Çaji, tregu 4 milion tonë

07/05/2012 3:47 PM 0 komente

Ashtu si dhe për produktet e tjera tropikale, tregu botëror i çajit ka parë tendencë në rritje, e udhëhequr nga rritja e kërkesës, çmimet e ulëta dhe kthimi i prodhuesve në vendet në zhvillim.

Disa përpjekje për të kontrolluar furnizimin ndër vite kanë rezultuar joefektive. Ekspertët e tregut të çajit e kanë orientuar vëmendjen te kërkesa dhe në veçanti, si ta rrisin kërkesën në vendet prodhuese, ku konsumi i çajit për frymë është i ulët, sipas një raporti të FAO-s. Prodhimi botëror i çajit vazhdon të rritet më shumë se 3% në vit dhe vlerësohet të ketë arritur në 4% gjatë 2011-s. Zgjerimi vjen kryesisht nga rekordi i të korrave në Kinë, Vietnam dhe Indi.

Të dhënat e fundit tregojnë se prodhimi i çajit të zi është rreth 2.8 milionë tonë krahasuar me rreth 1.1 milionë tonë çaj jeshil. Parashikimet e FAO-s për vitin 2017 thonë se prodhimi botëror i çajit jeshil pritet të rritet shumë më shpejt se prodhimi i çajit të zi, (4.5% rritje vjetore krahasuar me 1.9% për çajin e zi). Pritshmëritë janë për një rritje të prodhimit në Kinë, ku programi për zgjerimin e prodhimit përmes rehabilitimit, mbjelljeve të reja pritet të vazhdojnë deri në 2017-n.

Me një rritje vjetore mesatare këto dhjetë vitet e fundit prej 2.5%, tregu indian është prodhuesi kryesor i çajit të errët. Aktualisht pesha e prodhuesve indianë në këtë treg është rreth 43% e prodhimit global. Dhjetë vite më parë, në Indi prodhohej rreth 38% e totalit të çajit të errët.

Sipas parashikimeve të FAO-s, edhe tregu afrikan po sheh një rritje të konsiderueshme të prodhimit, për shkak të moshës optimale të shkurreve të çajit, por njëkohësisht edhe rritjes së aftësisë së grumbulluesve të vegjël. Prodhimi në Kenia pritet të rritet me 2.3% në vit, për të arritur në 304 mijë tonë gjatë vitit të ardhshëm.

Niveli i konsumit botëror të çajit është pothuajse në të njëjtin nivel me prodhimin. Por norma e rritjes është disi më e ulët se mesatarja e dhjetëvjeçarit të fundit. Gjatë vitit 2010 konsumi u rrit vetëm 1%, ndërkohë që rritja vjetore mesatare e dekadës së fundit ishte 2.7%. Konsumi për frymë në vendet kryesore prodhuese të çajit është i pakët, pavarësisht rritjes së tyre të fortë ekonomike. Konsumi në Rusi është 1.4 kg/frymë/vit, në Britani 2.2 kg/vit, por në Indi konsumi i çajit është vetëm 0.65 kg/frymë në një vit dhe në Kinë vetëm 0.55 kg/vit.

Sipas raportit të fundit të FAO-s, në vendet prodhuese ka shumë potencial të zgjerimit të konsumit bazuar në rritjen e madhe ekonomike dhe me një nivel të ulët të konsumit të çajit për frymë. Sipas FAO-s, një nga mënyrat për të rritur konsumin është përmirësimi i cilësisë. “Zgjerimi i konsumit në vendet prodhuese mund të lehtësojë presionet e furnizimit në nivel botëror dhe të përmirësojë çmimet e çajit në një periudhë afatgjatë”, thuhet në raportin e FAO-s.

Më shumë cilësi

Pavarësisht se cilësia e çajit është një çështje komplekse ka një interes ndërkombëtar në përmirësimin e standardeve të cilësisë minimale të pranueshme për çajin e tregtuar në tregjet ndërkombëtare. Një cilësi më e mirë do të rrisë kërkesën. Sigurisht që nuk është e lehtë të gjenden standardet e cilësisë të pranueshme në nivel ndërkombëtar.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of