Kur në treg operojnë katër kompani celulare, sërish vërehen pozita dominuese, duke ngritur “mure” penguese ndaj përdoruesve/konsumatorëve të zgjedhin lirshëm se sa dhe si të komunikojnë
Rreth një vit e gjysmë më parë, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) prezantoi fuqishëm, pas një fushate të gjerë, programin e portabilitetit (shërbimit të bartjes së numrit nga një operator në tjetrin). Sipas kësaj risie, çdokush kishte të drejtë të ndryshonte kompaninë celulare, duke ruajtur numrin. Kjo ishte një formë për të provuar në mënyrë direkte se sa vlente konkurrenca në tregun shqiptar të telefonisë celulare.
Aktualisht, sipas të dhënave të AKEP, janë rreth 150 mijë numra të mbartur, por faktet tregojnë se tregu ka ende probleme, edhe pse operojnë 4 kompani celulare. Licenca e fundit për operatorin e katërt, kishte për qëllim të liberalizonte më tej tregun, të shembte murin pengues të lëvizjes së lirë të operatorëve, për të folur me kosto sa më të ulët dhe me shërbim cilësor.
Faktet me shifra tregojnë se tregu ka ngecur nga “rrjetat” e operatorëve dominues, duke i kthyer në pengesë për zhvillimin e lirë të sektorit mobil, ndërsa autoritetet kompetente po shqyrtojnë në distancë “ngrirjen” e pozitave, të cilat po dëmtojnë konkurrencën.
Në Shqipëri dhe në Bashkimin Europian, aty ku synojmë të integrohemi ka diferenca për mënyrën se si trajtohen rastet e pozitave domuniese. Ky term (monopol apo duopol) duket disi abstrakt në kushtet kur në treg operojnë katër kompani dhe ku çdo kush është i “lirë” të zgjedhë shërbimin që dëshiron.
Por ofertat të imponojnë të zgjedhës “x” operator vetëm për faktin se ka krijuar një rrjet “të mbyllur”, duke përfituar nga pozita dominuese në treg, pavarësisht se nga analiza del se një “y” operator ofron tarifa më avantazhuese në raport me tjetrin.
Po flasim për tregun e përdorimit dhe komunikimit të celularë sa i takon pjesës së pakicës, pra kartave dhe paketave me parapagesë, nga ku rezulton se ka pozita dominuese, duke mos i lënë të tjerët të operojnë lirshëm, ose më saktë, duke u imponuar konsumatorëve të zgjedhin me patjetër operatorin “x”. Tregu me parapagesë është më i rëndësishmi në shërbimin e telefonisë celulare, me mbi 90% të abonentëve që përdorin këtë lloj karte, sipas të dhënave nga AKEP.
Për këtë qëllim, prej disa ditësh, Autoriteti i Konkurrencës ka deklaruar zyrtarisht se ka nisur paraprakisht një hetim mbi tregun e pakicës në sektorin e telefonisë mobile, për të parë se si qëndron problemi, nisur nga ankesat e mbërritura pranë institucionit. Në fokus të autoritetit është “keqpërdorimi i operatorëve me pozitë dominuese”, duke penguar konsumatorin të zgjedhë lirshëm paketën dhe kompaninë që dëshiron.
Pozita dominuese dhe rasti konkret
Për të kuptuar se si pozicionohen kompanitë, tarifat që aplikojnë më njëra-tjetrën dhe më pas për konsumatorët e tyre, mjafton të shikojmë në fillim të dhënat e AKEP, mbi pozitat e shoqërive, gjithnjë për paketat me parapagesë dhe ofertat që paraqesin.
Sipas raportit të AKEP, kompania “Vodafone Albania” ka një pozitë dominuese në treg, në të gjitha drejtimet (të ardhurat, bisedat dhe mesazhet). Pozitat dominuese janë pranuar dhe nga Autoriteti i Konkurrencës, sipas të cilit, “Ky treg karakterizohet nga ndërmarrje me pozitë dominuese në tregun e shërbimeve te telefonisë së lëvizshme me pakicë.”
