Ndoshta më shqetësues është fakti se dyshimi i Azisë Juglindore për Kinën, është përkthyer në hezitim të vaksinave. Presidenti Joko Widodo, i njohur si Jokowi, u vaksinua i pari në Indonezi, në janar, me Sinovac. Në të njëjtin muaj, organi i lartë islamik i Indonezisë e deklaroi vaksinën kineze si hallall, domethënë e lejueshme për myslimanët. Kjo erdhi si një lehtësim për Jokowi, i cili i ka premtuar imunitet në masë në 15 muaj. Megjithatë hezitimi ndaj vaksinave në Indonezi po rritet, veçanërisht rreth atyre kineze.
Nëse programi i vaksinave kineze nuk ka arritje në Azinë Juglindore, thotë dr. Setijadi i Universitetit të Menaxhimit në Singapor, “kjo mund të jetë negative për ndikimin e Kinës”. Nuk do të ishte fare e favorshme që aziatikët kinezë juglindorë të identifikoheshin me Kinën. A mund të pritet që Kina të jetë e ndjeshme ndaj këtyre dinamikave? Duke marrë parasysh sjelljen e saj të kaluar, përgjigjja është jo.
Përktheu Lira Muça
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.