Pandemia ka ndryshuar jetën tonë. Dhe nga panairi i teknologjisë në Las Vegas vijnë zgjidhje teknologjike për të kufizuar përhapjen e virusit
Consumer Electronic Shows, i cili zhvillohet çdo vit në Las Vegas – këtë vit, edicioni ishte i gjithi dixhital – është panairi më i rëndësishëm për të njohur risitë e elektronikës së konsumit. Prej shumë vitesh flitet gjithnjë e më shumë për makina, por mbetet megjithatë skena më e rëndësishme për të prezantuar teknologjitë që hyjnë në shtëpinë tonë.
Me përhapjen e COVID-19 mes nesh, filluan të shfaqen në treg edhe produktet anti-pandemi. CES i Las Vegas është një vitrinë e privilegjuar për të parë se si inovacioni është ndërthurur me shpikjet për të jetuar këtë “botë të re” – nga ana tjetër, ndërsa panairet e tjerë e vonuan vendimin për të organizuar eventet, CES ishte i pari që kuptoi se ky edicion do të ishte tërësisht dixhital dhe për këtë arsye, u përgatit duke organizuar panairin në distancë në një mënyrë të patëmetë.
Maskat teknologjike
Efekti i parë, më i dukshëm i përhapjes së virusit është përpjekja për ta ndaluar atë nëpërmjet maskave – nëse vënia e tyre në mars na dukej e çuditshme, tashmë jemi mësuar. Por ka ende nga ata që kur flasin në celular, detyrohen ta ulin, pasi zëri i tyre shkon i mbytur te bashkëbiseduesi. Në treg kanë dalë disa zgjedhje si Maskfone, maska e parë me mikrofon dhe kufje të përfshira – maska mund të lahet dhe përfshin filtra Ffp2, dhe natyrisht lidhet me smartphone nëpërmjet Bluetooth.
Edhe pse nuk ju jep mundësinë të bëni telefonata dhe të dëgjoni muzikë, Airpop Active+ integron një sensor, nëpërmjet të cilit monitorohet ritmi i frymëmarrjes, cilësia e ajrit që ju rrethon dhe efikasiteti i filtrave eliminon deri në 99,7% të agjentëve patogjenë.
Fjala e ditës, dezinfektimi
Një aspekt të cilit i jepnim pak rëndësi para pandemisë është dezinfektimi i mjediseve dhe pajisjeve për pastrimin e ajrit. Corobot, për shembull, është një robot, i cili sterilizon ambientet, falë përdorimit të dritës ultraviolet (ka rezultuar efektiv kundër Sars Cov 2) e cila shpërndahet përmes dy “krahëve” elastikë dhe për këtë arsye, është në gjendje të veprojë si vertikalisht ashtu edhe horizontalisht.
Jo rastësisht vjen nga Koreja, ku që në vitin e kaluar, LG kishte prezantuar robotin për dezinfektimin e ku prej kohësh kanë menduar të mbështeten tek automatizimi për të mbajtur të sigurta hapësira të mëdha publike si qendra tregtare apo kinematë.
Ndërsa për të pastruar makinën, GHSP ka krijuar Grenlite, një sistem me drita i cili sterilizon në pak minuta, pjesën e brendshme të makinës, veçanërisht i dobishëm për taksitë dhe ambulancat, por edhe për makinat personale.
Një ndër problemet e pandemisë është përdorimi i objekteve, që nëse preken nga shumë persona, mund të përhapin lehtësisht virusin. Nëse më parë në treg ekzistonin sterilizues për smartphone, Targus prezantoi UV-C LED Disinfection Light, në thelb një shirit horizontal i cili qëndron pezull dhe shpërndan dritën ultraviolet, që shkatërron çdo orë, për 5 minuta, çdo mikroorganizëm në tastierë dhe mouse-n e një kompjuteri.
Më mirë mos prekni
Edhe pse nuk është vërtetuar infektimi nga kontakti me sipërfaqe të infektuara dhe i konsideruar një shkaktar i vogël për përhapjen e pandemisë, problemi i zileve në pallate që shtypen nga shumë persona, mbetet. Për këtë Alarm.com prezantoi në CES videocitofonin tërësisht touchless, që aktivizohet sapo personi pranë derës së shtëpisë vë këmbët në një sensor të krijuar posaçërisht (edhe pse është menduar kryesisht për një shtëpi të vetme, tipike në shumë qytete në SHBA, se sa për ndërtesat në metropole).
Nëse tashmë jemi mësuar me faktin që dikush të na masë temperaturën para së të hyjmë në shkollë, në spital apo në një restorant, nga SHBA vjen BioSens, një sensor i miratuar nga Food and Drug Administration, i cili vendoset në kraharor, dhe monitoron, nëpërmjet një software, jo vetëm temperaturën e trupit por edhe ritmin e zemrës dhe të frymëmarrjes, për të treguar probleme të mundshme për ata që janë prekur nga COVID-19 dhe për të lehtësuar hyrjen në një lokal.