Mjafton të shikosh pozitën dominuese të operatorit kryesor, 52 për qind sipas të ardhurave, në kushtet kur në Bashkimin Europian, pjesa e tregut e një operatori kryesues në BE ishte 38 për qind që në 2009-n.
Në fund të vitit 2011, sipas AKEP, Vodafone zotëronte 52% të tregut sipas të ardhurave, me një rritje nga 47% që ishte ky tregues në fund të 2010. Sipas vlerësimeve paraprake, kjo peshë rezulton të ketë arritur në 58$ në fund të 2012-s.
Sipas të dhënave nga AKEP, rreth 95 për qind e trafikut zhvillohet nag “Vodafon Club”. Te kjo paketë, kompania po sillet agresivisht, duke aplikuar tarifa të larta thirrjeje ndaj kompanive të tjera, ndërsa brenda rrjetit kostot e bisedave janë pothuajse zero.
Pra, konstatohen diferenca shumë të mëdha mes planeve tarifore brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit dhe veçanërisht tek ofertat javore të VF Club). Kështu, te kjo paketë, përdoruesit e “Vodafone” për 300 lekë në javë kanë të drejtë të flasin 1200 minuta brenda rrjetit të tyre (pra, VF Club me VF Club) dhe një shumë të kufizuar minutash me operatorë të tjerë.
Gjithashtu, brenda rrjetit të VF, aplikohet tarifa rreth 0.25 lek për minutë, ndërsa kundrejt rrjeteve të tjera, si psh ndaj PLUS-it, aplikohet tarifa 57 lekë/minutë dhe drejt dy operatorëve të tjerë, AMC dhe Eagle aplikohet tarifa 54 lekë/min.
Nga shifra kuptohet se kompania VF është treguar agresive që përdoruesit të zgjedhin të flasin vetëm brenda rrjetit dhe ka aplikuar tarifa të larta për jashtë rrjetit. Në këto kushte, diktuar nga pozita dominuese e VF, përdoruesit e operatorëve të tjerë (edhe pse kanë kushte më të mira) janë të detyruar me sforco të zgjedhin paketat e VF Club vetëm për faktin se shokët apo të afërmit kanë “rënë në grackën e tarifave” të VF dhe nuk mund të flasin lirshëm me të.
Pikërisht diferencimi me tarifat midis thirrjeve “on net” (brenda rrjeteve të tyre përkatëse) dhe atyre “off net” (rrjetet rivale), në një kohë që kompania më e madhe në vend ka një pozicion dukshëm dominues,( i njohur si efekti rrjet) bën që klientët të mbahen të mbyllur brenda një kompanie, duke dobësuar pozitat e operatorëve të tjerë më të vegjël në treg dhe duke kufizuar në këtë mënyrë konkurrencën.
Ky rast si dhe të tjera, mendohet të jetë fokusi i hetimit nga ana e Autoritetit të Konkurrencës AK). Si ky shembull me shifra konkrete, janë dhe të tjerë, që kompani të ndryshme celulari kanë me njëra-tjetrën. Duhet thënë se një rast i ngjashëm është dënuar ashpër nga autoriteti francez i Konkurrencës, i cili ka gjobitur “Orange” dhe SFR me një shumë totale prej 183 milionë eurosh për zbatimin e praktikave antikonkurruese në sektorin e telefonisë së lëvizshme (shiko shkrimin në vijim: “Precedenti: Si abuzuan operatorët e mëdhenj me pozitën dominuese”).
