Në Consumer Electronics Show 2019, panairin më të madh të teknologjisë që zhvillohet çdo vit në Las Vegas u prezantuan qindra pajisje teknologjike, që do të ndryshojnë përgjithnjë jetën tonë. Më poshtë janë përzgjedhur disa prej pajisjeve më të mira
Në Consumer Electronics Show 2019 që u zhvillua në Las Vegas, nga data 8 deri më 11 janar, kompanitë teknologjike prezantuan pajisjet e tyre të reja që do të dalin në treg në muajt apo vitet e ardhshme.
Edicioni i këtij viti do të mbahet mend për pajisjet e shumta inteligjente që kanë të integruar një asistent zanor (Google Assistant dhe Alexa), për televizorët e rinj smart me rezolucion 4K dhe 8K dhe për laptop-ët për lojëra super të hollë.
Sa i përket smartphone-ve, nuk pati ndonjë model që të bënte bujë. Samsung prezantoi telefonin e tij fleksibël, por vetëm para një rrethi të ngushtë gazetarësh, ndërsa FlexPai, i realizuar nga Royale, rriti dyshimet rreth përdorimit të smartphone-ve fleksibël. Në anën tjetër, televizori që rrotullohet i kompanisë LG u duk mjaft i dobishëm. Pas shumë zërave, kompania koreanojugore prezantoi televizorin LG Signature OLED TV R. Ai do të vijë në treg brenda vitit të ardhshëm dhe do të sjellë një ndryshim të madh në sektor. Më poshtë janë disa prej pajisjeve më të mira të prezantuara në CES 2019 në Las Vegas.
LG Signature OLED TV R
Më së fundi, LG prezantoi televizorin e parë që rrotullohet. LG Signature OLED TV R është një ndër pajisjet teknologjike për të cilën është folur më shumë dhe më të fotografuara në CES 2019. Funksionon shumë thjesht. Mjaft të shtypësh një buton dhe ekrani do të zhduket nga shikimi i përdoruesit. Ju mund të vendosni edhe ta rrotulloni vetëm një pjesë të ekranit që përshtatet me atë çka jeni duke parë. LG Signature OLED TV R do të dalë në treg brenda vitit 2019, çmimi nuk është njoftuar ende, por me siguri do të jetë i lartë.
Samsung The Wall
Emri i zgjedhur nga Samsung për televizorin MicroLED është mjaft tërheqës, The Wall (Muri). Kompania koreanojugore prezantoi në CES 2019 televizorin e parë të realizuar me teknologji MicroLED, me ekran të madh (75 inç), por Samsung është gati të realizojë edhe modele të tjera me ekran më të vogël. Gjatë CES 2019, Samsung prezantoi edhe një televizor me ekran 8K, me diagonale 98 inç.
Asus ROG Mothership
Në CES 2019 u prezantuan shumë modele të reja laptop-ësh, mbi të gjitha për të luajtur. Asus prezantoi një model me dizajn revolucionar, ROG Mothership. Ta cilësosh laptop është disi e sforcuar, tastiera mund të shkëputet nga ekrani për të përmirësuar ventilimin e laptop-it gjatë kohës kur jeni duke luajtur. Laptop-i do të dalë në treg në muajt e ardhshëm.
Asus ZenBook S13
Përveç ROG Mothership, Asus prezantoi në Panairin e Las Vegasit edhe linjën e re të kompjuterëve për biznes. Një ndër më interesantët është Asus ZenBook S13, një laptop me ekran 13 inç, me korniza mjaft të holla. Ekrani zë 97% të pjesës së përparme të pajisjes. Karaktestika: procesori Intel i gjeneratës së fundit, kartë grafike Nvidia GeForce MX 150, 16 GB RAM dhe 1 TB memorie e brendshme.
Dell XPS 13
Si çdo vit, Dell prezantoi në panairin CES gamën e re të laptop-ëve. Dizajni i Dell XPS 13 2019 është i rinovuar, me korniza edhe më të holla dhe dimensione kompakte. Laptop-i është ideal për ata që udhëtojnë shumë dhe duan të kenë gjithnjë me vete një kompjuter eficient, por në të njëjtën kohë, edhe të lehtë. Procesori është Intel i gjeneratës së fundit, ndërsa memoria e brendshme shkon deri në 2 TB.
