Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, Adrian Çela, ka zgjedhur Vlorën, si një nga zonat më të preferuara turistike për pushuesit vendas e të huaj, për të inspektuar nga afër investimet që po kryhen në rrjetin shpërndarës të qytetit dhe fshatrave përreth tij.
Kreu i OSHEE, z.Çela, dha një prononcim para mediave ku bëri një analizë të treguesve të performancës së furnizimit me energji elektrike, të cilat, nisur nga përvoja e një viti më parë, janë përmirësuar ndjeshëm.
Në fjalën e tij, Çela tha se pas ndërhyrjeve emergjente gjatë vitit 2015, OSHEE hartoi dhe nisi zbatimin e strategjisë së investimeve konkrete afatgjata në zonat bregdetare (sikurse po bën edhe në pjesë të tjera të vendit).
“Vitin e kaluar, për rastësi këtu në Vlorë, po ju ishit gazetarë, duke inspektuar rrjetin e dobët të shpërndarjes, mos gaboj në zonën e Himarës (Potam) premtova ose u angazhova se 2016 do të ishte një vit shumë më ndryshe.
Ky premtim u realizua më së miri dhe unë po ju jap disa fakte duke nisur nga Vlora”, u shpreh kreu i OSHEE:
Çela dha si shembull dy treguesit e performancës së cilësisë së furnizimit me energji elektrike në qytetin e Vlorës, që krahasuar me një vit më parë, janë përmirësuar ndjeshëm
Numri i stakimeve për një abonent – është përmirësuar në masën 75%
Kohëzgjatja e ndërprerjes – është përmirësuar në masën 82%
Koha e riparimit të defekteve është ulur 73%
Numri i defekteve është zvogëluar 70% (këtu te defektet në Vlorë kemi raportin më të mirë në të gjithë vijën bregdetare)
Administratori i OSHEE, tha se edhe në zonat e tjera bregdetare, cilësia e furnizimit me energji elektrike ka qenë shumë më e mirë se një vit më parë, referuar analizës së dy treguesve të performancës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.