Ndërhyrja nga AK dhe AKEP promovon një treg konkurrues për të katër lojtarët dhe synon të parandalojë rikthimin e një situate monopol apo duopol nga e cila shqiptarët kanë vuajtur ndjeshëm për shumë vite në të kaluarën, kur telefonia celulare ishte mall luksi. Fundja, qëllimi i qeverisë duke lejuar hyrjen e katër operatorëve në treg (e fundit në 2010-n) ishte pikërisht liberalizimi i plotë i tregut, ku operatorët të luanin me rregulla korrekte, pa cenuar lirinë e konsumatorit në zgjidhjen e paketës dhe shërbimit, dhe për të ruajtur këto kushte, përgjegjës është Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Situata duket se po kthehet mbrapa në kohë, para se në treg të hynin Eagle dhe Plus, ku konsumatorët përballeshin me tarifa të larta në një treg duopol: kartat SIM kushtonin shumë më shtrenjtë dhe si Vodafone dhe AMC u gjobiten për situatën e krijuar në 2004-2005.
Pesha, praktikat dhe kostot
Për shkak të pozitës dominuese, kompania VF po zbaton një strategji selektive diskriminuese të caktimit të çmimeve, duke aplikuar tarifa të përshtatshme vetëm të konsumatorët e rinj e shoqëruar me një pozicion dominues në treg. Kjo kompani zë 52 për qind të pjesës së tregut sipas të ardhurave (pra, më e lartë se e të tre operatorëve të tjerë së bashku), zë 51 për qind të tregut sa i takon trafikut të zërit (bisedave) dhe zë afro 73 për qind të tregut për SMS-të, sipas të dhënave nga AKEP.
Si rrjedhojë e këtij kombinimi nuk është ekonomike për cilindo përdorues që të migrojë në rrjetin e Plus apo tek “Eagle Mobile”, sado konkurrues që të jetë Plus apo shoqëria tjetër, duke qenë se përdoruesit e tij do të mbeten gjithnjë jashtë komunitetit të tyre dhe nuk do të jetë ekonomike për komunitetin e tij që ta thërrasin atë.
Ky abuzim, i cili pranohet nga Komisioni Europian si një praktikë tepër e rrezikshme kundrejt operatorëve të vegjël, i parandalon konsumatorët që të flasin lirisht midis rrjeteve dhe i detyron ata që t’i bashkohen komunitetit më të madh në treg – kjo konfirmohet nga fakti se 95 për qind e trafikut të “Vodafone” është brenda rrjetit!
Ka pasur precendentë të konsiderueshëm ndërkombëtarë për ndërhyrje ndaj diskriminimit të çmimeve brenda rrjetit/jashtë rrjetit nga operatorët dominues të telefonisë së lëvizshme (më shumë se 40% pjesë tregu), veçanërisht në vendet në zhvillim, përfshirë: Turqinë, Katarin, Nambia, Kenia, Paraguai, Tajlanda, etj.
Në kushtet e kësaj sjelljeje ndaj operatorëve të tjerë, ose më saktë ndaj përdoruesve që janë të “detyruar” të qëndrojnë brenda “gardhit”, duke imponuar preferencat edhe ndaj abonentëve të shoqërive të tjera, fatkeqësisht tregu i telefonisë po has në probleme serioze. Këto sjellje çon në përdorimin e dy apo tre celulareve nga klientët duke arritur në nivel penetrimi absurde 190 për qind, apo rreth 5.2 milionë karta të hedhura në treg, sipas të dhënave të AKEP deri në fund të 6 mujorit të parë 2012.
Probleme janë hasur dhe në tregun e pakicës. Kështu, pavarësisht se Vodafone ka rrjetin më të madh të dyqaneve të tij (136 dyqane), shitësit e pavarur pohojnë se ata nxiten nga bonueset e larta që të shesin shërbimet e saj me reklamime ekskluzive “Vodafone Albania” dhe atyre u imponohet kushti që të përjashtojnë materiale nga kompanitë e tjera celulare.
Tregu
Autoriteti i konkurrencës nis hetimin
Për Autoritetin ky është rasti më i madh më më kompleks, që ka trajtuar ndonjëherë dhe roli i autoritetit pritet që të jetë vendimtar në garantimin e një konkurrence të drejtë në treg
Për shkak të sjelljes dhe fakteve me shifrave mbi mënyrën se si operojnë disa operatorë, Autoriteti i konkurrencës ka nisur prej disa ditësh hetimin paraprak. Ai ka njoftuar zyrtarisht “Hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e e telefonisë celulare me pakicë me parapagesë, pasi sipas informacioneve të saj, në këtë treg kohët e fundit vihen re shenja sjelljeje potencialisht antikonkurruese të një/disa operatoreve, që mund të kenë si qëllim dhe/ose pasojë kufizimin e konkurrencës së lirë dhe efektive.
