Ministria e Financave ka centralizuar përdorimin e fondit të veçante ndaj enteve publike. Më një udhëzim të posaçëm, financat sqarojnë se fondi i veçante i njësive i vitit 2018 nuk do të jetë pjesë e fondit të pagave, pasi ky fond do të alokohet dhe përdoret vetëm e miratim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Fondi i veçante që zakonisht është 5 për qind e fondit të pagave për çdo institucion për vite me radhë ka qenë në kompetence të drejtuesve të enteve publike dhe përdorej për të mbështetur fatkeqësitë punonjësve ose për aktivitete të ndryshme të institucioneve.
Mirëpo duke qenë se, ky fond është përdorur në shumë raste për organizime festive për punonjësit e administratës publike, ministria e Financave qysh vitin e kaluar kufizoi përdorimin e këtij fondi. Kjo procedurë për përdorimin e Fondit të veçante vetëm me urdhër të Ministrit të Financave do të vijojë të aplikohet edhe këtë vit.
Ministria e financave sqaron se kërkesat për përdorimin e fondit të veçante brenda limitit të njoftuar do të paraqiten rast pas rasti nga njësitë e qeverisjes qendrore tek Nëpunësi i Parë Autorizues, i cili i shqyrton nëpërmjet strukturës përgjegjëse për buxhetin dhe i propozon për miratim te ministri i Financave dhe Ekonomisë. Kjo kërkese duhet të përmbajë edhe informacionin lidhur me shumën e përdorur nga fondi i veçante deri ne momentin e paraqitjes së kësaj kërkese.
Në fondin limit të përcaktuar nuk përfshihet fondi i veçantë i njësive të vetëqeverisjes vendore, i Fondeve të Sigurimeve Shoqërore, i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, i Universiteteve, Qendrës Kombëtare të Biznesit për Bashkite.
Ministria e Financave udhëzon se për këto institucione, kërkesa për përdorim nga fondi i veçantë me destinacion të përcaktuar në shkresë, paraqitet nga njësia shpenzuese ne degën e Thesarit, duke respektuar kriteret e VKM-se nr. 929 .
Sipas vendimit të qeverisë nr.629 fondi i veçantë në njësitë e qeverisjes së përgjithshme krijohet në masën 5% te fondit te pagave. Fondi i pagave përdoret nga drejtuesit e njësive të qeverisjes se përgjithshme për:
- a) Shpërblimin e punonjësve për rezultate te mira ne pune;
- b) Shpërblimin e punonjësve ne fund te vitit kalendarik;
- c) Shpërblime të tjera të parashikuara me akte te tjera ligjore apo nënligjore;
- d) Dhënie ndihmash të menjëhershme për raste fatkeqësish dhe raste te tjera;
- e) Veprimtari social-kulturore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.