“Certifikimet e produkteve rrisin sigurinë, ja sa humbim nga mungesa e tyre”

11/09/2018 3:56 PM 0 komente

Ilir Pilku, Ekspert për Bujqësinë dhe Ushqimin

 

Në luftën për mbijetesë të fermerëve të vegjël shqiptarë, certifikimi i produkteve mund të duket si një mision i pamundur dhe si luks vetëm i atyre më të mëdhenjve.

Ky proces sigurisht që ka kostot e veta, sepse në fund të ditës, marrja e një certifikate të njohur, në mënyrë vullnetare, padyshim që rrit besueshmërinë e konsumatorit te produkti por mbi të gjitha hap dyert e eksportit për to.

Për Ilir Pilkun ekspert për çështjet e Bujqësisë dhe Ushqimit, në vendin tonë e kanë kaluar provën e sigurisë dhe të certifikimit me Global Gap të paktën 20 produkte. Për këto, përfitueshmëria është sot më e lartë, sepse produktet “simotra” qarkullojnë në tregje ku eksporti bëhet edhe vetëm me certifikatën fitosanitare.

Mungesa e një certifikimi më të lartë bën që në shumë raste të humbasë gjysma e fitimit. Lidhur me sigurinë ushqimore në vend, ai vlerëson se nuk ka vend për panik, por sigurisht që ka vend për përmirësim të punës, sidomos e lidhur kjo me ndërgjegjësimin e njësive të tregtimit për respektimin e afateve të skadencës.

Ku jemi sot me sigurinë ushqimore e lidhur me kuadrin ligjor zbatimin dhe gjendjen faktike në terren?

Në kuadrin ligjor, ne kemi ligjin e vitit, 2008 që ka të përcaktuar shumë qartë çfarë bizneset duhet të respektojnë lidhur me sigurinë ushqimore, çfarë sistemesh duhet të kenë apo certifikimet e nevojshme. Si rrjedhojë e ligjit “Për ushqimin” kemi më pas krijimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Ky autoritet ka për detyrë mbikëqyrjen e zbatimit të kërkesave të ligjit të ushqimit, që ka të përcaktuar licencat për çdo lloj aktiviteti dhe planin e punës të monitorimit dhe zbatimit nga AKU të ligjit. Po kështu, sanksionohet edhe pjesa që lidhet me mënyrën sesi duhet të komunikojë AKU me publikun dhe bizneset kur konstatohet problematikë.

Dëgjojmë shpesh që bllokohen X sasi ushqimesh në port dhe ngrihen pikëpyetje pse nuk dimë apo të na thuhen emrat e kompanive? Këtë nuk e ka ligji të përcaktuar. Neni 8 i ligjit të ushqimit e shpjegon mënyrën e komunikimit për rastet e importit apo të atyre produkteve që identifikohen në kanalet e shitjes në vend. Çdo produkt që nuk ka hyrë në sistemin e marketingut në Republikën e Shqipërisë, por është në gjendje portuale/doganore, AKU nuk është e detyruar, në bazë të ligjit, që të bëjë të ditur se cili është subjekti që e ka sjellë. Detyra e saj është ta kontrollojnë dhe analizojnë në laboratorët e akredituar dhe në rast se identifikon problematikë, ta kthejë në destinacionin nga ka ardhur.

Është plotësisht ndryshe kur AKU, në kontrollet e saj të rastësishme apo me anë të një plani të caktuar, identifikon brenda territorit produkte jo konform rregullave dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Në këto raste e ka për detyrë të raportojë dhe të komunikojnë me publikun mbi kompaninë që është bllokuar kjo sasi dhe çfarë lloj produkti është bllokuar. Pra kemi një kuadër ligjor ndër më të mirët në Europë, pasi ligji përcakton çdo detaj lidhur edhe me kohën e mbetur nga skandanca që duhet të ketë një produkt dhe mënyrën e asgjësimit të tij. Çështja është sesa respektohet kjo më pas.

Problem i skadencës shpeshherë nuk zbatohet as nga rrjeti i supermarketeve, as nga njësitë e vogla tregtare. Në lidhje me subjektet që janë prodhues se çfarë duhet të plotësojnë ata për sa i përket sigurisë ushqimore, ligji përcakton që ata duhet të kenë të implementuar sistemin HACCP që është detyrim ligjor. Të gjithë sistemet e tjera të sigurisë ushqimore janë më të larta dhe janë vullnetare. Unë do të theksoja që, përveç detyrimit të AKU-së dhe institucioneve të tjera shtetërore, vetë sipërmarrja duhet të rrisë shkallën e edukimit mbi detyrimet e kërkuara në ligj për prodhimin e një produkti që konsumohet nga popullata.

