Në një treg ku konsumatorët po u gëzohen tarifave të leverdisshme, kompanitë celulare kanë ashpërsuar konkurrencën, duke marrë nga “torta” e njëri-tjetrit, teksa ky biznes ka hyrë në një cikël maturimi
Oferta pa fund, me paketa prej mijëra minutash për të folur në celular kundrejt një pagese minimale dhe internet pa limit kanë pushtuar televizionet dhe shtypin e shkruar.
Nga 1000-1200 minuta bisedë në javë për vetëm 300 lekë deri te smartphone që kushtojnë edhe 11,000 lekë, mundësitë e zgjedhjes për konsumatorët janë të pafund.
Dhe në një treg ku konkurrenca është ashpërsuar ndjeshëm, ndryshe nga sa ndodhte disa vjet më parë, ata janë më të fituarit.
Operatorët e telefonisë së lëvizshme, nga ana e tyre, po i përshtaten një mjedisi të ri, teksa pas vitit 2008, kur tregu, i matur sipas të ardhurave, arriti nivelin maksimal,
ai po shënon një rënie vjetore prej mesatarisht 3-4%. Normat e fitimit gjithashtu po vijnë në rënie, duke i lënë sidomos operatorët e mëdhenj të pakënaqur ndaj këtij realiteti të ri.
Për vitin 2011, sipas të dhënave që “Monitor” ka siguruar, tregu i telefonisë së lëvizshme arriti në rreth 46 miliardë lekë, me një rënie prej 3.5% me bazë vjetore. Janë disa arsyet që kanë çuar në tkurrjen e tij.
– Së pari, çmimet e bisedave të telefonisë celulare kanë rënë ndjeshëm vitet e fundit për shkak të shtimit të konkurrencës. Nga dy operatorë me pozicion duopol deri në vitin 2008, tashmë në treg janë katër kompani.
– Së dyti, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka ndërhyrë vazhdimisht për të ulur tarifat e terminimit me shumicë, si për thirrjet kombëtare ashtu dhe ato ndërkombëtare.
– Së treti, prej më se dy vitesh tregu është maturuar, me numrin e abonentëve që e ka kaluar ndjeshëm popullsinë, duke arritur në rreth 5.2 milionë dhe duke marrë në konsideratë të dhënat e fundit të regjistrimit të popullsisë penetrimi rezulton rreth 190%.
Megjithatë, operatorët pohojnë se penetrimi real (duke mos llogaritur numrin e kartave të shitura, por atyre që janë realisht aktive) është më i ulët se 100%.
Së katërti, ngadalësimi i ritmeve të rritjes ekonomike ka dhënë efektin e vet, me konsumatorët që janë bërë më të kujdesshëm dhe tentojnë të frenojnë shpenzimet e tyre.
Pritshmëria është që këta faktorë të vijojnë ndikimin dhe për këtë vit, çka do të rezultojë me një rënie tjetër të tregut. Teksa tregu i “bisedave zanore” dhe i SMS-ve (mesazheve tekst) po maturohet,
gara e kompanive po përqendrohet te komunikimi i data-ve (“të dhënat”). Një garë që gjithsesi është e deformuar për vetë mënyrën si u veprua me dhënien e autorizimeve të teknologjisë së tretë, 3G,
ku qeveria prioritet kishte arkëtimin e sa më shumë të ardhurave në buxhet në afatin e shkurtër, sesa ofrimin e këtij shërbimi me kosto më të lirë dhe të shpërndarë te të gjithë klientët e operatorëve celularë,
apo që të bënte kujdes që të mos rikrijonte situatë monopoliste apo duopoliste ndaj këtyre shërbimeve.
Natyrshëm, kompanitë që e kishin “mjelë” për mjaft vite tregun 2G, “Vodafone” (në treg që prej gushtit 2001) ishte i pari që mori autorizimin dhe prej një viti po ofron këtë shërbim, teksa AMC (në treg që prej 1998 –
kur “Cosmote” bleu kompaninë shtetërore të telefonisë mobile dhe mori një licencë GSM për 15 vjet), sapo ka filluar ta ofrojë një shërbim të tillë.
Ndërkaq, Ministria e Novacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, ka hapur garën për licencën e tretë, çuditërisht, me të njëjtin çmim dysheme si për dy autorizimet e tjera, prej 12.5 milionë eurosh.
