Të dhënat e fundit nga INSTAT mbi censusin tregojnë se në vend operojnë mbi 97 mijë biznese, por 63% kanë një të punësuar dhe 85% xhirojnë më pak se 5 milionë lekë në vit
U deshën më shumë se një vit që INSTAT të publikonte të dhënat e censusit të ndërmarrjeve ekonomike jobujqësore, deri në fund të 2010-s, ku rezulton se kemi një rritje me 50 për qind në raport me vitin 2005.
Ajo çfarë bie në sy nga raporti me shumë të dhëna është potenciali i biznesit shqiptar, i cili në numër ishte rreth 97 mijë, ku karakterizohet forca e vogël e aktivitetit.
Më shumë se 62 për qind e bizneseve janë me një të punësuar, ndërsa 85 për qind në raport me totalin nuk xhiron më shumë se 5 milionë lekë në vit.
Kryesisht mbizotëron biznesi i tregtisë së vogël, ndërsa të ndarë në prodhues dhe ofrues shërbimesh, këta të fundit zënë një peshë prej 84 përqindësh.
Raporti u prezantua nga drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja, në pani të ministrit të Teknologjisë dhe Informacionit, Genc Pollo, dhe ambasadorit të BE-së, Etore Sequi.
Puna në terren u krye nga më shumë se 12 mijë anketues nga data 8 nëntor deri më 20 dhjetor të vitit 2010, ku u konstatuan probleme të mëdha lidhur me adresat që ishin gabim, kryesisht në Tiranë.
Tjetër problem i hasur gjatë regjistrimit ishte periudha e përmbytjeve në Shkodër, që përkon me fundin e vitit 2010, ndërsa në shumë raste, kryesisht në Tropojë, Korçë, Lushnjë dhe Pogradec, bizneset deklaronin se kishin mbyllur aktivitetin.
“Për herë të parë, nëpërmjet këtij censusi do të krijohet regjistri i ndërmarrjeve lokale, i cili do të shërbejë si një instrument bazë statistikor për organizimin e vrojtimeve ekonomike në nivel rajonal”, u shpreh Ines Nurja.
Qëndrimet
Pollo:
Ky census jep pasqyrën më të saktë të asaj çka është arritur me mundime nga biznesi shqiptar; jep shpjegim pse BB na klasifikon me të ardhura të mesme, të larta,
pse PBB-ja për kokë po ngjitet duke iu afruar vendeve më të pasura të rajonit.
Nurja:
Për herë të parë, nëpërmjet këtij censusi do të krijohet regjistri i ndërmarrjeve lokale, i cili do të shërbejë si një instrument
bazë statistikor për organizimin e vrojtimeve ekonomike në nivel rajonal
Fuqi e vogël
Biznesi në Shqipëri ka pësuar rritje të ndjeshme gjatë katër viteve, por karakterizohet nga një potencial i vogël, si në numër punëtorësh ashtu dhe xhiro vjetore.
Kështu, nga rezultati final i Regjistrimit të Ndërmarrjeve, rezultoi se deri në fund të vitit 2010 ishin 103.038 ndërmarrje aktive, përfshirë ndërmarrjet e reja të krijuara në tremujorin e katërt,
nga të cilat 99.722 ndërmarrje aktive nga Regjistrimi i Ndërmarrjeve Ekonomike Jobujqësore. Biznese aktive ishin 97,437, me rritje 14 për qind në raport me fundin e vitit 2009, dhe ku dominon biznesi i vogël, me mbi 78 mijë.
Duke i ndarë sipas nivelit të punësuarve, rreth 63 për qind e bizneseve kanë 1 të punësuar, 28 për qind me 2 deri në 4 të punësuar dhe 0.9 për qind e subjekteve me 50 e më shumë të punësuar, që praktikisht janë biznes i madh.
Të shprehur në numër kemi afro 61 mijë subjekte me 1 person të punësuar dhe ku gati 31 mijë merren me tregti.
Industria mban peshën kryesore të punësimit, 282 subjekte që kanë të punësuar mbi 50 vetë në një ndërmarrje e ndjekur nga ndërtimi me 105 subjekte. Veçori tjetër po në sektorin e ndërtimit është prania e 1200 subjekteve me një të punësuar.
Nëse tregtia zë aktivitetin kryesor në Shqipëri, pas saj vjen sektori i hotelerisë, kafeve dhe bar-restoranteve, me rreth 15 mijë subjekte, ku mbi 95 për qind kanë të pësuar jo më shumë se 4 vetë.
Faktori tjetër tregues për forcën e biznesit shqiptar është xhiro vjetore. E ndarë në disa kategori, INSTAT ka përcaktuar kufij duke nisur nga 5 milionë lekë në vit, deri në 250 milionë lekë.
