Certifikimi, absurde që ndalohemi të eksportojmë në Europë

29/12/2016 3:17 PM 0 komente

Flet Luan Leka, drejtues i kompanisë EHW

Si ka qenë ecuria e biznesit tuaj në vitet e fundit?

Ecuria e EHW sh.p.k në 5 vitet e fundit ka qenë e mirë. Pavarësisht nga ndryshimet në treg, si pasojë e zgjerimit të rrjeteve të supermarketeve dhe nëpërmjet tyre, futjes më të lehtë të produkteve të importit, kompania EHW sh.p.k. vazhdon të ruajë një pozicion të fortë si lider i tregut të sallameve dhe proshutave. Shitjet janë rritur me ritmin 3-6% në vit, ecuri që vazhdon edhe në vitin në vazhdim.

Në çfarë situate ndodhet sot industria e përpunimit të mishit?

Industria e përpunimit të mishit është strukturuar më mirë se çdo industri tjetër në këto 20 vite. Konkurrentët kryesorë janë kompani të cilat tashmë janë njohur si “brande” në treg, operojnë në nivel nacional dhe eksportojnë në vendet fqinje dhe janë përgjithësisht të certifikuara në ISO dhe HACCAP. Kompania EHW sh.p.k është e para kompani e certifikuar në industrinë ushqimore nga certifikues të huaj (Certiquality, Milano, Itali), dhe ka qenë një model i mirë i cili është ndjekur edhe nga të tjerë.

Cilat janë disa nga problematikat e këtij sektori?

Problematika: Është e vetmja industri që vazhdon të paguajë taksa doganore për lëndët e para, ndërkohë që produktet e importit nga Ballkani dhe Europa Qendrore hyjnë pa taksa, pra bëhet një trajtim i padrejtë ndaj prodhimit vendas.
Kërkohet hapja e tregut europian për eksportet. Në mënyrë absurde nuk lejohen eksportet në vendet e BE-së edhe për kompani që janë certifikuar nga certifikues europianë për të gjitha produktet me origjinë shtazore. Mendoj se kjo ka të bëjë me sistemin e kontrollit veterinar në Shqipëri, i cili nuk konsiderohet i besueshëm nga institucionet europiane.
Kërkohet unifikimi i ligjeve që rregullojnë kontrollin veterinar dhe parametrat e sigurisë së sektorit me ato europiane. Ky hap do të ndihmonte edhe hapjen e tregjeve europiane.

Nga e siguroni lëndën e parë dhe a keni pasur probleme me cilësinë e saj?

Lëndën e parë e sigurojmë kryesisht në tregjet europiane. Vendet eksportuese më konkurruese në këtë moment janë Hungaria, Polonia, Gjermania. Blerjet konsistojnë kryesisht në mishin e derrit të freskët apo të therur në tre muajt e fundit. Bëhet fjalë vetëm për produkte cilësore, të eksportueshme në vendet e BE-së.

Parapëlqeni tregun vendas apo tregun e huaj për të siguruar lëndën e parë? Çfarë ju nxit në zgjedhjen tuaj?

Tregu vendas i rritjes së derrit është më pak konkurrues, më pak i organizuar, më pak i sigurt. Disa thertore punojnë me derra të gjallë të importuar që i therin dhe i shesin në treg si mish i freskët. Prej tyre sigurojmë një pjesë të mishit të freskët. Megjithatë, çmimet në vendet europiane të sipërpërmendura me të gjithë kostot e transportit dhe taksat doganore rezultojnë 10-15% më të larta.

A kanë ndryshuar preferencat e konsumatorëve në vitet e fundit (frika e konsumimit të mishit të kuq)?

Për disa muaj, frika ndaj konsumit të mishit të kuq pati ndikim negativ në këtë industri. Aktualisht duket se ka kaluar dhe konsumi është kthyer në nivelet e mëparshme. Megjithatë, herë pas here, disa media kanë qejf ta ringjallin frikën edhe në mungesë të argumenteve shkencore.

A i plotësojnë thertoret shqiptare standardet europiane?

Nuk di të them nëse thertoret shqiptare plotësojnë standardet europiane. Ndërkohë di të them me siguri që kompania EHW sh.p.k ka respektuar dhe respekton 100% standardet europiane të sigurisë ushqimore.

Si e keni raportin me konkurrencën? A ka hyrës të rinj në këtë industri?

Raporti me konkurrentët kryesorë është i mirë dhe korrekt. Për të qenë më konkurrues në treg investojmë vazhdimisht, organizojmë më mirë rrjetin e shitjeve, në fund të fundit konkurrenca e ndershme na ndihmon të përmirësohemi, të rritemi. Por për fat të keq, shteti na vë përballë një konkurrence të pandershme, asaj të produkteve të importit që hyjnë me taksë doganore 0 (zero), ndërkohë që ne paguajmë taksa për lëndët e para. Absurde! Kjo na dëmton.

A është në planet tuaja penetrimi në tregjet e huaja, qoftë në tregjet e rajonit, ashtu edhe në atë europian?

Ne mezi po presim t’u hiqet barriera produkteve shqiptare me origjinë shtazore, pasi e quajmë absurde që një kompani shqiptare e certifikuar nga certifikues europianë për sigurinë ushqimore të ndalohet të eksportojë në Europë. I takon shtetit ta zgjidhë këtë. Ne padyshim që do të ndërtonim programet tona të eksportit, duke filluar nga vendi fqinj, anëtar i BE-së, Greqia.

Sa të garantuar janë shqiptarët për produktet e mishit që konsumojnë?

Siç e thashë më sipër, shqiptarët që konsumojnë produktet e mishit EHW janë plotësisht të sigurt. Prej 24 vitesh mbi 100,000-150,000 njerëz konsumojnë çdo ditë produktet tona. Të njëjtën siguri besoj e japin edhe mjaft kompani të njohura, të cilat operojnë prej shumë vitesh në treg. Jam i sigurt që industria e produkteve të mishit është më e mirorganizuara në vend dhe ajo që ofron garancitë më të mëdha për respektimin e parametrave të sigurisë ushqimore.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of