Ky veprim, që sërish ka hasur në kundërshtimin e operatorëve, të cilët nuk e ofrojnë ende këtë shërbim, ka ngritur pikëpyetje për vetë mënyrën e trajtimit të kësaj çështje nga kjo ministri.
Për pak klientë më shumë
Kompania më e madhe për vitin e kaluar ka vijuar të mbetet “Vodafone”, që pas disa vitesh rënieje, ia ka dalë që të rrisë sërish të ardhurat në 2011-n, me një xhiro prej 23.8 miliardë lekësh dhe rritje vjetore prej 6.7%, sipas të dhënave nga tatimet.
Operatori ka shfrytëzuar teknologjinë 3G, ndërsa rezulton të jetë i pari në portabilitetin e numrave.
AMC (e cila po i afrohet vitit të fundit të licencës së saj 2G), renditet e dyta, me një rënie të ndjeshme të të ardhurave prej 18%, duke qarkulluar rreth 16 miliardë lekë. Siç pohon dhe vetë drejtori i AMC-së,
gjatë vitit 2011, operatori celular u përqendrua te rigrupimi dhe racionalizimi i operacioneve në të gjitha segmentet e kompanisë, duke filluar nga teknologjia, produktet dhe shërbimet, komunikimi dhe përmirësimi i procedurave.
Operatori i tretë, “Eagle Mobile”, ndonëse relativisht i ri, nuk i ka shpëtuar tendencës së një tregu të maturuar, duke shënuar një rënie të ardhurash prej rreth 8%, me një xhiro vjetore prej 5.4 miliardë lekësh.
Për “Plus”, 2011-a ishte viti i parë i plotë në treg (kompania filloi shërbimet komerciale vetëm në dhjetor 2010). Operatori më i ri i telefonisë celulare arriti të realizojë një xhiro prej 928 milionë lekësh.
“Vodafone” ka rritur peshën e vet në treg në 2011-n me 5 pikë përqindjeje, në 52%. “Eagle” ka ruajtur të njëjtin pozicion prej 12%, “Plus” ka fituar një kuotë prej 2%. Operatori që ka humbur më shumë treg mbetet AMC,
e cila, me sa duket, po vuan “konsumin” e viteve të arta, në të cilat ishte e vetme në treg, teksa kompanitë e tjera kanë arritur që t’i “rrëmbejnë” një copë prej 6% nga “torta” e tregut.
Sipas të dhënave të AKEP, struktura e përdoruesve celularë, në përdorues me parapagim dhe me paspagim (kontratë), është dukshëm në favor të të parëve, ku numri i përdoruesve me kontratë në raport me numrin total të përdoruesve celularë,
është më i ulët se 10%.
Po sipas AKEP, me përfundimin e vitit 2011, sasia e numrave të bartur ka arritur në një shifër të lartë rreth 41000 bartje. “Vihet re se rritja e konkurrencës efektive vazhdon dhe numri i abonentëve, të cilët kanë përfituar,
është rritur ndjeshëm. Kjo tregohet edhe me numrin e bartjeve gjatë muajit dhjetor, rreth 9000”.
AKEP thekson se të gjithë operatorët janë treguar aktivë për të bartur në rrjetin e tyre abonentët. Por vetë operatorët pohojnë se portabiliteti i numrave nuk ka sjellë rezultatet që priteshin.
Dhjetori, emigrantët rrisin tregun
Muajt e verës (korrik-gusht) dhe sidomos dhjetori janë periudha kur operatorët celularë realizojnë më shumë të ardhura, për shkak të kthimit të emigrantëve në atdhe. Sipas të dhënave mujore të shitjeve të deklaruara nga tatimet,
në dhjetor janë realizuar 13.5% e totalit të shitjeve vjetore të të gjithë tregut, nga 7-8% që është kjo peshë mesatarisht për muajt e tjerë.
Operatorët celularë të kompanive të mëdha pohojnë ndërkohë që kanë vënë re një rritje të numrit të përdoruesve, që ata e lidhin jo vetëm me qëndrimet afatshkurtra të emigrantëve, por me një qëndrim më të gjatë të tyre në vendin mëmë.
“Plus” ka arritur të rrisë peshën e tregut në muajt tetor e nëntor, duke kapur rreth 3% të tij me bazë mujore. “Eagle” ka shfrytëzuar mirë muajt e verës; “Vodafone” është pozicionuar më mirë në dhjetor, ndërsa AMC e ka nisur mbarë vitin,
për të lëshuar terren më pas.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.