Gjithsej 82 mijë biznese, apo 84.5 për qind kanë një xhiro vjetore më të vogël se 5 milionë lekë në vit, të cilat me ligjin aktual të TVSH, operojnë kryesisht pa faturën e vlerës së shtuar (pragu i xhiros).
Vetëm 851 subjekte, apo e shprehur ndryshe 0.9 për qind, xhirojnë 250 milionë e më shumë lekë në vit, të pozicionuar kryesisht në fushën e tregtisë, me 351 biznese.
Më pas vijnë ndërtimi dhe industria, me nga 141 subjekte që xhirojnë vlera të mëdha, baras me 2.5 milionë dollarë në vit.
Sa i takon biznesit të vogël, rreth 37 mijë tregtarë nuk xhirojnë më shumë se 5 milionë lekë në vit.
Rajonet dhe profesioni
Dy rajonet ku ndodhen të pozicionuara bizneset janë në Tiranë dhe Durrës, me rreth 50 për qind, në raport me totalin prej 97 mijë subjektesh, ndërsa Dibra dhe Kukësi, të dyja bashkë nuk kanë më shumë se 2 mijë biznese.
Shërbimi duket se është biznesi më i preferuar i bizneseve në vend, me rreth 84 për qind, ku natyrisht tregtia zë peshën kryesore me gati 45 për qind. “Rreth 60 për qind e ndërmarrjeve ushtrojnë aktivitet tregtar dhe hotele,
bar-kafe e restorante”, shprehet drejtoresha e INSTAT-it, Ines Nurja.
Sa i takon prodhuesve, pjesa e mbetur nga torta e ndarjes së sektorëve, industria dhe ndërtimi zënë më pak se 20 për qind.
Një e dhënë tjetër që del nga ky regjistrim është se 26.4 për qind të ndërmarrjeve menaxhohen nga femrat, nga të cilat rreth 50 për qind drejtojnë aktivitete tregtare dhe se 38,7 e të punësuarve janë femra
nga ku veçojmë që 45-48 për qind është pjesëmarrja e femrave në industri e në shërbime të tjera.
Tjetër e dhënë është se 2 903 ndërmarrje ushtrojnë aktivitetin e tyre në më shumë se një vendndodhje, nga të cilat rreth 70 për qind i takojnë aktiviteteve të tregtisë e shërbime të tjera.
Gjithashtu, statistikat në tërësi nxjerrin se 2739 ndërmarrje janë të huaja e të përbashkëta me partnerë shqiptarë, nga të cilat 64 për qind janë prodhues të shërbimeve, si dhe 62.7 për qind e ndërmarrjeve kanë vetëm të vetëpunësuar.
Tjetër detaj interesant është se 26.4 për qind të ndërmarrjeve menaxhohen nga femrat, nga të cilat rreth 50 për qind drejtojnë aktivitet tregtar dhe se 38,7 për qind e të punësuarve janë femra.
INSTAT thekson se 48 për qind është niveli i pjesëmarrjes së femrave në industri e në shërbime të tjera.
Tjetër e dhënë është se 2 903 ndërmarrje ushtrojnë aktivitetin e tyre në më shumë se një vendndodhje, nga të cilat rreth 70 për qind i takojnë aktiviteteve të tregtisë e shërbime të tjera.
SKEDA E CENSUSIT
103.038
Është numri i ndërmarrjeve aktive të regjistruara nga INSTAT përmes procesit të censusit, deri në fund të vitit 2010
97436
Është numri i bizneseve aktive, ku mbi 80 për qind janë subjekte të vogla, fizike, dhe me rritje me 50 për qind nga 2005-a
50 për qind
Të dhënat demografike të ndërmarrjeve tregojnë se janë 50% e të gjithë ndërmarrjeve që kanë qendrën e veprimtarisë së tyre në qarqet Tiranë e Durrës
2739
Janë ndërmarrje të huaja e të përbashkëta me partnerë shqiptarë, nga të cilat 64 për qind janë prodhues të shërbimeve dhe 62.7 për qind kanë vetëm një të vetëpunësuar
1 për qind
Përfaqësojnë në numër ndërmarrjet e mëdha, me 50 e më shumë të punësuar, por kontributi i tyre në punësim, në ndërmarrjet ekonomike, është shumë i ndjeshëm, 42 për qind
26.4 për qind
Është niveli i menaxhimit të ndërmarrjeve nga femrat, nga të cilat rreth 50 për qind drejtojnë aktivitet tregtar dhe se 38,7 për qind e të punësuarve janë femra
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.