Censi i Partisë Socialiste nga “patronazhistët” për Tiranën, 69% e votave janë të pasigurta

15/04/2021 11:02 PM 0 komente

Databaza e Partisë Socialiste për Tiranën jep të dhëna interesante mbi zhvillimet demografike në kryeqytet, punësimin, emigracionin dhe mbi të gjitha preferencën e votuesve, duke “konkurruar” denjësisht edhe censin e popullsisë, i cili nuk po arrin të bëhet nga INSTAT fillimisht nga pandemia dhe më pas nga periudha zgjedhore.

Teksa zgjedhjet e përgjithshme po afrojnë, nga të dhënat e databazës për rreth 910 mijë votues në Qarkun në Tiranës, 14% e tyre nuk jetojnë në Shqipëri dhe janë identifikuar si emigrantë.

Nga 782 mijë persona votues potencialë që jetojnë në Shqipëri, shihet se Partia Socialiste nuk është e sigurt për votën e 538.1 mijë e personave ose 69% e totalit të votuesve potencialë, sipas përpunimit të të dhënave nga “Monitor”, bazuar në sistemin e të dhënave, që rrodhi së fundmi në media dhe u publikua fillimisht nga Lapsi.al.

Nga votuesit potencialë që janë në Shqipëri, 24% e tyre, nga verifikimet e të ashtuquajturave “patronazhistë” japin një votë të sigurt për Partinë Socialiste dhe për 7% të tjerë nuk ka informacion (shih grafikun).

Pjesa e votuesve që nuk janë të sigurt për Partinë Socialiste përfaqësojnë persona për të cilët PS nuk ka informacion ose i konsideron të luhatshëm në qëndrimin e tyre me votë, ose janë votues të një partie tjetër.

Lista që radhit votuesit me numër identifikimi, vendbanim, vendin e punës, etj., ka zbuluar se, nga totali i votuesve, rreth 127 mijë ose 14% kanë emigruar, pra nuk banojnë më në Tiranë.

Databaza, e cila përbëhet nga votuesit (popullsia mbi 18 vjeç) ka edhe një listë personash të cilësuar nga Partia Socialiste si patronazhistë, të cilët kanë grumbulluar preferencat e votuesve bazuar edhe nga të dhënat që ato kishin nga votimet e vitit 2013.

Sipas grumbullimeve të reja të patronazhistëve, duke përjashtuar emigrantët, për personat me preferencë të qartë, rreth 40% votojnë Partisë Socialistë (PS), 18% Partinë Demokratike (PD), 3% Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI) dhe 1% për PDIU (shih grafikun bashkëngjitur). Gati në të njëjtat përqindje ndahen rezultatet edhe për votuesit duke përfshirë edhe emigrantët.

Patronazhistët e Partisë Socialiste nuk kanë arritur të grumbullojnë informacion për 28% të votuesve, nuk e kanë ndarë qartë preferencën për 8% të votuesve dhe kanë lënë pa plotësuar 2% të tyre. Ndërsa 1% është për PDIU.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në vitin 2013 kanë votuar gjithsej, mbi 1,7 milionë persona në të gjithë vendin nga 3,2 milionë zgjedhës të regjistruar, ndërsa në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 kanë votuar gjithsej mbi 1,6 milionë persona sipas dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në Qarkun e Tiranës që përfshin, Bashkinë e Tiranës bashkë me Komunat, Vorën, Kamzën dhe Kavajën në vitin 2017 kanë votuar 423 mijë persona, me pjesëmarrje 49,9%. Sipas rezultateve zyrtare të KQZ në vitin 2017 në Qarkun e Tiranës 48.2% e votave shkuan për Partinë Socialiste, 30.8 % për Partinë Demokratike dhe 13.4% për LSI-në.

Ekzistenca e databazës së Partisë Socialiste për votuesit potencialë në Qarkun e Tiranës (që përfshin të dhëna për numrin e identifikimit personal, telefonin, qendrën e punës etj.) ka ngjallur debate të shumta për përdorimin e të dhënave personale të individëve nga institucionet zyrtare për llogari të partisë që është aktualisht në pushtet.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of