Matrix Powerwatch 2
Dizajni është ai tipik i një smartwatch, por Matrix Powerwatch 2 ka një shpirt teknologjik që nuk e ka asnjë pajisje “wearable”. Poshtë ekranit ndodhen disa panele të vogla diellore që karikojnë automatikisht baterinë e pajisjes, një zgjidhje inovative që rrit autonominë e orës inteligjente. Ndër të tjera, Matrix Powerwatch 2 rikarikohet edhe nga nxehtësia e trupit të njeriut, duke e bërë baterinë e orës inteligjente praktikisht të pashtershme. Çmimi fillestar është 199 dollarë, por shpejt mund të rritet në 500 dollarë.
Samsung Bots
Prej shumë vitesh tashmë në Consumer Electonics Show prezantohen risi të botës së robotikës. Në këtë edicion, edhe Samsung prezantoi robotët e saj inteligjentë. Quhen Samsung Bots dhe janë tre të tillë, secili me funksione të ndryshme. Bot Air pastron ajrin dhe mund të menaxhohet nëpërmjet një aplikacioni në smartphone, që ju jep informacione të çmuara rreth cilësisë së ajrit në shtëpinë tuaj; Bot Care kujdeset për shëndetin e njeriut, ndërsa Bot Retail transporton objekte nga një vend në tjetrin. Të tre robotët janë të këndshëm, por mbi të gjitha shumë të dobishëm.
Lenovo Smart Clock
Edhe ora e zgjimit që e mbajmë në komodinë bëhet smart. Merita është e Lenovo që, në CES 2019 prezantoi Smart Clock, një orë inteligjente që integron Google Assistant. Përveçse kryen funksionin klasik të orës së zgjimit, duke ndërvepruar me Google Assistant pajisja mund të krijojë rutinën tuaj në mëngjes, për shembull të ndezë dritat apo të vërë në sfond tinguj muzikorë qetësues. Ora inteligjente do të dalë në treg në pranverë, çmimi do të jetë rreth 100 euro.
Royole FlexPai
Smartphone-t nuk ishin protagonistë të CES 2019, megjithatë nuk munguan surprizat. Ai që tërhoqi vëmendjen ishte Royole FlexPai, smartphone i parë i përthyeshëm në botë. Pajisja u prezantua në nëntorin e vitit të kaluar, por në CES 2019 të gjithë pjesëmarrësit mund ta preknin nga afër. Telefoni funksionon shumë mirë, por për momentin dimensionet e tij janë shumë të mëdha dhe nuk është e mundur që ta mbani në xhep. Royole prezantoi në CES 2019 edhe një pajisje mjaft interesante, një tastierë QWERTY fleksibël që rrotullohet. Funksioni i saj është i ngjashëm me atë të televizorit të prezantuar nga kompania LG. Tastiera do të dalë në treg në vitin 2019, çmimi nuk është njoftuar ende.
Withings Move ECG
Withings prezantoi në CES 2019 orën e tij të parë inteligjente e cila monitoron shëndetin e zemrës së një personi. Withings Move ECG është e ngjashme me Apple Watch 4, por pajisja kushton më pak se gjysma. Nëse do të marrë miratimin nga sistemi shëndetësor, ora do të dalë në treg brenda verës së këtij viti.
Maska kundër gërhitjes, Hupnos
Partneri ju bezdis gjatë gjumit për shkak të gërhitjes? Në CES 2019 u prezantua maska revolucionare që, falë disa sensorëve të veçantë, bllokon gërhitjen e personit. Maska lidhet me smartphone dhe kur personi nis të gërhasë, maska lëshon vibrime që ta bëjë atë të ndryshojë pozicion. Nëse situata nuk ndryshon, maska përpiqet të hapë edhe rrugët e frymëmarrjes.