Expocity Albania, sikurse e ka bërë traditë prej disa vitesh, çeli këtë të mërkurë edicionin e 5-të të Panairit dhe Forumit Ndërkombëtar të Energjisë.
Në fjalën e hapjes së këtij eventi, CEO e Expocity, Aulona Hoxha, tha se interesi për këtë sektor ka qenë i madh, duke qenë gjithmonë në fokus. Këtë, sipas saj, e tregon zgjerimi i hartës së pjesëmarrësve, teksa forumi shërben si një ndarje idesh dhe informacioni për zhvillimet më të fundit të tregut.
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja, në fjalën e tij do të ndalej te hapat që janë hedhur nga qeveria për të nxitur investimet në sektorin e energjisë, duke hequr barrierat aty ku është e mundur dhe duke eliminuar burokracitë.
“Kur hasni një ndalesë në procedura do të thotë që është një element që kërkon më shumë vëmendje por ajo nuk mund të kthehet në pengesë.
Në këtë pikë duhet më shumë bashkëpunim mes palëve për ta kaluar. Ju dëgjoni shpesh që marrja e statusit të investitorit strategjik është garanci për projektin, por në fakt në energji ky status është i dhënë që në momentin që sektori cilësohet si strategjik. Është prioritet kombëtar që ne e mbështesim, por duke vendosur kushtin që investimet të bëhen në balancë me një mjedis të pastër dhe pa ndikime negative”, nënvizoi zv.ministri.
Ai nënvizoi se ecuria e investimeve në sektor nga ana e kompanive publike po bëhen në funksion të rritjes së kapaciteteve dhe cilësisë për t’ju përgjigjur kushteve të reja të tregut.
Administratori i OST, Skerdi Drenova, theksoi se janë disa projekte të rëndësishme që po zhvillohen përsa i përket ndërlidhjes rajonale ashtu edhe asaj brenda vendit por kërkoi që kompanitë që zhvillojnë projekte investimi të sjellin projeksione realiste në mënyrë që alokimi i investimeve në rajonet përkatëse ku lind nevoja të bëhet në kohë më të shkurtër.
Lidhur me Bursën e Energjisë, administratori i ALPEX, Sokol Dishnica, tha se tashmë janë regjistruar kompanitë e para publike dhe në ditët në vijim priten të tjera anëtarësime, teksa paketa e rregullave është miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë dhe së shpejti zhvillohet ankandi i parë.
Përfaqësuesi i OSSH solli në vëmendje investimet e bëra nga vetëprodhuesit e energjisë që sipas tij janë bërë në zona industriale ku akomodimi i nevojave të tyre në rrjet ka qenë më i lehtë, por ashtu sikurse OST, kërkoi që planifikimi dhe kërkesat që paraqiten të jenë sa më realiste.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, u ndal në politikat mbështetëse të qeverisë dhe hapat e hedhura drejt rritjes së sigurisë së furnizimit duke nënvizuar se miratimi i ligjit të ri për burimet e rinovueshme do t’i japë një nxitje të re investimeve ndërkohë që projekte të mëdha në sektorin e eolikëve do të zënë vend së shpejti.
“Ne parashikojmë një ankand për kapacitet 300 Mw me subjekte që do të jenë vetë përgjegjëse për tokën dhe projektet dhe do të aplikojnë pranë ministrisë me çmim. Ndërkohë në maj mbyllim ankandin eolik për një kapacitet të parashikuar 150-200 MW, ku gjashtë kompani kanë shfaqur interes dhe do të shpallim fituesit.
Kriza e energjisë na ka vënë në pozitë të vështirë por ka përshpejtuar procese dhe reforma që mund të kërkonin kohë më të madhe dhe këto janë disa nga masat që kemi planifikuar si ministri” tha Karakaçi.
Panairi dhe Forumi Ndërkombëtar i Energjisë do të mirëpresin të interesuarit për tre ditë pranë Expocity Albania ndërkohë që do të ofrohet konsulencë mbi mundësitë e investimit, avancimin teknologjik, politikat mbështetëse sa i takon sektorit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.