Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) raportoi se ndikimi i burimeve të rinovueshme të energjisë në rrjetin e përgjithshëm është jo i vogël, me kapacitete që pritet të rriten ndjeshëm në vitet në vijim. Sipas dokumentit të OST, deri vitin e ardhshëm kapaciteti i instaluar parashikohet që të arrijë 220 MW, një rritje kjo me gati 10 herë në raport me kapacitetin e sotshëm.
“Gjatë dy viteve të fundit ka pasur një numër të lartë të aplikimeve për lidhje të centraleve fotovoltaike dhe eolike në rrjetin e transmetimit. Në aspektin gjeografik për vetë pozicionimin e Shqipërisë mundësitë për përhapjen e fotovoltaikëve janë të shumta nga veriu deri në Jug por zona me numrin më të madh të ditëve me diell mbetet ultësira perëndimore. Në bazë të kërkesave të ardhura për lidhjen me rrjetin e transmetimit dhe parashikimeve për lidhjen e tyre të mundshme me rrjetin e transmetimit pritet që kapacitetet e lidhjes së centraleve me erë dhe fotovoltaik në rrjetin e transmetimit të arrijnë deri në vitin 2023, 220.4 MW” thuhet në dokument.
I njëjti bën një parashikim edhe më afatgjatë duke vlerësuar se deri në vitin 2028 kapacitetet që mund të lidhen në rrjetin e transmetimit nga burime të rinovueshme kryesisht fotovoltik mund të arrijnë 465.4 MË ndërkohë që deri në vitin 2033 915. 4 MW.
Në këto kushte OST ka raportuar se lidhja e kapacitete të reja do të kërkojë investime në atë që njohet si alternativa të kërkesave të burimeve fikse pasi teknologjia e burimeve të rinovueshme sjell me vete disa problemë. Të tilla sipas dokumentit citohen luhatjet e gjenerimit nga burimet e riunovueshme që ndodhin në një hark kohor më të ngushtë. Nuk kanë mundësi për të absorbuar fuqi reaktive (si rrjedhojë do të përballemi me nivele të larta tensioni). Gabimet e parashikimit afatshkurtër dhe ndërprerjet e menjëhershme të gjenerimit nga njësitë e prodhimit.
Parashikimiet e Transmetimit për kapacitetet e reja në burimet e rinovueshme të energjisë dhe kryesisht fotovoltaike vijnë në kushtet kur aktualisht në vend janë disa projekte të mëdha që po zbatohen si me mbështetjen e qeverisë ku bëjnë pjesë dy impiantet që po ndërton Voltalia në Karavasta dhe Spitallë ashtu edhe projekte nga sektori privat. Këta të fundit nuk përfitojnë nga masat mbështetëse por do të paguajnë një “royalty” si sasi energjie ose të barzvlefshme në vlerë monetare sipas kushteve të rëna dakord në kontratë dhe sipas vlerës së çmimit të tregut./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.