Sa të sigurta janë prodhimet bujqësore dhe ato blegtorale sot në këndvështrimin tuaj?

Në bazë të rregullit të Bashkimit Europian për eksportet dhe certifikatat që duhet të kenë produktet bujqësore kërkohet vetëm certifikimi fitosanitar. Pra me një certifikatë fitosanitare një produkt ka plotësuar ligjshmërinë shqiptare dhe atë të Bashkimit Europian. Por pyetja që lind është, që sa këto produkte, me këtë certifikim dhe këtë standard kaq të ulët mund të penetrojnë në tregjet apo supermarketet europiane? Ndërkohë që rrjetet e supermarketeve europiane si Aldi, Metro, Carrefour Spar apo Conad kanë kërkesë të patolerueshme certifikatën Global Gap dhe BRC, duke qenë se certifikimi i produktit, kryesisht bazohet në analizën e mbetjeve.

Në tre vitet e fundit, kemi një ndryshim shumë të madh të kanaleve tregtuese që produktet bujqësore kalojnë, ku ka marrë një pjesë shumë të madh rrjeti i supermarketeve në Europë. Pra kryesisht produktet në Europë me rreth 85% kalojnë nëpërmjet rrjetit të supermarketeve. Kuptohet që koha është shumë e çmueshme dhe rrjetet e supermarketeve janë bërë si one stop center, pra shkon dhe ble çdo lloj produkti ku specifikë është aplikimi i standardeve të larta. Pra është domosdoshmëri.

Çfarë sanksionon në fakt kjo lloj certifikate apo çfarë garanton marrja e saj lidhur me sigurinë dhe cilësinë e një produkti?

Certifikata përveçse proceseve të dokumentuara nga fillimi, pra nga mbjellja deri te vjelja, ajo që i vendos vulën produktit është analiza e mbetjeve që quhet MRL (Maximum Residue Levels). Pra analiza e mbetjeve në produkt është një analizë e shtrenjtë dhe në Shqipëri nuk ka laboratorë të tillë të akredituar për të bërë këtë analizë.

Zakonisht këto kryhen në laboratorë të specializuar në Greqi ose Itali, ku produkti i nënshtrohet një sërë analizave që përcaktojnë nivelin e mbetjeve të krahasuara me normativat e lejueshme nga Bashkimi Europian. Produkti që rezulton me një normativë mbi kufirin maksimal të lejuar nga BE nuk e kalon fazën e certifikimit.

Si i kemi produktet ne? Sa prej tyre janë mbajtës të certifikimeve të caktuara vullnetare dhe sa humbasim nga mungesa e këtij certifikimi.
Ajo që mund të them përpos çfarë ne dëgjojmë në media për produkte me hormone apo problematikë është që në rreth 20 raste të aplikuara për t’u certifikuar në Shqipëri nuk ka asnjë refuzim. Mund të them që janë nën normativat e lejuara. Janë 20 produkte që kanë marrë certifikatën e Global Gap-it. Për një qartësim, nuk certifikohet me Global Gap kompania, por kompania me produktin specifik. Është nga certifikatat më të vështira për t’u marrë dhe gjithashtu, me kosto relativisht të lartë, por e papërfillshme kur e krahason me përfitueshmërinë që arrin biznesi nëpërmjet tregtimit në tregjet e Europës Perëndimore.

Nuk është se nuk mund të eksportosh pa Global Gap, patjetër që eksporton me certifikatë fitosanitare, por kuptohet që do të gjesh tregje të vogla përmes Serbisë, Maqedonisë për në vendet e Europës Juglindore ku dhe çmimi që ofrojnë janë me një përfitim të ulët. Pra nuk merr një fitim maksimal. Për shembull, mesatarja e eksportit të domates sonë është rreth 60 cent/kg dhe ndërkohë po të shohësh mesataren e importit të Gjermanisë për domaten është rreth 1.2 euro/kg, pra kupton sesa ne humbim nga mungesa e certifikimeve të duhura. Në vendin tonë, certifikimin Global GAP e kanë disa produkte si perimet e serave të Lushnjës, mollët e Korçës, mandarinat e Xarrës, shalqini i Divjakës si dhe disa produkte të delikatesës. Në dy vitet e fundit ka pasur interes për Global Gap.