Sipas Autoritetit, tregu i telefonisë celulare është një nga tregjet kryesorë që ndikon në zhvillimin e ekonomisë në tërësi. Autoriteti i Konkurrencës për mbikëqyrjen e këtij tregu të rregulluar ka bashkëpunim në mënyrë të vazhdueshme me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për të siguruar funksionimin e konkurrencës së lirë dhe efektive.
Sipas dokumentit të AKEP, ”Tregues statistikorë dhe financiarë të tregut të komunikimeve elektronike për vitin 2011”, rezulton se në tregun e telefonisë celulare janë gjeneruar gjithsej 39.2 miliardë lekë të ardhura nga 4 operatorët që ofrojnë shërbime të telefonisë celulare. Ky treg karakterizohet nga ndërmarrje me pozitë dominuese në tregun e shërbimeve te telefonisë së lëvizshme me pakicë.
Periudha e hetimit do të jetë nga Janari 2012 deri në Nëntor 2012”, përfundon njoftimi zyrtar i Autoritetit.
Vendimi për hetim të thelluar do të merret në ditët e para të muajit shkurt, pasi autoriteti të bindet se kompanitë me pozitë dominuese nuk po sillen në mënyrë konkurruese ndaj shoqërive të tjera.
Nga të dhënat e vet AKEP është pranuar se VF është një lojtar dominues në tregun e telekomunikacioneve. Një ulje e diferencave on net / off net për të gjitha tarifat e tyre me parapagesë (si ofertat për minutë dhe ato për shumë shërbime brenda kompanisë- bundled offers), mund të jetë një vendim i AK për të lejuar kushte optimale për treg konkurrues. Problem janë edhe bonuset. Një vit më parë, operatorë të caktuar nisën një betejë ndaj tregtarëve sa i takon produkteve të kompanive të tjera, duke ofruar komisione të larta, por edhe presionet nuk kanë munguar.
Gjithashtu një rishikimi i të gjitha interkoneksioneve asimetrike bazuar në pjesën e tregut dhe abuzim, të pranishme në tregun e pakicës (përfshirë uljen në tërësi të të gjitha tarifave të interkoneksionit), do të shkaktonte zbutje të kostove dhe kushte akoma e më të barabarta.
Duhet thënë se Shqipëria është një nga vendet e rralla në zhvillim që ende ka një operator dominues celular ndaj këto lloj abuzimesh nuk janë të mundura në shtetet e tjera europiane.
AKEP, pjesë e hetimit
Mësohet se Autoriteti i Konkurrencës ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të AKEP-it, institucioni që rregullon tregun. Informacionet paraprake tregojnë se AKEP është njohur me ankesat në fjalë (problemet e AMC), por kërkon që shqyrtimi i çështjes të jetë e kujdesshme, pasi pozitat dominuese janë objekt i AK-së, ndërsa për entin rregullator shikohet pjesa e tarifave të interkoneskionit.
Numrat e mbartur
20 muaj nga fillimi i shërbimit të portabilitetit të numrit dhe sasia e numrave të bartur ka arritur në një shifër prej 150 000. Rritja e konkurrencës efektive ka bërë që në treg të vazhdojnë të hidhen oferta dhe plane tarifore të reja me më përfitim për konsumatorin. Përdoruesit vazhdojnë të tregohen aktiv duke zgjedhur rrjetin dhe planet tarifore nga te cilat përfitojnë dhe qe u përshtaten më mirë kërkesave personale. AKEP thekson se numri i përdoruesve të cilët kanë përfituar nga planet tarifore e reja është disa herë më i madh se numri i bartjeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.