CES 2022 në Las Vegas përfundoi më 7 janar, një ditë para nga planifikimi, për shkak të situatës së koronavirusit. Inovacionet e prezantuara ishin të shumta, ndër to edhe ky traktor i automatizuar…
Prodhuesi i pajisjeve bujqësore, John Deere, zbuloi në CES 2022, traktorin e tij të parë të automatizuar, që mund të punojë në fushë, pa drejtues. Makina e rëndë mund të aktivizohet nga smartphone, duke përdorur telekamera dhe sensorë për të lëvizur në tokat i cili mund të shtohet te disa traktorë ekzistues. John Deere tha se nuk ka vendosur ende nëse do ta shesë kompletin drejtpërdrejt – dhe po merr në konsideratë një model leasing apo abonimi.
Kompania nuk është e para që shfaq teknologjinë e traktorëve të automatizuar, por është ndër prodhuesit më të mëdhenj për pajisje bujqësore në botë. Kompleti, i prezantuar në CES technology expo, përdor gjashtë çifte telekamerash stereo për të monitoruar mjedisin përreth, nëpërmjet machine learning për të identifikuar objektet dhe për të shmangur përplasjet. Por siguria mbetet shqetësimi kryesor.
Shumë aksidente në bujqësi shkaktohen nga pajisje të rënda. Të dhënat nga Health and Safety Executive në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, tregojnë se goditja nga një mjet në lëvizje ishte shkaku më i zakonshëm i aksidenteve fatale në bujqësi, pylltari dhe peshkim në vitet 2020-2021. Nga 41 vdekje të shënuara në atë periudhë, 13 persona humbën jetën nga goditja me një automjet, ndërsa 6 të tjerë u vranë nga makineritë, duke përfshirë lidhjet e traktorit.
Bujqësia mbetet shumë më e rrezikshme se sektorët e tjerë të punësimit, me aksidente fatale për 100,000 punëtorë rreth 20 herë më të larta se mesatarja në të gjithë sektorët. Traktorët e automatizuar dhe pajisjet e tjera bujqësore e largojnë fermerin nga distanca e afërt me makineritë e rënda. Ato mbështeten gjithashtu në aftësinë e teknologjisë për të zbuluar rreziqet e mundshme. Kompania thotë se e ka testuar teknologjinë për tre vjet para prezantimit zyrtar edhe në ferma bujqësore.
John Deere tha për Reuters se ka planifikuar një dalje në treg “me vëllim të ulët” të teknologjisë së re, duke shitur vetëm 12 – 20 makineri këtë vit, para se ta rrisë prodhimin më tej. Por sapo kjo të ndodhë, kompleti i ri mund të montohet te një traktor 8R ekzistues në një ditë.
Më parë, kompania ka qenë në qendër të kritikave për zhvillimet e saj teknologjike, që sipas disa fermerëve e bëjnë shumë të vështirë riparimin e pajisjeve të tyre. John Deere i kundërshtoi të ashtuquajturat rregulla “të së drejtës për riparim” në SHBA, duke argumentuar se ato përbënin një rrezik për sigurinë.
/ BBC
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.