Po të shohësh eksportet e fundit, ne kemi rritje të eksporteve te bostanorët dhe janë kryesisht eksporte drejt Çekisë, Sllovakisë. Fillimisht këto vende kanë pasur kërkesën vetëm për certifikatën fitosanitare. Në vitin 2018, në Çeki, Sllovaki dhe Lituani kompanitë ndryshuan kërkesat për certifikimet dhe kjo bëri që të kishim një fluks për sistemin Global Gap.

A është ndërgjegjësuar biznesi shqiptar për të certifikuar produktet e tyre në funksion të standardit dhe sigurisë?

Për herë të parë në vitin 2018 ka pasur një vendim të Qeverisë Shqiptare ku, në skemën kombëtare të subvencioneve, u përfshinë një gamë certifikimesh, duke parashikuar si grant në masën 50% financim të kostos së implementimit dhe të certifikimit. Janë dy faza që kalon procesi i certifikimit, të cilat janë të pavarura nga njëra-tjetra. Faza e parë dhe më e rëndësishmja është implementimi ku biznesi duhet të implementojë sistemin përkatës të përzgjedhur (HACCP, ISO, Global Gap etj.) që merr edhe më shumë kohë për t’u realizuar.

Pastaj vjen faza tjetër, që ka të bëjë me auditimin nga inspektori i licencuar i Trupës së Akredituar e cila, pasi kontrollon gjendjen në terren dhe sistemin, dokumentacionin, jep më pas certifikatën ose jo sipas situatës që konstatohet. Pra Ministria e Bujqësisë, nëpërmjet Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, parashikoi që 50% të vlerës për implementim dhe certifikim të mbulohej me grant nga buxheti i shtetit. Shpeshherë ndodh që nga mungesa e shpërndarjes së informacionit, apo si pasojë e mospasjes se një konsulence efikase në fusha specifike si kjo që lidhet me certifikimet, biznesi bujqësor nuk arrin ta përthithë këtë mundësi investimi dhe kryesisht e lidh me certifikimin Global Gap.

Kompanitë e mëdha, kryesisht përpunueset dhe ato që janë lider në treg, kanë sisteme të mirëndërtuara, pra sisteme të standardeve të larta që janë ISO 22,000, ISO 14001 dhe në aspektin e sigurisë së produktit të gjithë kanalet e operimit janë të mirëndërtuar. Ajo që ka vend për t’u përmirësuar është gjithmonë pjesa që lidhet me njësitë e vogla të përpunimit.

Këto njësi, kryesisht janë baxhot apo njësitë e vogla të konservimit për reçelra, marmelata dhe për ato artizanale që bëhen në ambiente shtëpiake, duhet të certifikohen pra të plotësojnë standardet minimale kombëtare. Certifikimet mundësojnë një gjurmueshmëri më të mirë dhe normalisht izolimin në kohë të problematikave.

A ka vend për panik në kushtet kur dëgjojmë kaq shumë të flitet për produktet me hormone, produkte të skaduara apo produkte që nuk dimë si janë prodhuar?

Unë do të isha shumë i rezervuar për të thënë që ka vend për panik. Duhet të ndajmë pak edhe produktet që tregtohen në Shqipëri. Nëse flasim për produkte bujqësore të prodhuar nga fermerët shqiptarë, unë nuk shoh asnjë lloj problematike. Importin e shoh gjithmonë me më shumë problematikë. Kryesisht shoh importin në lidhje me grurin e misrin që vjen në Shqipëri. Shpeshherë ne kemi aflatoksinën si problem dhe kjo sepse gjithçka shkon në zinxhir. Atë misër dhe grurë me aflatoksinë e konsumojnë pularitë, blegtoria e cila kthehet në qumësht dhe mish dhe pastaj shkon te konsumatori.

Nëse unë do të bëja një analizë risku, do të vendosja një sistem më të lartë kontrolli për produktet që vijnë nga jashtë. Nuk do ta ekzagjeroja, duke thënë që origjina e produkteve të mishit të importit nuk paraqet ndonjë problematikë dhe kryesisht atë të importuar nga Brazili, sepse edhe vetë Gjermania, Italia, Franca janë importuese. Mënyra e transportit apo e ruajtjes mund të klasifikohet si problem. Sidoqoftë asnjëherë nuk duhet të injorohen masat, duke kontrolluar dokumentacionin që e shoqëron, analizat laboratorike dhe për këtë arsye, duhet të kemi një nivel laboratorik shumë të lartë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of