Panairi Ndërkombëtar i Turizmit dhe Mjedisit hapi sot siparin, event i cili zhvillohet para fillimit të sezonit veror dhe në vijim të dy viteve pandemi. Panairi do të jetë platforma mes tur-operatorëve shqiptarë dhe rajonalë, që do të mundësojë urën e lidhjes e bashkëpunimit mes bizneseve të sektorit.
Në çelje të Panairit, drejtoresha ekzekutive e Expocity Albania, znj. Aulona Hoxha, tha se të pranishmit do të kenë mundësi të bashkëveprojnë mes stendave të tyre, në kushtet e një tregu të përbashkët rajonal, si dhe të sjellin ofertat më të mira për turistët shqiptarë dhe përtej.
Ines Muçopepa, presidente e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë Shqiptare tha se “pas një mbyllje dyvjeçare, sot jemi në një moment ku po jetojmë sërish lirinë tonë. Jemi të kënaqur që kemi kaq shumë pjesëmarrës nga rajoni dhe vendi ynë, janë 95 operatorë turistikë . Ky është një moment që ka nevojë për bashkëpunim edhe më të madh mes nesh, mes dhomave të tregtisë dhe shoqatave “. Shpresoj shumë që kur të mbahen evente të tilla, të prezantohen edhe produktet “Made in Albania”.
Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar, deklaroi se “ do të donim që në të ardhmen të kishim një tjetër panair më të madh se sa ky në mënyrë që të gjithë të ekspozonim bukuritë e vendit tonë, sepse nuk ka më bukur se sa të ekspozosh vlerat dhe potencialet e Shqipërisë ku të gjithë operatorët e huaj vinë vetëm për pjesëmarrje por mundë shihnin nga afër atë çka me të vërtetë ofron vendi ynë. Në emër të 600 operatorët tanë kemi kërkuar që në të ardhmen të mbahet një panair më dinjitoz për turizmin në kuptimin e përmbajtjes dhe jo në këtë periudhë por në vjeshtë ose në pranverë me qëllim që mundë të ftojmë edhe më shumë operatorë të huaj.
Kreu i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti falënderoi organizuesit e panairit për mundësin e dhënë unionit të Kosovës në këtë panaire ai deklaroi se “ këto panaire krijojnë mundësi që operatorët të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi por njëkohësisht këta operatorë janë pozicionuar për të gjithë qytetarët e Shqipërisë që duan ta vizitojnë Kosovën për të marrë informacionet e duhura për vendet dhe ofertave që ka Kosova.
Operatorët kërkojnë mbështetje financiare të qeverisë, ashtu si po veprohet në rajon
Në këtë dite të parë të panairit, u organizua një Forum me tematikë “Sfidat e Turizmit pas Covid”, ku tur operatorët si dhe përfaqësues të Shoqatave shprehën shqetësimet e tyre.
Rrahman Kasa, kryetar i Unionit të Operatorëve Turistikë tha se “Gjatë kohës së pandemisë turizmi ra në një krizë shumë të madhe, ku për fat të keq ne sapo kishim kaluar edhe krizën e tërmetit edhe tani krizën e luftës në Ukrainë. Në vendet e tjera të rajonit si Maqedonia e Veriut kanë pasur mbështetje të mëdha financiare, për të amortizuar rritjen e madhe të çmimeve. Maqedonia e Veriut miratoi një paketë prej 365 milionë euro për shkak të krizës së ardhur nga konflikti në Ukrainë. Ndërsa në vendin tonë këto paketa janë inekzistente
Fatos Cerenishti, nga “FAFA”, një ndër grupet hoteleiere më të mëdha në vend pohoi se “Sektori i hotelerisë në bregdet ka ende shumë probleme, shërbimet në këto sektorë nisin që nga institucionet arsimore, sepse studentët e shkollave profesionale nuk kanë nivelin e duhur për të punuar në bizneset tona. Një problem tjetër në vendin tonë është se pavarësisht se sa e pasur është Shqipëria në pasuri natyrore janë të huajt ata që e vlerësojnë më shumë këtë vend sesa ne vetë , duhet të jemi më miqësorë me ambientin dhe ti kushtojmë rëndësinë e duhur biznesit”.
Bardhi Sejdarasi, gazetar, tha se “Në këtë forum duhet të jetë edhe autoritetit publikë që mbulon këtë sektorë, duhet të jetë qeveria, ministria përkatëse dhe drejtuesit përkatës sepse nuk janë pak drejtues që mbulojnë këtë sektorë të cilët në shumicën e rasteve ose mungojnë ose janë të pandjeshëm ndaj shqetësimeve që ngrihen”.
Ministria e Turizmit dhe Qeveria shkëlqeu me mungesën në hapjen e panairit, që trajton problematikat dhe potencialet e sektorit të turizmit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.