“Cash”-i kushton ekonomisë shqiptare 290 milionë dollarë në vit

25/12/2019 10:00 AM 0 komente

Nëse në mënyrë hipotetike do të eliminohej përdorimi i transaksioneve “cash” rritja ekonomike mesatare e periudhës 2014-2018 do të arrinte në 3.6%, kundrejt nivelit faktik prej 3.1%. Ky krahasim i përllogaritur nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë synon që të zbardhë kostot e larta që ka përdorimi i parasë cash në ekonomi, sidomos në sektorin e biznesit.

Vlerësimet tregojnë se ekonomia shqiptare ka një kosto ekuivalente prej 2.5% të PBB-së së vendit, lidhur me përdorimin, emetimin dhe përpunimin e të gjitha instrumenteve të pagesave me vlerë të vogël. Kjo përkthehet afërsisht në 33.7 miliardë lekë ose 290 milionë dollarë. Vërehet se ofruesit e shërbimeve të pagesave (PSP) dhe ofruesit e shërbimeve të infrastrukturës (PIP) mbajnë rreth 40% të këtyre kostove, të ndjekur nga konsumatorët me 36%, bizneset me 23% dhe qeveria që mban 1% të kostos totale. 

Bizneset, agjencitë dhe qytetarët paguajnë në transaksionet cash me bankat komisione dhe kosto të tjera që shoqërojnë këtë proces, por nëse transferimet do të bëheshin me karta nga llogaritë bankare, bizneset dhe konsumatorët do të kursenin miliona euro në vit.

Banka e Shqipërisë ka përgatitur një projektligj të ri për pagesat bankare që synon të lehtësojë këto kosto.

Paketa parashikon krijimin e njësive brenda institucioneve për adresimin e mbrojtjes së shërbimeve të pagesave (të ngjashme me atë të kredisë konsumatore), si dhe një njësi të posaçme brenda Bankës së Shqipërisë për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve. Një risi e rëndësishme e projektligjit, në kuadër të përfshirjes financiare, e cila synon të zgjerojë prezencën e shërbimeve të ofruara nga bankat në të gjithë territorin (përfshirë dhe zonat rurale) do të adresohet nëpërmjet prezantimit dhe rregullimit të modelit të “Bankave që ofrojnë shërbime pagesash nëpërmjet agjentëve”.

Projektligji si dhe nisma të tjera ligjore e rregullative vlerësohen se kontribuojnë në krijimin e institucioneve financiare me një qeverisje të mirë rregulluar dhe struktura për administrimin e rrezikut.  

Sipas përdorimit, vlerësohet se 64.5% e pagesave totale ose 34.4 pagesa për një të rritur në vit janë bërë për blerjen/shitjen e sendeve ushqimore dhe mallrave të domosdoshme. 

Pagesat për faturat dhe shërbimet periodike përbëjnë së bashku 30% të të gjitha pagesave, ndërsa pagesat për mallrat e qëndrueshme, pagesat e qeverisë dhe remitancat bashkërisht përbëjnë 5.5% të të gjitha pagesave të iniciuara vjetore.

Sipas metodave të transmetimit, pagesat e iniciuara në pikën e ndërveprimit përbëjnë 78.5% të pagesave totale; ato në një degë të ofruesit të shërbimit të pagesave (PSP) përbëjnë 11.5%  të pagesave totale; ndërsa 10% e pagesave të mbetura janë iniciuar në pikat e agjentëve, ose nëpërmjet internetit.

Pagesat në internet përbëjnë vetëm 1.3% të të gjitha pagesave. Kur shikojmë prerjet e pagesave sipas metodës së transmetimit dhe të përdorimit, vlerësohet se përsëri pagesat cash zënë një pjesë të konsiderueshme në totalin e pagesave të iniciuara nga konsumatorët. Kështu, 99% e të gjitha pagesave të iniciuara në pikën e ndërveprimit janë përmes cash-it. 81% e pagesave të bëra në degët e bankave janë iniciuar përmes cash-it, ndërsa pjesa e mbetur prej 19% janë iniciuar nëpërmjet transfertave të kreditit në formë letër. 

Mes gjithë pagesave në internet, 35% e tyre janë iniciuar nëpërmjet transfertave elektronike të kreditit, 31% përmes kartës së kreditit, 20% nëpërmjet kartës së debitit dhe 14% janë transaksione nëpërmjet internetit. Për më tepër, 10% e të gjitha pagesave të faturave iniciohen online.

Nga ana tjetër, konsumatorët në Shqipëri marrin përafërsisht 38 milionë pagesa në vit ose 16 pagesa për çdo të rritur në vit, nga të cilat 90% janë pranuar në cash, 8% janë pranuar nëpërmjet transfertave  direkte të kreditit dhe 2% nëpërmjet parasë në internet.

Sipas qëllimit të përdorimit, 28% e pagesave të konsumatorëve merren për mallra dhe shërbime të ofruara nga individë të tjerë që nuk janë biznese të formalizuara. Vlerësohet se përdorimi i instrumenteve të pagesave për konsumatorët shqiptarë ka një kosto vjetore sa 1% të PBB-së. Vlerësohet se për konsumatorët përdorimi i cash-it ka një kosto ekonomike vjetore sa 0.7% të PBB-së, ndërsa transfertat e kreditit në formë letër kanë një kosto ekonomike prej 0.12% të PBB-së së vendit.

Bizneset shqiptare iniciojnë rreth 18,2 milionë pagesa në vit ose 792 pagesa për një biznes në vit, nga të cilat 66% janë cash. Përdorimi i cash-it ndryshon sipas madhësisë së biznesit, ku ndërmarrjet mikro iniciojnë 93% të vëllimit vjetor të pagesave në cash, ndërsa bizneset e mëdha 47%. 

Në total, bizneset në Shqipëri kanë shpenzime vjetore të barabarta me 0.6% të PBB-së në kontekstin e marrjes dhe inicimit të pagesave nëpërmjet gjithë instrumenteve të pagesave, ku vetëm cash-i përfaqëson 0.30% të PBB-së ose gjysmën e kostove totale.  

Matjet për vitin 2014 tregojnë që kostoja vjetore e cash-it për agjencitë qeveritare është 0.02% e PBB-së.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of