Call Center (qendrat e thirrjeve telefonike) janë kthyer në sektorin me rritjen më të shpejtë vitet e fundit, duke shfrytëzuar avantazhin konkurrues të fuqisë së lirë punëtore dhe njohjes së gjuhës italiane. Numri i kompanive Call Center po rritet me shpejtësi deri në dyfishim në një vit, ndërsa çdo sipërmarrje raporton se është rritur minimalisht 10% në vit. Sipas INSTAT, në vitin 2014 operonin 414 biznese Call Center në të gjithë vendin, ose 35% më shumë se një vit më parë. Krahas rritjes në Tiranë (ku janë dhe më shumë qendra universitare) ky lloj shërbimi po zgjerohet në të gjithë vendin.
Industria pritet të sofistikohet më tej, duke ofruar shërbime më të specializuara, përtej thjesht njohjes së gjuhës italiane.
Deloitte Albania, shoqëri shërbimesh auditimi e konsulence financiare, ka sot mbi 100 të punësuar që punojnë për simotrën Deloitte Italy. Ata duhet jo vetëm të dinë gjuhën, por të jenë ekonomistë dhe informaticienë të mirë, teksa kryejnë shërbimet e auditit, konsulencës dhe të IT-së dhe zbatojnë programin SAP në aplikimet e biznesit për kompanitë kliente të Deloitte në Itali, të mbikëqyrur nga ekspertët italianë. Kosto e lirë e fuqisë punëtore mbetet avantazhi kryesor, teksa një punonjës në Itali paguhet mbi 1000 euro, ndërsa në Shqipëri, një i sapodiplomuar, me pak trajnim mund ta ofrojë të njëjtin shërbim me gjysmën e kësaj pagese.
Shërbimet e design kanë filluar të kryhen nga sipërmarrje shqiptare për llogari të klientëve italianë.
Intercom Data Service (IDS), operatori më i madh Call Center në vend ka diversifikuar shërbimet së fundmi, përmes një marrëveshjeje me Google për ofrimin e shërbimeve të teknologjisë së informacionit, për të cilin ka punësuar inxhinierë, ndërsa ka sjellë inxhinierë nga Italia për të trajnuar punonjës shqiptarë. Nëse do të dëgjojnë administratorin e kompanisë që ka nënshkruar marrëveshje me “Google”, të gjithë të rinjtë do të suleshin në Fakultetin e Inxhinierisë Informatike, matematikës informatike, e çdo sektor që ka të bëjë me disa shërbime teknike.
Sot, kësaj kompanie i duhen inxhinierë, konsulentë për të gjitha shërbimet “Google”, e këtu nuk flasim për operatorë me pagë mujore 30-50 mijë lekë. Duke parë zhvillimin e sektorit informatik, disa sipërmarrës në këtë sektor theksojnë se do të ketë hapësira të mëdha për inxhinierët e informatikës, programuesit, konsulentët IT.
Flet Dekania e Fakultetit të Informacionit dhe të Teknologjisë, Rozeta Miho:
Kërkesa e të huajve për IT në rritje, të rriten kapacitetet e universiteteve
Bota në epokën e teknologjisë dhe internetit po ofron gjithnjë e më shumë mundësi për biznes dhe punësim. Ashtu si edhe në shumë linja të tjera, vendet e zhvilluara të Europës po kërkojnë shërbime të Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit (TIK) edhe në rajon. Këto vitet e fundit, eksporti i shërbimeve të IT po zgjeron gjithnjë e më shumë hapësirën në eksportin e shërbimeve në tërësi. Shqipëria, si porta hyrëse në rajon, është e para në të cilën investitorët interesohen. Dekania e Fakultetit të Informacionit dhe të Teknologjisë, Rozeta Miho tha se, këto dy vitet e fundit shumë kompani të huaja janë interesuar pranë fakultetit për të kontraktuar në punë programues. Kërkesa për këtë lloj shërbimi është në rritje, – tha dekania dhe kualiteti profesional që fakulteti shqiptar i TIK ofron është i lartë. Mirëpo Miho tha se, pagat që kompanitë e huaja ofrojnë për programuesit shqiptarë janë dukshëm më të ulëta se në Itali apo edhe në rajon. Në Shqipëri, një programues paguhet mesatarisht 60-70 mijë lekë në muaj, ndërsa në rajon dhe vende të tjera, kjo punë është shumë më e paguar. Miho tha se Fakulteti i TIK e ka programin e mësimdhënies sipas modelit të Universitetit të Torinos në Itali. Studentët që mbarojnë nivelin bachelor mund të vijojnë studimet për master në shumicën e vendeve të zhvilluara të Europës, si Francë, Gjermani, Austri etj.
Ajo tha se, diploma shqiptare e nivelit të parë njihet në vendet e tjera, ndryshe nga diplomat e fakulteteve të tjera. Mirëpo ky fenomen ka bërë që studentët më të mirë të ndjekin studimet master jashtë vendit, duke zgjedhur të mos kthehen më në Shqipëri.
Dekania tha se në Shqipëri, tregu i punës nuk ofron rroga stimuluese për burimet njerëzore shumë të kualifikuara. Duke qenë se Europa është afër gjeografikisht me Shqipërinë, gjithnjë e më shumë studentët e mirë zgjedhin të punojnë jashtë Shqipërisë. Ajo tregoi se kapaciteti vjetor i diplomave është rreth 180 studentë në vit për të tre degët e TIK-ut.
Mungesa e infrastrukturës në universitete që nga sallat e mësimdhënies dhe laboratorët e kufizojnë fakultetin të prodhojë punonjës IT, nëse nga ana tjetër do të kishte një kërkesë gjithnjë e në rritje. Politikat qeveritare duhet të jenë stimuluese edhe në këtë drejtim pohoi ajo.
Miho tha se modeli turk i universiteteve është për t’u marrë në konsideratë. Atje universitetet e IT kanë pronësi toka ku ftojnë kompanitë të zhvillojnë aktivitetin. Në këtë mënyrë, edhe kompania merr shërbime me kosto të lirë dhe studentëve u mundësohet praktika më e mirë e mundshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.