Ministri Shkëlqim Cani, takoi në Ministrinë e Financave një grup studentësh të Fakultetit Ekonomik, Dega Ekonomiks dhe Financë.
Takimi u zhvillua në kuadrin e takimeve të radhës që zoti Cani ka bërë me studentët, duke i informuar mbi zhvillimet e fundit në fushën e stabilitetit të Financave Publike dhe marrëdhënieve me FMN.
Ministri u fokusua kryesisht në pikat kryesore në të cilat u bazuan diskutimet me misionin e fundit të FMN-së, si performanca e tatimeve dhe doganave, deficiti i sistemit energjetik, kuadri makro dhe sfidat e daljes nga kriza, axhenda e Qeverisë dhe reformat e rëndësishme për TVSH dhe Doganat, kontabilitetit, përfshirë edhe luftën ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisë.
Studentët ndoqën me vëmendje prezantimin e Ministrit dhe njëkohësisht drejtuan pyetje të ndryshme në lidhje me ligjin e TVSH-së, kuadrin makro dhe opsionet e daljes nga kriza.
Ministri i ftoi studentët të marrin tema diplome, në fushat ku aktualisht Ministria dhe stafi që ai drejton po punon, duke ju ofruar të gjithë ndihmën si materiale, ashtu edhe institucionale në këtë fushë. Kjo për faktin se ka qenë për një kohë të gjatë edhe pedagog i tyre, dhe mbetet e angazhuar në drejtim të mbështetjes së brezit të ri me njohuritë më bashkëkohore të fushës.
Studentët e falenderuan Ministrin për gatishmërinë dhe kohën që ju dedikoi si edhe u angazhuan për të punuar më tej në detyrat e tyre me informacionet më të përditësuara në fushën e Financave Publike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.